Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë ku është miratuar programi qeverisës, ka folur edhe lidhur me mundësinë e garantimit të lirimit me kusht të krerëve të UÇK-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale e që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk është shtet i tretë, prandaj nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
“Në gushtin e vitit 2015, kur është zhvilluar debati për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, argumenti i pozitës për ta votuar, ka qenë se nëse nuk e bëjmë ne do të jetë gjykatë ndërkombëtare, pra e OKB-së. Ne e kemi ditur që nuk është ashtu. Ajo ka qenë më shumë një lloj frikësimi i atyre që kanë qenë sponsor, e që ishte Qeveria e atëhershme e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më tej Kurti tha se LVV bëri kritikën e vet “sepse që atëherë e kishim të qartë se kjo gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës. Por, siç kam thënë shpesh herë një këmbë e ka në Kosovë një jashtë saj”, tha Kurti.

Kurti tha se lidhur më këtë çështje Kosova është në pozitë të pafavorshme, që të kërkojë lirimin me kusht të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
“Nuk mund të kërkoj unë nga Kroacia për garanci. Aty ka një proces juridik, në të cilin ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjorë, të cilët e udhëheqin mbrojtjen. Pra nuk është shteti në gjyq. Andaj nuk më takon mua të marrë këso hapash. Do të ishte gabim edhe për shtetin e Kosovës dhe për vetë luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, ka thënë Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb