Filharmonia e Kosovës solli koncertin ‘Frymë’, Jashari: Pandemia na ka ndalë frymën, ne dhuruam frymë përmes instrumenteve frymore

22 Prill, 2021 - 10:52 pm

Era Berisha

Kulminacioni i kryeveprave madhështore nga kompozitorët botërorë dhe shqiptarë u jetësuan sonte nga talenti i mahnitshëm i instrumentistëve që frymuan së bashku në një frymëmarrje të vetme nën shoqërinë e melodive dhe tingujve, të cilat u ndezën nën vrazhdësinë e ëmbël të instrumenteve duke përmbledhur kështu një gamë perfekte të zgjedhur për koncertin e titulluar ‘Frymë’, që shtëpinë e gjeti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Frymë’, që portretizoi literaturën muzikore të shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit nga periudha e klasicizmit deri tek muzika bashkëkohore, sot ka shpalosur talentin e mirënjohur të kuintetit frymor dhe kuintetit të tunxhit së Filharmonisë së Kosovës, në instrumentet e posaçme diversive qysh nga instrumentet e drunjta frymore si: flauta, obo, klarinetë, fagot dhe korno e deri tek instrumentet metalike si: trumbeta, tromboni dhe tuba që rezultuan në një ndërlidhje ku secila vepër ekzistoi në një frymë ndryshe nga tjetra.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi një qetësi ku dëgjoheshin vetëm hapat e shkundura e të lehta të kuintetit frymor të cilët nisën edhe ringjalljen e tyre e cila pasoi në një flakërim të instrumenteve të drunjtë frymore që në skenë u shndërruan në ‘trupa’ të dyta të instrumentistëve.

Atmosfera e ngrohtë në një mot të tillë që po shoqërohej me pikat e shiut të cilat binin në dritare, u gjallërua komplet me veprat e kompozitorëve më të famshëm të botës duke filluar nga: Mozart, Rossini, Donizetti, Chretien, Thuille, Rota, Kompanek dhe Ewazen, për të vazhduar me kompozitorët shqiptarë si: Esat Rizvanolli që ka përpunuar këngën ”N’mjedis t’ballit”, Valton Beqiri i cili këtë natë solli premierën e veprës ‘Hamsa’, të shkruar enkas për kuintetin e tunxhit dhe Meriton Ferizi i cili ka ripërpunuar posaçërisht veprën që sonte u performua nga kuinteti frymor me numrin më të madh të instrumenteve, e e cila është pagëzuar me titullin ‘Pak a shum ship’, që jehonën e tre këngëve shqipe folklorike , e la të tërësisht të zbathur nëpër shpirtin e çdo njërit.

Ky gërshetim mes 11 instrumentistëve që janë të ndarë në kuntetin frymor dhe kuintetin e tunxhit kanë ngërthyer temat më të popullarizuara nga muzika botërore e deri tek ajo me motive folklorike shqiptare, duke na prezantuar me një miks jo të zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës por duke krijuar një urë artistike nëpërmjet së cilës shpaloset llojllojshmëria e tingujve të pakrahasueshëm.

Kështu, krejt në fund koncerti i Ansamblit frymor të Filharmonisë së Kosovës, përmbylli këtë natë magjike me performancën e kuintetit të tunxhit nëpërmjet veprës ‘Killer Tango’ nga Kompanek, e cila me hijeshinë e saj madhështore depërtoi deri në shtresën e fundit të njeriut, deri në atë pikën ku vërehet kocka, duke çarë kështu komplet ndjenjat e mbyllura brenda në një rrotullim emocionesh mahnitëse.

Duartrokitjet e shumta, jo vetëm pas secilës vepër të interpretuar por edhe në fund të koncertit nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet të cilat dalloheshin nga sytë e më të moshuarve e deri tek të rinjtë, ishin skulptura arti të vendosura përgjatë gjithë kësaj nate artistike.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të koncertit në një kohë të tillë, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Duke u bazuar në situatën pandemike, Filharmonia e Kosovës është detyruar ta ndërrojë komplet agjendën e saj. Publiku e njeh Filharmoninë në dy segmente: 1.orkestrën e madhe simfonike dhe 2. korin, si dhe kombinimet të cilat kanë arritur deri në mbi 120 performues në skenë, por kjo tashmë nuk është e mundur ku edhe kori që është njësia e dytë e Filharmonisë, muajve të fundit është prezantuar në ansamble pra në grupe më të vogla pikërisht për shkak të situatës”, tregon Jashari.

Sipas tij, domethënia e emrit të koncertit ‘Frymë’, vjen pikërisht nga pandemia e cila na e ka ndalur frymën dhe pikërisht është ky virus i cili sulmon frymëmarrjen, prandaj ata kanë dashur që publikut ti dhurojnë frymë përmes instrumenteve frymore.

Premiera e koncertit është cilësuar si një koncert jo i zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës, ku për Jasharin ishte një kombinim mjaft interesant i veprave që u prezantuan, ku secila nga to është premierë në zhanre të ndryshme duke përfshirë kompozitorë të ndryshëm.

“Ishte një laramani programore, një risi për publikun pra diçka që nuk është parë më herët, sepse siç dihet Filharmonia e Kosovës në plan programin e saj sezonal apo vjetor vazhdimisht me koncerte që kanë qenë një herë në muaj është prezantuar me kapacitetin e saj të plotë si orkestër simfonike dhe natyrisht kjo praktikë është tashmë prezente në të gjithë botën”, shpreh Jashari.

Tutje, ai ka folur edhe për masat e reja në këtë situatë pandemike ku gjithmonë ekziston rreziku.

“Kësaj radhe, në kemi qenë shumë strikt në zbatimin e rregullave dhe nuk kemi lejuar asnjë karrige më shumë sesa nevojitet, duke shfrytëzuar vetëm hapësirën e lejuar deri në më pak se 80 persona duke llogaritur 11 instrumentistët në skenë. Gjithashtu, ne kemi qenë nën kuotën e lejuar edhe pse kemi pas shumë kërkesa, e kemi mbyllur atëherë kur numri ka arrirë në 70”, shpalos Jashari.

Ndërsa, arsyeja se pse Filharmonia e Kosovës ka mbajtur tre koncertet e fundit në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që gradualisht po zhvendosen nga Salla e Kuqe në Atelie, por që përsëri mbetet problem madhor jo vetëm për Filharmoninë dhe publikun por edhe për mbarë kulturën muzikore kosovare në Prishtinë, e tregon edhe vetë drejtori.

“Është e sata herë që po e mbajmë në Atelie, sepse akustika për muzikën klasike është shumë më e mirë sesa në Sallën e Kuqe dhe ka qenë shokuese kur 1 muaj më parë kemi zbuluar se vendosja e binave e ka dëmtuar aspektin akustik. Por kjo nuk është një sallë koncertale dhe publiku natyrisht që ka vështirësi në shikueshmëri dhe përjetim, mirëpo ne kemi vendosur që bina të mos vendoset, sepse dukshëm ka tingëlluar më mirë”, përfundon Jashari.

Po ashtu, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo periudhë ndikon tek instrumentistët, në një prononcim për KultPlus, i pranishëm ishte anëtari i kuintetit të tunxhit, Avni Krasniqi.

“Ideja për të realizuar erdhi bashkërisht me drejtorin e institucionit të Filharmonsië, e që është jo vetëm nevojë e kohës por edhe nevojë permanente për të pasur formacione të tilla që funksionojnë në kuadër të Filharmonsië së Kosovë, sepse siç e dimë jemi në një periudhë pandemie, prandaj puna normale na është pamundësuar për shkak të masave, sepse siç dihet Filharmonia ka një numër të konsiderueshëm të instrumentistëve ndërsa hapësira është shumë e vogël”, tregon Krasniqi.

Sipas tij, provat kanë shkuar shumë mirë e të cilat kanë zgjatur rreth një muaj dhe kanë pasur një program të ri është përzgjedhur për këtë koncert. Po ashtu, ata janë munduar që të zgjedhin veprat më të bukura duke bërë një përzierje të veprave të huaja dhe shqiptare.

Tutje ai ka folur rreth situatës pandemike e cila po ndikon tek secili instrumentist dhe jo vetëm.

“Si instrumentistë, për fatin e keq pandemia ka ndikuar tek secili nga ne por në këtë rast e kemi pasur një lehtësim sepse ansambli ynë është në një numër të vogël me 5 anëtarë dhe kemi pasur mundësi që të zhvillojmë provat, por që në përgjithësi ka ndikuar negativisht tek të gjithë muzicientët dhe artet tjera”, shpreh Krasniqi.

Përshtypjet e tij mbi këtë natë që u shijua jashtëzakonisht nga të pranishmit, ishin shumë të mira, jo vetëm për frymën e Filharmonisë por edhe për institucionet dhe skenën muzikore

“Ka qenë një mbrëmje shumë e rëndësishme për ne dhe tani u shndërrua në një natë të mrekullueshme edhe pse sonte kemi qenë dy ansamble por ne kemi luajtur si dy ansamble, duke u munduar që secili të përcjellë emocionin nga programi i tyre i cili ka integruar dy ansamble në një tërësi të mahnitshme”, përfundon Krasniqi.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021./ KultPlus.com

Të ngjajshme