Panbriosh me rrush të thatë

Ushqime

Panbriosh me rrush të thatë

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 23:39
Foto ilustrim

Duhet të dini që në fillim se, brumin e panbrioshëve që do të përgatisni, mund ta ruani shumë mirë edhe në ngrirje për ta përdorur në momentin që ju duhet. Për shembull, e bëni në një kohë të lirë gjatë javës dhe i piqni në fundjavë kur do të largoheni me familjen për të pushuar.


Përbërësit:

 500g miell 00 ● 15g maja birre e freskët ● 100g sheqer ● lëkura 1 limoni bio - e grirë në rende ● 1 majë luge kripë ● 2 vezë ● 90g gjalpë i butë si krem ● 125ml qumësht me yndyrë ● 150g rrush i thatë ● 1 e verdhë veze + 1 lugë qumësht për t’i lyer sipër

Përgatitja:

1.Tretim majanë me qumështin në një gotë, i lëmë të pushojnë për 10 minuta. Vëmë rrushin e thatë në një tas me ujë të vakët që të hidratohet për 10 minuta.
2.Pas kësaj kohe, në një tas hedhim miellin, sheqerin, lëkurën e limonit, qumështin dhe majanë. I përziejmë mirë të gjitha së bashku. Shtojmë vezët një nga një, kur të jetë përzier veza e parë shtojmë vezën tjetër, shtojmë kripën dhe së fundi gjalpin si krem. E punojmë brumin me gjalpin e kripën dhe në fund shtojmë rrushin e thatë të shtrydhur mirë nga uji e të tharë me letër.
3.Vëmë brumin në një tas të mbuluar me letër plastike që të fryhet për 2-3 orë, ose derisa të ketë dyfishuar vëllimin.
4.Pas kësaj kohe, e ndajmë brumin në topa prej 70g, i bëjmë si shkopinj dhe i rrotullojmë rreth vetes. I vendosim te tava e furrës e veshur me letër furre dhe i lëmë të fryhen edhe për 30-40 minuta.
5.I lyejmë sipër brioshët me penel me të verdhën e vezës, të përzier me pirun me qumështin. I pjekim për 15-20 minuta në furrën e ngrohur më parë me 180°.
Shënim: Ruhen shumë mirë në freezer (ngrirje), të mbështjella në qese. Në momentin që do t’i konsumojmë, i fusim të ngrira në furrën e ngrohur më parë me 180°.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat