Kurti: “Ballkani i Hapur”, tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës

  • A.P /
  • 01 August 2021 - 16:06
Kurti: “Ballkani i Hapur”, tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se iniciativa e mini-Schengenit që të enjten mori emër të ri duke u quajtur “Ballkani i Hapur” është tendencë e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë dhe Kinës.

Pasi u pyet nga gazetarët për takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të enjten në Shkup, Kurti shtroi pyetjen se për çka do të jetë i hapur Ballkani.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kreu i Ekzekutivit tha se përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën, si dhe “i hapur për autokraci, oligarkë e kriminelë lufte, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Këto komente Kurti i bëri pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit ’81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit, Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç’rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”.

(Kosova Sot Online)