“Loja” me vaksinat/ Pse Rama përfshin dhe mësuesit! Të moshuarit në radhë për…

Mar 3, 2021 | 8:13
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/Qeveria vijon të vërë dorë duke devijuar planin kombëtar të vaksinimit të hartuar nga vetë ajo.

vaksina-te-moshuar

Ende pa përfunduar me personelin mjekësor, do të nisë për mësuesit. Jo sot, por në gjysmë të muajit, me ardhjen e dozave të “AstraZeneca”-s. Sakaq, brenda këtij intervali kohor zotohet të përmbyllë procesin te bluzat e bardha.

Nga 23 mijë të tillë, vlerësuar prioritarë, deri më tani lëngu i çmuar është injektuar në më pak se gjysmën, 11 mijë.

Gjasat për të përmbushur planin, dukshëm, janë të pakta. Por sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, disa bluza të bardha që e kanë kaluar virusin, ndonëse janë në përballje me rrezikun çdo ditë, edhe mund të presin për vaksinë.

“Ka mjekë e infermierë, të cilët jemi duke i vlerësuar që mund ta bëjnë (vaksinën) në një fazë të dytë. Pra, është një vlerësim dinamik me të gjitha listat emërore të mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh ministrja në bisedën me Kryeministrin Edi Rama, i cili dha lajmin se dozat e para që do të vijnë përmes COVAX, ato të “AstraZenca”-s, do të përdoren për mësuesit.

“Jemi duke përzgjedhur infermierët, të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave. Brenda 15 marsit mbarojnë të gjithë mjekët dhe infermierët dhe fillojmë me mësuesit”, sqaroi ministrja.

Nga më shumë se 31 mijë vaksina që kanë hyrë në vend, janë ezauruar gati gjysma e tyre, përveç bluzave të bardha, shtëpitë e moshuarve dhe personalitetet. Ndonëse nuk i kanë qëndruar besnikë planit që në krye të herës, mund të themi që procesi ka zbritur në popullatë. Konkretisht, te të moshuarit mbi 90 vjeç. Por edhe këtu ka një kërcitje.

“Sot kemi hapur qendrën e vaksinimit të përqendruar në Durrës, kemi filluar me të moshuarit +80 dhe fashat janë ndarë nga mjeku familjes. Është ai që përcakton kush do të vaksinohet i pari, duke u nisur nga ditëlindjet. Po bëhet një punë e mirë në të gjithë vendin”, deklaroi dje nr. 1 i shëndetësisë, në shoqërinë e Kryeministrit. Kaq mjaftoi që shumë 80-vjeçarë të paraqiten në qendrat shëndetësore në kërkim të vaksinës jetëshpëtuese, pa pritur telefonatën e mjekëve të familjes, të cilët gjithashtu thonë se nuk kanë mbyllur ende listat me personat mbi 90 vjeç, për të zbritur te moshat e tjera, varësisht nga numri i vaksinave që posedojnë. Shifrat kokëforta nga INSTAT janë një tjetër fakt që zbulon “lojën” e qeverisë me vaksinat. Sipas të dhënave, në vendin tonë rezultojnë 26 mijë e 275 persona mbi 85 vjeç dhe mbi 55 mijë të tjerë të grupmoshës 80-84 vjeç. Pra, vetëm për këtë fashë nevojiten mbi 160 mijë doza, që Shqipëria nuk i ka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura