Vonesat në njoftimet nga Emigracioni si dhe çështje të tjera që lidhen me to

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Broth

Avokati Kieran Both

Aplikantët dhe avokatët e emigracionit po përjetojnë vonesa të ndjeshme në marrjen e receipt notices (letra nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) të cilat njoftojnë që çështjet e paraqitura pranë këtij shërbimi janë marrë dhe janë në proçes e sipër). Diçka e tillë u ka ngjallur shqetësim të gjithë aplikantëve që duan të dinë për statusin e tyre. Shoqata e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit (AILA) ka nxjerrë informacionin në vijim me qëllim që të ndihmojë klientët tanë të kuptojnë që problemi në fjalë është shumë i përhapur. 

Ju lutemi të jeni të vetëdijshëm që ka vonesa në dërgimin e letrave që njoftojnë marrjen nga filialet përkatëse të USCIS-it të formularëve I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status; I-140, Immigrant Petition for Alien Workers; si dhe I-765, Application for Employment Authorization (EAD). Nëse keni aplikuar njëkohësisht ose veç e veç formularin I-485 për green card në shtator, tetor ose nëntor 2020, gjasat janë që receipt notices t’ju vijnë me shumë vonesë. Ndërkohë që disa i kanë marrë këto receipt notices, nuk është e pazakontë që juve vetë t’ju duhet të prisni minimumi dy deri në tre muaj derisa t’ju vijnë këto njoftime. Shoqata e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit do të vazhdojë ta ndjekë situatën në fjalë. Ka shumë faktorë që luajnë rol në këto vonesa, mes të cilëve përfshihen:

  • Rritja e numrit të aplikimeve të dërguara në muajin shtator për shkak se pritej një rritje e tarifave;
  • Rritja e paparashikuar e aplikimeve të paraqitura për shkak të lëvizjes së gjërave në buletinin e vizave gjatë vjeshtës së vitit 2020; dhe
  • Shkurtimi i personelit në filialet e USCIS-it për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku kanë bërë që USCIS-it t’i duhet shumë më tepër kohë për të proçesuar aplikimet që i janë dërguar. Megjithëse në faqen e internetit të USCIS-it vazhdon të thuhet që koha mesatare e pritjes është 30 ditë, vonesat e raportura nga klientët janë në fakt shumë më të gjata. Janë raportuar gjithashtu dhe raste kur personat që kanë aplikuar i kanë marrë receipt notices si dhe njoftimet lidhur me çështjet e paraqitura, përpara se t’i marrin avokatët e tyre.  

Pyetje që bëhen shpesh:

A e kam statusin?

Kjo varet nga lloji i statusit që kishit në kohën kur paraqitët aplikimin si dhe nga lloji i çështjes në bazë të së cilës bëtë kërkesën për ndreqje statusi. Shumica e njoftimeve të lëshuara pas muajsh vonese reflektojnë ende Datën Origjinale kur është bërë aplikimi duke treguar kështu që aplikimi është dërguar brenda afateve të duhura kohore. 

Çfarë ndodh nëse më hidhet poshtë aplikimi?

AILA është njoftuar për një numër të madh rastesh të cilat janë refuzuar nga USCIS-i. Në disa raste, njoftimet që çështja është refuzuar janë dërguar deri në tre apo më shumë muaj pas datës origjinale të dërgimit të aplikimit. USCIS-i ka përmendur shumë arsye për refuzimet si p.sh. lënia e paplotësuar e një kutize, mospërfshirja e të gjitha faqeve të formularit, mungesa e firmës apo dërgimi i një tarife jo të saktë të formularit. Në shumë raste, në aplikim ka qenë i gjithë informacioni i duhur, por USCIS-i gabimisht ka thënë që informacioni mungon. Në varësi të arsyes pse ju është hedhur poshtë aplikimi, mund të jeni në gjendje të aplikoni përsëri. Ju lutemi kontaktoni avokatin tuaj dhe diskutoni nëse duhet ose jo të ri-paraqisni çështjen tuaj pranë emigracionit si dhe të shihni për mundësi të tjera që mund të keni për të vepruar. 

Po për lejen e punës dhe atë të udhëtimit?

Në mënyrë të veçantë, kanë përjetuar vonesa të ndjeshme jo vetëm në marrjen e receipt notices, por dhe në kohën që i duhet emigracionit për të proçesuar çështjet, ata persona që kanë aplikuar njëkohësisht për ndreqje statusi (AOS), leje pune (formulari I-765) si dhe leje udhëtimi (formulari I-131). Ndërkohë që më parë koha mesatare e proçesimit varionte nga 90 ditë në 6 muaj, të njëjtat aplikime tani po njohin vonesa që shkojnë deri në tetë apo nëntë muaj. Për rastet e aplikimeve për leje pune dhe/ose leje udhëtimi, mund të mos ia vlejë të interesoheni pranë USCIS-it pas 90 ditësh. Nëse kanë kaluar tetë deri në 9 javë, është mirë të kontaktoni avokatin tuaj. Nëse kalojnë gjashtë muaj, mund t’ia vlejë të kontaktoni USCIS-in përmes Emma-s – ndihmësja virtuale në internet e USCIS-it – përmes telefonit ose duke dërguar një kërkesë on line. Nëse të gjitha këto veprime nuk rezultojnë të frutshme dhe vonesat janë të jashtëzakonshme, atëhere është mirë të kontaktoni senatorin apo kongresmenin që përfaqëson zonën tuaj.

Çfarë mund të bëj tjetër?

Bëni kërkesë në internet që t’ju vijë konfirmimi që formulari juaj është marrë nga emigracioni; Kontrolloni statusin e aplikimit tuaj në internet në uscis.gov ose krijoni një llogari tuajën në internet tek USCIS-i; Plotësoni formularin G-1145, e-Notification of Application/Petition Acceptance, që, në momentin që aplikimi juaj pranohet nga emigracioni, t’ju dërgojnë një mesazh me tekst ose e-mail.

Falenderojmë Shoqatën e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit (AILA) për punën që bën në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve në SHBA. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit.

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]