Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: LDK filloi të bëhet degë e PDK-së që nga koha e Fatmir Sejdiut

Kandidatja për deputetë nga lista e përbashkët Lëvizja Vetëvendosje – Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, u shpreh se LDK është bërë një degë e PDK-së që nga koha kur LDK-në e drejtonte Fatmir Sejdiu.

Sipas Gërvallës,  LDK tash është duke i ngjarë PDK-së, AAK-së, e Nismës.

“LDK sa më shumë vite që kaluan, u bë e ngjashme me partitë e tjera, që nga PDK, AAK e Nisma”, tha Gërvalla.

“Nuk mund të përcaktohet momenti fiks se kur LDK filloi t’i ngjajë këtyre partive, pasi që ka ardhur gradualisht, mirëpo që nga koha kur presidenti Sejdiu drejtonte LDK-në u panë këto tendenca. U pa që partneriteti me PDK-në u vendos mbi interesin e votuesit të LDK-së. LDK-ja u kthye në një degë të PDK-së, dhe gjithçka ndodhte pse vendoste Hashim Thaçi dhe jo degët e LDK-së”, u shpreh Gërvalla.

Sipas saj, LDK ka mbytur zërin e protestës brenda partisë.

“Strukturat e mirëfillta janë pastruar me kalimin e kohës. Nëndegët janë mbushur çdo vit nga njerëz që janë të varur qoftë nga interesi klanor apo material dhe kështu pak e nga pak e kanë mbytur atë zërin e protestës dhe sot struktura e LDK-së është e paaftë të bëjë reforma apo të kërkoj reforma”, u shpreh ajo.

www.kallxo.com