Arbëri

Turbullirat në “Ibër-Lepenc” lënë pa ujë banorët e katër komunave

Banorët e Fushë-Kosovës, Drenasit, Obiliqit dhe të disa lagjeve të Prishtinës ka dy ditë që nuk kanë ujë të pijshëm. Shkak për këtë, sipas Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, janë turbullirat në kanalin e “Ibër-Lepencit”, gjë që ka bërë të pamundur trajtimin e ujit në Fabrikën e Shkabajt. Madje, nëse këto turbullira vazhdojnë, këta banorë do të kenë telashe me furnizimin me ujë.

Prishtinë, 26 janar - Turbullirat e krijuara në kanalin e “Ibër-Lepencit” kanë lënë pa ujë të pijshëm për dy ditë banorët e Fushë-Kosovës, Drenasit, Obiliqit dhe të disa lagjeve të Prishtinës.

Sipas Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, niveli i lartë i turbullirës e ka bërë të pamundur që ky ujë të trajtohet në Fabrikën e Shkabajt.

Por mungesa e ujit i ka zemëruar banorët, të cilët e quajnë absurde që në këtë kohë me reshje të mbesin pa ujë. Sipas Elez Alajt, banor i Fushë-Kosovës, mungesa e ujit flet për udhëheqjen e vendit për këta 20 vjet.

“Qe 24 orë nuk kemi ujë. Çdo ditë kemi ndërprerje të rrymës, ujit. Qe 20 vjet nuk kemi ujë, rrymë asgjë, krejt prej këtyre udhëheqësve tanë. Ai është vital, kur nuk ke rrymë, s’ke ujë, çfarë jete është ajo”, ka thënë ai.

Mungesa e ujit ua ka vështirësuar jetën banorëve, të cilët po detyrohen që ta blejnë atë.

“Ende nuk ka ardhur uji, po na krijon shumë vështirësi. Probleme me rrymë, probleme me ujë. Po gjendemi si po mundemi, po blejmë me bidona, por vështirësi sa të duash”, thotë Rizvan Avdiu, një banor tjetër i Fushë-Kosovës.

Edhe banorja tjetër, Valbona Hoti, thotë se që nga e diela kanë pasur probleme me ujin dhe se kjo u ka shkaktuar telashe të mëdha.

“Prej së dielës kemi telashe me ujë, por prej dje është ndalë dhe nuk ka ardhur më. Problem se ne kemi fëmijë, duhet me u pastru, me i la enët, me hangër bukë, shumë telashe kemi. Duhet me ble ujë dhe me pastru”, ka thënë ajo.

Mungesa e ujit vështirësi të mëdha u ka shkaktuar edhe bizneseve të asaj ane. Pronari i një furre në Fushë-Kosovë, Indial Maroshi, ka thënë se po detyrohen që ta blejnë ujin për ta kryer punën e tyre.

“Ujë nuk kemi qe dy ditë. Ndërprerje të shpeshta, edhe rryma po na ndërpritet. Si biznes na duhet si rryma, si uji”, ka thënë ai.

Nëse niveli i turbullirave vazhdon, sipas kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, do të ketë probleme edhe në ditët në vazhdim.

“Ne para 10 minutave kemi rikthyer në punë impiantin në Shkabaj, por kjo nuk do të thotë se rikthehet në normalitet. Do të punojmë për 4 orë, me qëllim që të krijojmë akumulime. Do t’i furnizojmë qytetarët e Fushë-Kosovës për 4 orë dhe do të ketë ndërprerje përsëri gjatë natës”, ka bërë të ditur Xhafa.

Turbullirat në kanal kanë ndodhur edhe shkaku i shkarkimeve fushore, por që në Inspektorat komunal të Vushtrrisë gjatë të martës kanë premtuar se do të dalin në terren për ta inspektuar kanalin, në mënyrë që të eliminojnë shkarkimet e tilla.

Image

Nga Ujësjellësi kanë bërë të ditur se do të ketë reduktime edhe në lagje të tjera të Prishtinës, në mënyrë që të bëhet një shpërndarje e barabartë e ujit për të gjithë konsumatorët.

“Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Kodra e Diellit, Banesat e Bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligjja, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, Lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga KRU “Prishtina”.

Ndërkohë thuhet se duke filluar nga ora 12:00-16:00 reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania , Lakërishtja, Lagjja Pejton dhe Kalabria.

Me reduktime, sipas këtij institucioni, nga ora 11:00 deri në orën 17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

“Kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit”, shkruhet në njoftim.

Ndërkohë në orët e pasdites ka njoftuar për mbushjen e rezervuarit në Shkabaj nga linja e Batllavës.

“Nevojiten edhe pak orë deri te mbushja optimale e rezervuarit, pastaj uji lëshohet për objektet tuaja. Niveli i rezervuarit në Shkabaj që jemi duke e furnizuar nga linja e Batllavës, do të na mundësojë që sot në orët e pasdites ta furnizojmë me ujë Fushë- Kosovën aq sa na mundësojnë kushtet teknike dhe niveli në rezervuar”, thuhet në komunikatë.

Konsumatorëve iu bëhet thirrje që pas lëshimit të ujit ta përdorin atë me kujdes të shtuar.