Mosha e keqkuptuar: Çfarë nuk dini për adoleshencën e dytë

Life style

Mosha e keqkuptuar: Çfarë nuk dini për adoleshencën e dytë

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Njihet si “middlescence”, një term që bashkon “middle age” (mosha e mesme) dhe “adolescence” (adoleshencë) dhe i referohet zakonisht moshës 40 e pak vjeç deri në 65 ose më shumë.

Termi “middlescence” ka kuptimin “adoleshenca e dytë” dhe u popullarizua nga gerontologia Barbara Waxman. (Gerontolog/e – përgjegjës për edukimin e profesionistëve të tjerë për tema që kanë lidhje me procesin e plakjes; gerontologët nuk janë mjekë, por profesionistë të specializuar në fusha të ndryshme).

Sipas Barbara-s, kjo është “një periudhë e shënuar nga një dëshirë e shtuar për të gjetur veten dhe për t’i dhënë një kuptim më të madh jetës”. Disa mund ta quajnë “krizë e moshës së mesme”, por ajo e kundërshton këtë gjë.

“Ne supozohet të ndiejmë ndryshime. Trupat tanë po ndryshojnë, ashtu si në adoleshencë, por këtë herë jo si në adoleshencë. Si për burrat, ashtu edhe për gratë. Ne e ndjejmë se nuk jemi të rinj, por sigurisht nuk jemi të moshuar. Pra, kush jemi ne dhe kush duam të jemi kur të rritemi?” ka thënë ajo në një intervistë për "This Morning” në CBS.

Ekspertja thotë se kjo moshë është e keqkuptuar dhe njerëzit duhet të pranojnë se “nuk është krizë, është thjesht koha për të rivlerësuar zgjedhjet që kemi bërë”.

Ajo e quan “një adoleshencë të dytë, thjesht me më shumë mençuri”.

"E para është që të mos e jetosh më jetën sipas një numri kronologjik. Nuk ka të bëjë me fazën ku je. Bëhuni autori i historisë së jetës suaj. Mos lejoni që dikush tjetër ose kultura ta shkruajë atë.”

Psikologia Heather Silvestri argumenton se kur njerëzit mësojnë ta shohin dhe shfrytëzojnë këtë periudhë me mençuri, kjo moshë mund të ndryshojë plotësisht pikëpamjen e tyre për moshën e mesme ose për jetën në përgjithësi. Madje, disa ndihen më të lumtur dhe më energjikë se kurrë.

Ajo përmend raste të njerëzve që në të 40-at, 50-at ose 60-at kuptuan se u interesonte një karrierë e re, nisën një hobi tjetër, krijuan një biznes etj.

“Duhet të kuptoni që zgjedhjet që keni bërë në të njëzetat ose tridhjetat ju kanë formuar, por nuk përcaktojnë kush jeni. Mendoni që dekada të tëra ju kanë përgatitur për këtë moment. Kështu duhet ta shihni adoleshencën e dytë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat