Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Flet avokati i qytetarit që u gjobit nga policët me 450 euro për puthje në publik

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës i kanë shqiptuar një gjobë një mërgimtari në Prishtinë vetëm pse ai është puthur me të dashurën e tij.

Rasti ka ndodhur më 28 korrik afër një klubi nate në kryeqytet.

Për aktin e tij – puthjen, qytetari, shtetas i Suedisë, është gjobitur me 450 euro.

Te përshkrimi i kundërvajtjes, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, oficerët e Policisë kanë shkruar: “I njëjti bënë sjellje të pa hijshme duke u puthur në publik edhe pse i është tërhequr vërejtja disa herë“.

Për shqiptimin e gjobës prej 450 eurosh policët janë thirrur në dispozitat e nenit 6 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike.

KALLXO.com ka kontaktuar me Edis Kurajën, avokati i qytetarit të gjobitur.

Sipas avokatit, me dispozitën e nenit 6 par.1 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike janë parashikuar tri forma të kryerjes së kësaj vepre kundërvajtëse: 1. Kushdo që kryen në vend publik ndonjë akt seksual, 2. Kur ekspozon ndonjë pjesë intime të trupit ose 3. Kur bën ndonjë sjellje të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim për qytetarët. “Pra, këto forma e përbëjnë figurën e kësaj vepre”, tha avokati.

Lidhur me përshkrimin e kundërvajtjes:  “I njëjti bënë sjellje të pa hijshme duke u puthur në publik edhe pse i është tërhequr vërejtja disa herë“, avokati Kuraja thekson se ligjdhënësi fare nuk ka sanksionuar këto veprime, prandaj, sipas tij, nuk paraqesin vepër kundërvajtëse.

“Puthja me bashkëshorten apo me të dashurën në vend publik nuk paraqet vepër kundërvajtëse. Ky s’ka ekspozuar ndonjë pjesë intime të trupit, ose sjellje të pahijshme seksuale. Pra vetëm e ka puthur të dashurën me pëlqimin e saj”, shtoi avokati.