‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, si revoltë për mizoritë nëpër të cilat ka kaluar vendi jonë nëpër shekuj

26 Janar, 2021 - 9:31 am

Xhemile Hysenaj

Teatri Kombëtar i Kosovës, me një lojë të mahnitshme nga aktorët, mirëpriti një udhëtim teatror nëpër dramat e shkrimtarit të njohur, Beqir Musliu. Me motive të përmbledhura në katër dramat e tij, iu dha jehona një bote të shkuar kohë më parë, ku kalorës me kuaj prej druri kalëruan nëpër mite, legjenda e trauma tonat, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Erson Zymberit, para publikut u paraqit përmbledhja e Musliut me katër drama, teatrologjia ‘Shtrigani i Gjel-Hanit’.

Shtriga, kalorës të vdekur, zana mali, dasmorë, mbretër gjakatarë e shumë të tjerë, jehuan në skenën e teatrit. Aktorët si: Shengyl Ismaili, Ermal Sadiku, Majlinda Kasumoviq, Afrim Muçaj, Semira Latifi, Arta Selimi e Shpetim Kastrati, me një performancë përtej të jashtëzakonshmes, i dhanë frymë të paparë personazheve të dramave të Musliut. Tradita që vinte me të shkuarën dhe modernia që vinte me të tashmen, fuqishëm fliste për mizoritë nëpër të cilat ka kapërcyer populli jonë ndër vite.

I gjithë procesi i përgatitjes së shfaqjes ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ zgjati për pothuajse 35 ditë të plota. Ndërkaq, Zymberi për KultPlus theksoi se ndjehet jashtëzakonisht mirë për punën e realizuar me të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj shfaqjeje, si Jeton Nezirajn, Irena Popovic, Gjergj Prevazin, Bekim Korçën dhe Yllka Bradën.

‘Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme si regjisor, që tekstin e Beqir Musliut ta realizoj në teatër, e ku më mirë se në Teatrin Kombëtar me një kast të mrekullueshme të aktorëve dhe me kushte fenomenale. Ndjehem shumë i kënaqur dhe i plotësuar artistikisht’, është shprehur tutje Zymberi për KultPlus.

Shfaqja që përfundoi me duartrokitje e brohoritje që zgjatën për minuta të tërë, nuk kishte si të mos emociononte ata për të cilët edhe u dhanë të gjitha ato brohoritje.

‘Zakonisht me kolegë kaloj mirë, por kësaj radhe jemi marrë vesh shumë mirë me ta, ndoshta edhe nga energjia e regjisorit, ishte asisoj që gjatë gjithë kohës na ka trajtuar mirë. Mendoj se kemi bërë gjëra të bukura bashkë, duke e përcjellur kështu edhe tek publiku, pasi vërehej se ata e pranuan mjaft mirë shfaqjen’, ka potencuar Shpëtim Kastrati për KultPlus.

Ndërkaq, në anën tjetër, Shengyl Ismaili pas pothuajse një pauze dy vjeçare nga teatri, këtë vit u rikthye fuqishëm në skenë, duke dhënë një performancë që veç sa e forcoi artin e saj skenik.

‘Jam ndjerë shumë mirë, besoj që kemi arritur suksesin tonë. E adhuroj teatrin, teatri është vendi i vetëm që më bën të ndihem kjo që jam’, ka deklaruar Ismaili për KultPlus.

Tutje, regjisori për KultPlus ka treguar se kjo shfaqje do të jetë pjesë e reportuarit për një kohë të gjatë.

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, një shfaqje që emocionoi gjithë publikun, erdhi si një revoltë, si një thirrje për mizorinë nëpër të cilën vendi jonë ka kaluar për shekuj të tërë. Një shfaqje kjo që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë, një kastë e mrekullueshme aktorësh nën regjinë e Zymberit, rrëmbeu zemrat e secilit individ që ndodhej në publik e të cilët bashkëjetuan në secilën ngjarje që zuri vend në skenën e Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme