Kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

Kryeministri holandez i cilëson protestat si dhunë kriminale

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, i dënoi protestat e dhunshme kundër masave për frenimin e koronavirusit, duke i cilësuar si “dhunë kriminale”.

Protestuesit sulmuan policinë dhe dogjën makina e biçikleta në fundjavë, për të protestuar kundër orës policore, që u vendos të shtunën.

Në qytetin jugor Eindhoven, protestuesit plaçkitën dyqane dhe thyen vitrinat e tyre.

Protesta më të vogla pati edhe në Amsterdam dhe në disa qytete të tjera.

Policia tha se mbi 200 njerëz janë ndaluar.

“Kjo nuk ka të bëjë me protestat. Kjo është dhunë kriminale dhe do ta trajtojmë si të tillë”, tha të hënën kryeministri holandez, Rutte.

Qeveria holandeze ka ndërmarrë së voni masat më të rrepta që nga fillimi i pandemisë në pranverën e vitit të kaluar – përfshirë orën policore nga ora 21:00 deri në 04:30.

Kjo është hera e parë që Holanda vendos orë policore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kushdo që e shkel këtë masë, përballet me gjobë prej 95 eurosh.

Baret dhe restorantet në Holandë janë mbyllur qysh në tetor, ndërsa shkollat dhe dyqanet jothelbësore janë mbyllur muajin e kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Holanda ka regjistruar mbi 962,000 raste me koronavirus dhe 13,646 viktima./REL