Berat Rukiqi - Foto: REL

Rukiqi kërkon nga Komisioni për Ekonomi që të trajtohet çështja e monopolit të naftës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi në takimin e tij më anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka kërkuar që të miratohet Ligji për naftën pasi që sipas tij udhëzimet administrative po krijojnë monopole.

“Tek pjesa e tregtisë ka mbetur për kohë të gjatë rregullimi i sektorit të naftës, në disa legjislatura ka dështuar miratimi i ligjit për naftën i cili pastaj rregullon edhe shumë aspekte të tjera të cilësisë, standardizimit, importit, përpunimit”, tha ai.

“Ne jemi ballafaquar me shumë udhëzime administrative të cilat në esencë është dashur të krijojnë cilësi, por në fakt më shumë kanë krijuar monopole dhe kosto shtesë në biznesin e naftës sesa cilësi”, shtoi ai.

Sipas Rukiqit, çështja rregullimit të tregut të naftës të mos mbetet vetëm në dikasterin e një ministrie por të rregullohet me ligj.

“Të mos mbetet rregullimi i këtyre çështjeve në vullnetin e një ministri, agjencie apo dikasteri, por kjo të rregullohet me ligj. Mundësia për me bo udhëzime administrative shpeshherë mundet me u keqpërdor”, shtoi ai.

Rukiqi poashtu foli edhe për bashkëpunimin që Oda pritet ta ketë me anëtarët e komisionit.

“Kur jemi tek ngecja na duhet një rol më pro aktiv edhe i joni edhe te komisioni, të shohim se çka duhet të bëhet më mirë, sepse nuk është e pamundur që një ligj që nuk funksionon të rishikohet”, tha ai.

Kryetari i OEK, tha se pret që shumë shpejtë të kompletohet edhe bordi i zyrës së rregullatorit të energjisë elektrikë.

“Së fundmi kemi pasur çështjen e tregut të energjisë elektrike, unë mendoj që duhet të jetë prioritet për neve, edhe për juve që ta trajtojmë këtë çështje sa më detajisht që është e mundur. Ne nuk e kemi një bord të rregullatorit të energjisë, pro mesa e kam parë qeveria e ka shpallur konkursin dhe besoj që ky bord mund të kompletohet së shpejti”, theksoi ai.

Jeta Statovci anëtare e Komisionit tha se do të merren parasysh të gjitha sugjerimet e Odës Ekonomike të Kosovës.

“Ne do të mundohemi që të gjitha këto tema t`i inkorporojmë në planin tonë të punës dhe pastaj edhe sipas temave relevante të kemi një bashkëpunim më të afërt dhe intensiv për trajtimin e këtyre temave dhe pastaj të kemi një rezultat të dëshirueshëm për të dy anët”, tha ajo.

Ferat Shala, kryetar i Komisionit tha që shumë shpejtë komisioni do të bëjë planin e punës dhe do ti ketë parasysh shqetësimet e Rukiqit.

“Ne jemi në pritje të planit qeveritar, pastaj edhe plani ynë të harmonizohet me të gjitha ato shqetësime që i kanë odat ekonomike dhe asociacionet e tjera të interesuara. Kemi hy në fazën e përgatitjes për këtë legjislaturë”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar në janar të këtij viti se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti. Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një në tarifë.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.

Ministria e Tregtisë dhe industrisë ka emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës: kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.

Valdet Teneqja është baxhanaku i Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

‘Pingpongu’ mes kryeministrit Hoti dhe ministrit Krasniqi për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e naftës

Dyshimet rreth kontrollit të cilësisë së naftës – LIVE