LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Nuk bëjmë dialog me Serbinë pa diskutuar në Kuvend dhe me partitë politike

Kurti: Nuk bëjmë dialog me Serbinë pa diskutuar në Kuvend dhe me partitë politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë rifillim të dialogut me Serbinë, pa pasur dialog në Kuvendin e Kosovës dhe me partitë politike.

Gjatë konferencës për medie, Kurti ritheksoi se takimi për rifillim të dialogut është planifikuar të mbahet në qershor të këtij viti, por deri atëherë, ai tha se do të takohen njëherë me kryetarët e partive politike dhe do të diskutojnë në Kuvend.

“Do të ketë një darkë pune me përfaqësuesin i lartë i BE-së, z.Borrell me datë 18 maj dhe takimi i 11 majit nuk mbahet, siç është paralajmëruar, sepse mbahen vetëm takimet kur pajtohen të gjithë.

E kemi lënë që takimi i tillë të mbahet në qershor. Disa ditë përpara do të njoftoheni të gjithë. Sa i përket temave të diskutimit, ato mund të vijnë në shprehje vetëm kur pajtohen të dy palët. Por, kemi disa gjëra të tjera para se të arrijmë në atë pikë, si diskutimi i brendshëm, me kryetarët e partive politike, edhe në Kuvendin e Kosovës ku jemi të gjithë bashkë, pozitë e opozitë”, tha Kurti para gazetarëve.

Kurti po ashtu u shpreh se do të duhet kohë për të parë edhe njëherë gjendjen e dialogut në raport me Serbinë dhe marrëveshjet e nënshkruara më parë.

“Gjithashtu edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë për procesin e deritanishëm dhe marrëveshjet e arritura. Besoj se jeni në dijeni që edhe për numrin e marrëveshjeve nuk është se ka në ndonjë dakordim, por kjo nuk është pjesa më e vështirë. Thuhet që janë prej 15 e deri në 53 marrëveshje, disa quhen marrëveshje e disa dakordime. Këtë korpus të këtyre marrëveshje dhe shkallën e zbatimit duhet ta kemi, para se të marrim çfarëdo hapa të mëtutjeshëm. Ne nuk jemi qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë dialogun në Kuvend dhe pa u përgatitur mirë”, tha Kurti. /Telegrafi/