Ilustrim

Probleme me energji elektrike në disa qytete pas reshjeve të borës

Reshjet e fundit të shiut dhe të borës të cilat kanë përfshirë vendin kanë bërë që shumë qytete të përballën me mungesë të energjisë elektrike.

Kompania e distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se zonat më të prekura janë Peja, Mitrovica dhe një pjesë e Prishtinës.

KEDS ka shtuar se ka angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të sanuar dëmët por që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë.

“Kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kësisoj, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm”, thuhet në njoftim.

KEDS ka ftuar qytetarët e zonave të afektuara që në rast se shohin prishje  në rrjet, “assesi të mos i afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 79 100 apo të na shkruajnë përmes rrjeteve tona sociale”.