Zgjedhjet e përgjakura!

Opinione

Zgjedhjet e përgjakura!

Nga: Florim Zeqa Më: 23 prill 2021 Në ora: 01:02
Florim Zeqa

Në mungesë të alternatives së re politike, pavarësisht cila nga dy partitë e mëdha rivale i fiton zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, nuk do të ketë ndryshim, por vetëm rrotacion të pushtetit! Zgjedhjet pa alternativë të re politike nuk paraqesin ndryshim, por vetëm riciklim të figurave të konsumuara politike!

Pak rëndësi ka çmimi i shit-blerjes së votës

Blerja e votës shënon fundin e demokracisë, shitja fillimin e tiranisë.

Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri po e tregojnë se në çfarë gjendje ndodhet demokracia në këtë vend, kur sovrani e shet pushtetin e tij tek (auto) kracia në ardhje në pushtet!

Në një vend kur shiten e blihen votat sikurse vezët në treg, ku kërcënohen dhe vriten qytetarët, aty më nuk ka kuptim vota dhe as demokracia.

Ata që e blejnë votën janë matrapaz të pafytyrë, kurse ata që e shesin votën janë njerëz të lig dhe të padenjë të një shoqërie demokratike.

E dënueshme është blerja e votës, e pajustifikueshme është shitja e saj!

Sikur të mos kishte shitës, nuk do të kishte as blerës votash!

Pra, përgjegjësia bie njëjtë sikurse mbi shtësin ashtu edhe mbi blerësin e votës së lirë. 

Përderisa blerja e votës është krim ndaj rendit demokratik, shitja e saj është pak më tepër se kaq, është fundosje e demokracisë dhe rilindje e tiranisë! 

Përgjakja e zgjedhjeve, ogur i zi për Shqipërinë dhe shqiptarët

Ngjarja e kobshme e  përleshjes në Elbasan, e cila përfundoj me fatalitet, me një të vrarë dhe disa të plagosur e ka dëmtuar rëndë imazhin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Nga përplasja e mbështetësve të dy partive më të mëdha në vend,  PD-së dhe PS-së mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë, në mesin e të cilëve edhe një punonjëse e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”.

Kjo vrasje e rëndë e tronditi jo vetëm Elbasanin dhe Shqipërinë, por mbarë trojet etnike dhe mërgatën tonë!

Ky përveqse një kërcënim ndaj demokracisë, është kërcënim ndaj shprehjes së lirë dhe pengesë indirekte ndaj votës së lirë.

Tashmë pak rëndësi kanë zgjedhjet për familjarët e viktimës, pak rëndësi ka kush humb apo fiton në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ata që e humbën më të dashurin e tyre, do ta kujtojnë atë me pikëllim të thellë dhe zemër të plagosur sa herë që do të mbahen zgjedhje në Shqipëri!

Për humbjen e jetës së bashkombasit tonë në prag të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duhet të ndjejmë keqardhje të gjithë pavarësisht bindjeve partiake, por në radhë të parë ndjesinë dhe keqardhjen e tyre duhet ta demonstrojnë publikisht krerët e dy partive më të mëdha dhe partive rivale në garën zgjedhore për pushtetin e ardhshëm në Shqipëri!

Ata që mendojnë ta grabisin pushtetin përmes blerjes apo vjedhjes së votës së sovranit do të mashtrohen keq për shkak se pushteti moral është më i fuqishëm sesa pushteti elektoral.

Urojmë për mbarëvajtje të procesit zgjedhor më 25 Prill 2021 dhe lutemi që vrasja në Elbasan të jetë e fundit si shkak i përplasjeve elektorale mes shqiptarëve. Shqipërisë nuk i duhen politikanë që nxisin vëllavrasje, por politikan që prodhojnë unitet dhe dashuri ndërvëllazërore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat