A siguron “Nobeli” në letërsi përjetësinë e veprës së shkrimtarit?

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 13:49 | Nga

Si student i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, apo më specifikisht i letërsisë , sepse çështja për të cilën po shkruaj është letrare ,çmimi “Nobel” për letërsi është ngjarja më e rëndësishme dhe me të drejtë, më e bujshme në botën e letrave.

Kur bëhet fjalë për botën e letërsisë, për mjeshtrit e letrave ,shkrimtarët, bota për të cilën flasim është e përcaktuar. Kjo hapësirë e përcaktuar është univers më vete dhe mbase, universi më i madh i krijuar nga vetë njeriu! Dhe është padyshim mjedisi më çlodhës që mund të gjendet, një mjedis i ujitur me jetët e miliona e miliona mendimtarëve, që u përkushtuan deri në flijim për letërsinë, duke arritur që me punën e tyre ta lënë botën më të mirë nga ç’e kanë gjetur!

Në vlerësim të kësaj përpjekjeje prej më shumë se një shekull jepet edhe çmimi “Nobel”, që ndoshta krahasuar me mundin e shkrimtarit apo shkrimtarëve, është vetëm një falënderim. Falënderim që ka si mision të sigurojë përjetësinë e veprës së shkrimtarit.

Po a e ka arritur gjithnjë këtë qëllim? A është e njohur vepra e çdo nobelisti?

Me këto dy pyetje, ndoshta detyrohemi të gjykojmë Akademinë Suedeze, që mes çmimeve për fusha të tjera, akordon edhe Nobelin për letërsi. Mbase të gjykosh një juri që jep një çmim kaq të rëndësishëm, një juri gati-gati të izoluar nga kritikat, do të ishte guxim i tepërt, por mbështetur në të vërtetën se edhe ato janë njerëzorë, e si të tillë edhe të gabueshëm, besoj se i takon çdokujt që të thotë fjalën e tij.

Çmimi “Nobel” për herë të parë u nda në vitin 1901 dhe iu dha poetit francez Sully Prudhomme-it, që besoj se si në kohën kur jetoi, ashtu edhe në ditët tona nuk e ka në letërsi atë autoritet që ka vepra e Tolstoit apo e Çehovit, për të cilët është folur e do të flitet për to në universitetet e gjithë globit, e do të studiohen sa të jetë njerëzimi.

E dimë fare mirë se Nobeli i takon atij që “krijon veprën më të mirë në një drejtim ideal”; po kush më shumë se Cehovi e reformoi letërsinë, duke i dhënë një formë dhe një këndvështrim krejt tjetër nga ana strukturore? Mirëpo këto të dy janë me prejardhje ruse, dhe letërsia ruse krahasuar me atë franceze ishte në hapat e parë, por ç’rëndësi ka, kur “Nobel Prize” jepet vetëm për shkrimtarët bashkëkohës dhe s’ka të bëjë me letërsinë paraardhëse?!

Kritikët e Nobel-it, herë pas here kanë “falënderuar” shkrimtarë, të cilët kur janë gjendur në konkurrim me shkrimtarë të përmasave gjigande, e kanë ndjerë se nuk janë në lartësinë e duhur për të zënë vend në panteonin e nobelistëve, por dikur për nxitimin e jurisë, e dikur për fatin e tyre të ndritur kanë arritur ta fitojnë atë, duke mbetur jashtë listës së fituesve shumë shkrimtarë e filozofë të letërsisë, të cilët me veprën e tyre kanë vendin më të rëndësishëm në letërsinë botërore.

Shumë pak e njohin shkrimtarin finlandez të quajtur Frans Eemil Sillanpä apo amerikanen Pearl Buck, që janë fitues të Nobelit. Karl Adolp Gjellerup, Henrik Pontoppidan, Dario Fo, Harold Pinter, shkrimtari kinez Mo Yan e të tjerë janë pothuaj të panjohur ose pak të njohur, që po ashtu gëzojnë çmimin “Nobel”. Ndërsa jashtë çmimit “Nobel” kanë mbetur Henrik Ibsen, Mark Twain, Marcel Proust, Franc Kafka, Cavafy, Ezra Pound, James Joyce, W.H. Auden, R.M.Rilke, L.F. Cèline, Pessoa, E. Waugh, Salinger, John Updike, R. Bolâno, Ismail Kadare etj. Më e drejtë do ishte të thoshim se ka ngelur “Nobeli” pa këto shkrimtarë!

Besoj se dy momentet më shumë për t’u kritikuar të jurisë së “Nobelit” janë viti 1953, kur Churchillit iu akordua ky çmim vetëm pse shkroi kujtime nga lufta dhe viti 2016, kur “Nobel-in” e mori Bob Dylan. Ky i fundit, padyshim është artist dhe këngëtar, që meriton çdo çmim në muzikë, por t’i japësh “Nobel-in” për letërsi është një “përkëdhelje”, jo “falënderim”.

Nëse referohemi vetëm te Nobeli dhe te Bob Dylan-i, natyrisht që ai çmim është më se i merituar, e mbase i pamjaftueshëm për një artist të përmasave të tilla, por duhet thënë se “Nobeli”funksionon në rrafsh krahasimi dhe kjo e bën atë të ketë një hierarki dhe fokusuar në këtë hierarki, ku ishin emri i shkrimtarit japonez, Haruki Murakami, i poetit sirian Adonis, i Ngugi Wa Thongo, i shkrimtarit Philip Roth dhe i Kadaresë sonë, mbase Dylan-i mund të konsiderohej favoriti i gjashtë!.. Mos vallë kontributi i tij në letërsi është më i çmueshëm se emrat që u përmendën? Le të japë secili përshtypjet e tij.

Duhet thënë se ka plot shkrimtarë të vërtetë që jetojnë edhe pa “Nobel-in”. Shkrimtarët e mëdhenj, ata për të cilët bota ka nevojë, nuk kanë nevojë për |Nobel-in”, mjaftohen me faktin se historia e njerëzimit nuk bën pa to…

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme