BKK me shfaqje në kujtim të Ahmet Brahimajt, Çeku: Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, tani është radha jonë

6 Maj, 2021 - 10:59 pm

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar i Kosovës dha reprizën e shfaqjes ‘Sisters’ me kereografi të Mehmet Balkan, shkruan KultPlus.

Pjesmarrës në këtë shfaqje ishte edhe Ministri i Kulturës, Harrulla Çeku i cili në një postim në Facebook ka shkruar se Ahmet Brahimaj mbetet një nga figurat kyçe në zhvillimin e baletit në Kosovë.

Tutje ai ka shtuar se pa figura si Brahimaj baleti kosovar do të dukej ndryshe, duke theksuar se Ahmet Brahimaj ka bërë pjesën e tij dhe na mbetet ne bëjmë pjesën tonë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjestshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn./ KultPlus.com

Të ngjajshme