Të gjitha vaksinat mbrojnë nga hospitalizimi dhe vdekja
“Vaksinimi për moshat + 18, domosdoshmëri për të mbajtur situatën nën kontroll”
Voltiza Duro – Me ardhjen e vjeshtës, numri i infektimeve nga koronavirusi është në rritje. Por si paraqitet situata në Shqipëri? Sa i rrezikshëm është mutacioni Delta dhe Mu dhe ccfarë mund të ndodhë nëse do të ketë mutacione të tjera? Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, mjeku i njohur virolog- imunolog, prof.dr Kristaq Bërxholi flet në mënyrë të detajuar mbi variantin delta dhe vaksninimin. Ai shton se nuk mendon se ky vit të ketë të njëjtin skenar infektimesh dhe vdekjesh si dimri i kaluar.
Si paraqitet aktualisht situata lidhur me pandeminë? A është Shqipëria në valën e katërt?
Në Europë janë raportuar 37.305.780 raste infeksioni me SARS-CoV-2, dhe 759072 vdekje. Periudha e verës ishte disi më e qetë, për sa i përket numrit të infektuarve dhe vdekjeve. Në këtë periudhë u bë prioritar një mutacion, i cili shumë shpejt u bë problematik dhe për shkak të ndryshimeve gjenetike në ligandin e tij, ai rriti mjaft dukshëm aftësinë e përhapjes dhe shpejtësinë e replikimit. Kjo e ndihmoi mutantin e quajtur Delta dhe Delta plus (nuk ishte gjë tjetër veçse i njëjti por me një mutacion shtesë) të bëhej predominant. Aktualisht mutanti Delta është i përhapur në 170 vende të botës. Edhe në Shqipëri, është evidentuar prezenca e tij. Nuk ka të dhëna se sa herë është evidentuar, zonat etj. Mutanti Delta, pavarësisht se ka disa ndryshime me virusin paraardhës të tij si p.sh: i shpëton dy lloj antitrupash të koktejlit me antitrupa monoklonalë që përdoret për mjekim, ndërkohë që të tjerët janë mjaft efektivë. Si rezultat i mutacionit, ai ka shtuar aftësinë e përhapjes, të lidhjes (adaptivitetit) të tij të lartë me receptorët qelizorë Mutacionet i kanë dhënë aftësinë që ai të shumëzohet më shpejt, gjë që ka bërë të mundur shkurtimin e periudhës së inkubacionit gati dy herë tek personat e pavaksinuar. Gjithsesi mutanti Delta, deri më tani, nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të dukshëm që t’i shpëtojë përgjigjes imune të krijuar nga vaksinat si dhe të rrisë dukshëm patogjenezën dhe si pasojë vdekjet.
A shkakton delta infeksion edhe në radhët e të vaksinuarve?
Ajo që është interesante në këtë rast është se ky mutant, shkakton infeksionin edhe tek të pavaksinuarit edhe tek të vaksinuarit. Por, ndërsa tek të vaksinuarit infeksioni largohet shumë më shpejt se sa tek të pavaksinuarit dhe për pasojë organizmi i vaksinuar lërohet shpejt nga virusi. Pavarësisht faktit se ka infeksion edhe tek të vaksinuarit, nuk ka shtuar dukshëm shkaktimin e sëmundjes. Janë vërejtur dhe raste të sëmundjes tek të vaksinuarit, por deri tani jo problematike. Këto raste ndodhin si pasojë e dy momenteve që vrehen në imunologji: thyerjes së imunitetit si dhe të infeksionit të përparuar. Pra, duhet të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me defekte të vaksinave, por kemi të bëjmë me fuqinë dhe nivelin e imunitetit si pasojë e sistemit imun, momente këto që duhet të diferencohen: Me duhet të sqaroj një gjë. Infeksion nuk do të thotë domosdoshmërisht sëmundje dhe sëmundje nuk do të thotë domosdoshmërisht klinikë dhe vdekje. Kam lexuar se shumë njerëz mjafton të thuhet infeksion dhe menjëherë thonë: Ja erdhi. E ka fajin vaksina etj. Jo, nuk është ashtu.
Mutanti delta, ka pësuar dhe një cilësi tjetër ndryshimi që po infekton fëmijët nën 12 vjeç. Megjithëse pa shenja klinike, por infeksioni ndodh. Në Gjermani ka pasur mjaft raste të tilla. Nuk kam parë, nëse kjo gjë, ka ndikim pozitiv apo negativ në epidemiologjinë e tij. Pavarësisht këtyre prioriteteve të tij, ende ky mutant është nën kontrollin vaksinal. Dhe si e tillë, për t’i paraprirë muajve që vijnë, është e domosdoshme që njerëzit duhet të vaksinohen, të vaksinohen dhe të vaksinohen.
Nëse varianti Delta nuk pëson mutacione, a mund të themi se situata do të jetë nën kontroll?
Nëse gjatë kësaj periudhe, ky virus mutant Delta nuk pëson mutacione të tjera, ahere situata do të jetë e qetë dhe e kontrollueshme, nëse ky mutant, do të pësojë mutacione si pasojë e presionit vaksinal, ahere mund të kemi ndryshim të kurbës. Prandaj përsëri po e theksoj se sa më shumë dhe sa më shpejt të vaksinohemi, aq më shpejt do të jemi të përgatitur kundër mutantit i cili është bërë prioritar kundrejt gjithë mutantëve të tjerë. Vaksinimi i moshave të reja, mbi 18 vjec është domosdoshmëri.
Ndalemi tek të hospitalizuarit. A predominojnë të vaksinuarit apo të pavaksinuarit?
Pavarësisht këtyre momenteve, ajo që vërehet deri tani, është se shumica e shtrimeve në spital, janë nga të pavaksinuarit. Sipas të dhënave edhe në Shqipëri, mbi 95% e të shtruarve janë si pasojë e mosvaksinimit. Po kështu në Hamburg të Gjermanisë, 95% të shtrimeve në spital janë të pavaksinuar, në Amerikë, në Indi dhe në mjaft vende të tjera të botës. Pra, nëse ne, do të rrisim tempin e vaksinimit, do të zbatojmë kriteret e vendosur nga Komiteti i Ekspertëve dhe shërbimi shëndetësor, nëse do të jemi larg grumbullimeve si dhe nëse do të përdorim maskën në ambiente të mbyllura, nuk do të ketë valë të tretë apo të katërt. Nuk do të kemi shtim të ritmit të infektimeve. Rritja e kurbës së infektimeve është e lidhur me moszbatimin e kritereve të përmendura më lart. CDC amerikane, në një njoftim të saj, në ‘Twiter’ thoshte se në Amerikë, ka shumë rajone me nivel vaksinimi nën 40%. Pikërisht këtu, janë diagnostikuar javën e fundit mbi 10% e popullatës pozitiv me COVID-19. Pra, bazuar vetëm në këtë paragraf, tashmë është e qartë se mosvaksinimi, krijon shanse për valë njëra mbas tjetrës, të COVID-19, tash në stinën e dimrit, jo vetëm tek ne, por në gjithë botën. Unë mendoj se ajo që është vërejtur deri tani, një vonesë relative për vaksinimin, duhet të ndryshojë. Është koha që të mbështetet fuqishëm ky aksion me të gjithë studentët e mjekësisë nga viti i katërt, nga të gjitha fakultetet e mjekësisë(shtetërorë e privatë) të infermierisë, etj. ndoshta duke lënë për 1 apo dy muaj mësimin për një fushatë të gjerë vaksinimi. Sa më gjerë të jetë vaksinimi, aq më pak infektime do të kemi. Pra siç shihet, vaksinimi përcakton se si do të jetë situata në muajt që vinë. Edhe vendi ynë nuk bën ndonjë veçanti lidhur me marrëdhënien vaksinim dhe infektim. Duke qenë se mutacioni është i lidhur me një vonesë vaksinimi, përsonalisht mendoj se në rast të një rritje masive të vaksinimi edhe mutacion të pësojë virusi, situata do të jetë e qetë pa shqetësime masive. Dimri, mund të jetë i lehtë, nëse raporti vaksinim kohë, do të jetë në favor të vaksinimit. Por nëse vaksinimi do ecë me këto ritme, të jeni të sigurët se mutacione të tjera do të ketë dhe situata mund të ndryshojë. dhe kurba mund të jetë e paparashikueshme.
Sa i rrezikshëm është Delta dhe variantet e tjera të covid? Cilat janë specifikisht simptomat e tyre?
Varianti Delta, nuk është gjë tjetër veçse SARS-CoV-2, i cili ka pësuar disa mutacione. Këto mutacione të herëpasherëshme të variantit Delta janë grumbulluar në vendin më të preferuar të tij, në spike protein. Këto grumbullime sasiore që kanë shpurë në ndryshime cilësore u shfaqen në vetinë thelbësorë të ruajtjes së species, në ata të transmetueshmërinë e lartë të këtij varianti. Këtë ndryshueshmëri e kanë bërë, mutacionet në pozicionin 452 të genit të tij. Bazuar në të dhënat virologjike, nëse një mutacion i jep virusit zhdërvjelltësi dhe avantazhe riprodhuese, virusi ka tendencë që të riprodhohet i pavarur në gjithë botën. Varianti delta është i lidhur ngushtësit me atë Alfa, i cili mbart mutacione në pozicionin 681. Mendohet se ky variant mund të jetë ndryshuesi i lojës evolucionare, duke u bërë mjaft i zakonshëm në virusët e COVID-19 në gjithë globin. Përveç këtyre, këto mutacione, sipas studimeve të fundit, shfaqin një variacion në pozicionin 478, po në spike të variantit Delta duke e bërë këtë të aftë për ti shpëtuar disa antitrupave të dobët neutralizues. Ky mutacion ka shtuar variantet e zakonshëm ne Europë etj. që në fillim të 2021. Kombinimi i transmetueshmërisë së lartë, ashpërsisë së lartë dhe mundësisë së shpëtimit nga vaksina dhe riprodhimit të shpejtë e bëjnë variantin Delta shumë variant të rrezikshëm”, thotë Gurdasani një epidemiolog klinik në Londër. Sapo Delta futet në një vend, ai përhapet me shpejtësi dhe ka të ngjarë që të bëhet varianti dominant për disa javë. Aktualisht ne sot kemi një variant të këtij tipi me predominim në skenën botërore. Aktualisht varianti Delta është i përhapur në 170 vende të botës dhe në shumë nga këto vende ai është bërë mbizotërues, kundrejt mutantëve të tjerë. Këto veti e bëjnë këtë variant të mbijetueshëm. Përhapja e shpejtë e këtij varianti, Delta dhe shumëzimi i tij, për një kohë të shkurtër, ka bërë, që OBSH ta cilësojë si “variant shqetësues” thekson OBSH.
Varianti Delta është infektiv dhe më ngjitës gati 2 herë më shumë se variantet e parë të tij. Shenjat e variantit Delta janë të njëjta.
Shenjat e variantit Delta duket se janë të njëjta, si të versionit origjinal të COVID-19. Megjithatë, mjekët po vënë re se njerëzit infektohen shumë shpejt dhe sidomos moshat e reja. Kërkimet e fundit treguan se varianti Delta shumëzohet(riprodhohet) shumë shpejt dhe në një nivel të lartë, në traktin respirator. Në këtë rast, njerëzit e vaksinuar janë ose asimptomatik ose kanë shumë shenja të lehta tipike si në rastin e ftohjes, nëse ata preken nga varianti Delta. Shenjat e tyre janë kollë, temperaturë ose dhimbje koke me shtesë humbje të nuhatjes.
A largohet më shpejt sasia e virusit e prodhuar gjatë infektimit të personave të vaksinuar se sa tek personat e pavaksinuar?
Disa të dhëna tregojnë që varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje me forma të rënda se sa shtamet e mëparshme të tij në personat e pavaksinuar. Në dy studime të të ndryshme nga Kanadaja dhe Skocia, pacientët e infektuar me variantin Delta, ka të ngjarë që hospitalizohen më shumë se sa pacientët e infektuar me shtamin viral origjinal apo Alfa. Ndërsa personat e pavaksinuar ngelen shqetësimi më i madh, është parë se varianti Delta shkakton infeksione edhe në personat e vaksinuar plotësisht, të cilat ndodhin shumë më rrallë sesa infeksionet tek njerëzit e pavaksinuar. Individët e infektuar me variantin delta , përfshi edhe personat e vaksinuar plotësisht me infeksione të dukshme symptomatike, mund ta transmetojnë atë(virusin) tek të tjerët. CDC është duke e studiuar këtë fenomen dhe po vlerëson të dhënat se kur personat plotësisht të vaksinuar dhe të infektuar e transmetojnë virusin. Megjithëkëtë, rreziku më i madh janë personat e pavaksinuar, të cilët mund të infektohen shumë më lehtë dhe ta transmetojnë virusin tek të tjerët. Është e vërtetë që personat e vaksinuar plotësisht mund te infektohen nga varianti delta virus dhe të ngelen infektues për një farë kohe, si dhe ta përhapin infeksionin tek të tjerët. Variantet e mëparshme prodhonin më pak virus në trupin e infektuar, por të vaksinuar plotësisht(infeksionet depërtues) se sa personat e pavaksinuar. Tani, varianti Delta duket se prodhon të njëjtën nivel virusesh(pasardhësish) tek të dy llojet e personave, të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Megjithatë, ashtu si dhe tek variantet e tjerë, sasia e virusit e prodhuar gjatë infektimit të personave të vaksinuar plotësisht largohet më shpejt se sa në infeksionin e personave të pavaksinuar. Kjo do të thotë që personat e vaksinuar vërtetë janë të infektuar por vetëm për pakë kohë. Prandaj thirrja për vaksinimin është e argumentuar shkencërisht është aktuale dhe sidomos tani kur ne jemi në prag të futjes në stinën e dimrit, ku një sërë faktorësh ekologjikë dhe metereologjike e favorizojnë përhapjen e mëtejshme të virusit Delta. Njerëzit duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e vaksinimit si një faktor të rëndësishëm për luftimin e mutantit delta dhe bllokimin e pandemisë.
Si paraqitet transmetueshmëria e versionit Delta?
Aktualisht, mutanti Delta është mbizotërues në mbi 170 vende të botës. Sipas znj. Kerkhove-OBSH, Delta varianti është varianti më shqetësues, për shkak të rritjes në mënyrë të dukshme të transmetimit transmetim, i cili është sa dyfishi i transmetimit të paraardhësit të tij, që u shfaq në fund të 2019, por edhe të shumëzimit të shpejtë të tij. Aktualisht, në pandeminë sot qarkullojnë katër variante (mutante) dominantë të virusit fillestar SARS-CoV-2, të cilët janë shpërndarë në popullacionin global. Kështu, sipas OBSH ata janë: Varianti Alpha(më përpara ishte quajtur varianti anglez dhe zyrtarisht shënohet si B.1.1.7) Për herë të parë është gjetur në Londër dhe Kent dhe është parë në 193 vende të botës. Varianti Beta(me parë quhej varianti i Afrikës së Jugut dhe zyrtarisht shënohet si B.1.351).Ky variant është evidentuar në 141 vende të botës. Varianti Gama (më parë quhej varianti Brazilian dhe zyrtarisht shënohet si P.1) dhe është evidentuar në 91 vende të botës, si dhe Varianti Delta(më parë quhej varianti Indian dhe që zyrtarisht shënohet si B.1.617.2). Ky variant është evidentuar në 170 vende të botës. Ajo që është për tu theksuar është që niveli apo përhapja e mutantit Delta, në vende të ndryshme është i ndryshëm. Kështu p.sh. në Gjermani, prezenca e mutantit Delta është 97%, kundrejt gjithë mutantëve të tjerë. Në Amerikë është 83% etj. dhe po kështu në shumë vende të tjerë. Kjo gjë e bën më dominant, më zotërues këtë variant(mutant). Natyrisht që jo të gjithë këta variantë do të mbijetojnë. Mesa duket, botën do ta mbizotërojë varianti Delta.
Po mutacioni Mu sa i rrezikshëm është?
Krahas mutantit Delta, në skenë ka dalë dhe një tjetër i quajtur mutanti “Mu”. Mutanti apo varianti “Mu” për të cilin mendohet se mund ti shpëtojë mbrojtjes imune të prodhuar nga infeksioni natyral, i është shtuar listës së mutantëve të këtij karakteri, nga OBSH
Si e përmendëm edhe më lartë, mutanti “Mu” që është shfaqur, është sipas OBSH një variant i “interesit” (VOI). Sipas OBSH, ky emërtim nënkupton që “Mu” ka diferenca gjenetike kundrejt varianteve të tjerë dhe po shkakton infeksione në shumë vende të botës dhe për këtë arsye mundet që të paraqesë një rrezik të veçantë për shëndetin publik. Ka shumë mundësi që ndryshimet gjenetike, mundet ta bëjnë atë më shumë transmetues, duke e lejuar atë të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda duke e bërë atë më të aftë për ti shpëtuar përgjigjes imune sidomos atij nga infeksioni natyral, por edhe vaksinal. Porse nga ana tjetër mund të bëhet edhe më pak i ndjeshëm kundrejt trajtimeve.
“Mu”, pikërisht për këto arsye, po monitorohet nga afër me qëllim që të shifet se ai mund të riformulohët si një variant shqetësues(VOC). Po ajo që e bën mutantin “Mu” me interes të vecantë(dhe shqetësues) është ajo që thotë OBSH: Grumbullimi i mutacioneve me cilësi potenciale për ti devijuar përgjigjes imune. Mutanti “Mu”, që u pa fillimisht në Kolumbi në Janar të 2021, deri tani është parë në 40 vende të botës, por me një mbizotërim deri në 0.1% të infeksioneve globalë. Si parim në virologji, këta lloj mutantësh, në përgjithësi eliminohen. Fakt është që në Kolumbi ky mutant nuk qarkullon më. Në Angli, ky mutant është evidentuar në 45 raste dhe në këtë vend ai është i mbartur nga përtej detit. Po sa i rrezikshëm është ky mutant? “Mu” ka një mutacion P681H, i parë edhe tek alfa mutanti, por që nuk ka ndonjë efekt në sjelljen e tij. “Mu” ka dhe dy mutacione të tjera E484K dhe K417N, të cilat kanë lidhje me mënjanimin e efekteve nga Ab(antitrupat). Fakti i eliminimit nga Kolumbia, pavarësisht mutacioneve, ai duket se në terren është i dobët. Nuk mendoj se do të rifuqizohet për tu bërë variant shqetësues. Megjithëse, ka një të dhënë nga Brukseli ku thuhet që: në një azile kanë vdekur 7 veta nga Mu. Kjo e dhënë nuk është një e dhënë për t’u shqetësuar. Shërbimi publik anglez është duke e monitoruar edhe këtë nga afër.
Cilat është klinika e mutantëve? Sipas të dhënave shkencore e praktike, klinika e mutantëve, nuk ka ndonjë diferencë nga klinika e SARS-CoV-2. Shumica e njerëzve të prekur, e sidomos ata të vaksinuarit nuk zhvillojnë shenja klinike të dukshme. Tendenca është që personat e infektuar të zhvillojnë një klinikë të moderuar deri në të lehtë dhe që shërohen pa hospitalizim. Shenjat klinike më të zakonshme janë: Ethe, kollë e thatë, lodhje. Shenjat më pak të zakonshme janë: Dhimbje, dhimbje fyti, diarre, konjunktivit, dhembje koke, humbje e ndjenjës të të shijuarit dhe të nuhatjes si dhe çngjyrosje e gishtërinjve të duarve dhe këmbëve. Shenjat serioze janë: Vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje e shkurtër. Dhimbje e kraharorit ose presion në të, humbja e të folurit ose e lëvizjes. Personat që kanë shenja serioze si përmendet këtu, duhet ti drejtohen menjëherë mjekut(shërbimit shëndetësor). Të tjerët me shenja të lehta ose të moderuara, duhet të konsultohen me mjekun e familjes. Prognoza e shenjave klinike dhe perspektivës së tyre, përcaktohet nga ekspertët e mjekësisë. Njerëzit duhet të konsultohen me punonjësit e shëndetit dhe jo të tërhiqen nga teoritë e konspirativistëve.
Pavarësisht se virusi Delta është evidentuar në 170 vende, nisur nga fakti që ai po bëhet dominant, a mund të na thoni disa momente më pikante të tij (mutantit Delta?).
Është e vërtetë që mutanti apo varianti Delta, në shumë vende të botës po bëhet dominant. Kjo falë shpejtësisë së përhapjes së tij si dhe shpejtësisë të shumëzimit. Këtu më poshtë ne do të përmendin një numër momentesh pikante të këtij mutanti, për ta kuptuar më mirë atë se sa i rrezikshëm është. Mutanti ndalohet vetëm nëpërmjet vaksinimit.
Delta varianti është mjaft infektiv (ngjitës). Që nga 22 qershori, afërsisht 80% e pacientëve të kontrolluar në UNI DAVIS u testuan pozitiv për COVID-19 dhe kishin variantin Delta, Në bazë të CDC gjatë të njëjtës javë, varianti Delta ishte parë për më shumë se 80% të rasteve të reja. Ekspertët e këtij UNI thanë se këta raste janë tipike të një shtami të ri virusi që është mjaft ngjitës, i cili po bëhet gjithnjë e më tepër shumë eficient dhe transmetohet shumë lehtë. Në Angli, sipas sekretarit të shëndetit, varianti delta është 40% me shumë infektiv se varianti alfa, ndërsa drejtori i Institutit Doherty thotë se varianti Delta është 50% më infektiv. Personat e infektuar me variantin Delta, tentojnë të infektojnë anëtarët e familjes se ta tjerët të infektuar me variantin alfa.
A ka raste të agravimit të sars cov 2 edhe në personat e vaksinuar?
Delta varianti infekton më shumë personat e pavaksinuar
Shumica e pacientëve të hospitalizuar në këtë qendër mjekësore, ishin persona që nuk ishin vaksinuar. Si vend, 97% e personave të prekur janë të pavaksinuar. Vaksinat janë mjaft efektive për të parandaluar COVID-19 dhe në të njëjtën kohë janë efektive për të luftuar dhe Delta variantin. Në Kaliforni, por edhe në gjithë USA është vënë re që zonat me nivel të ulët vaksinimi kanë tendencë që të kenë një nivel të lartë infektimi me COVID-19. Shërbimi shëndetësor në USA, po nxit popullin që të vaksinohen, pasi vaksinat janë të efektshme kundër COVID-19, parandalojnë rastet e rënda të sëmundjes, të cilat mund të jenë fatale për personat e prekur. Në virologji, viruset, të cilët shumëzohen mjaft mirë në qelizat e organizmit, tentojnë të jenë më tepër infektiv. Rastet e infeksionit të përparuar ndodhin edhe tek personat e vaksinuar, por janë të pakta.
Kur një person i vaksinuar dhe i infektuar me Delta variantin, testohet pozitiv, në shumicën e rasteve këto janë pa shenja klinike, ose kanë një klinike të dobët dhe shumë rrallë rezulton që të hospitalizohen ose të vdesin. Shenjat klinike janë ato që përmendem më lartë. Asnjë vaksinë nuk është 100% efektive kundrejt COVID-19. Efikasiteti mesatar i vaksinave është 90%.Ekspertët thonë se 10% e këtyre personave të vaksinuar do të infektohen. Sipas CDC rreth 0.005% e popullatës së vaksinuar ka raportuar raste të infeksionit të përparuar për COVID-19. Delta varianti, mund të jetë katastrofik në disa komunitete. Në komunitetet me nivel të ulët të vaksinimit, veçanërisht në zonat rurale me aksese të kufizuara të kujdesit shëndetësor, varianti Delta mund të shkaktojë shumë dëme. Kjo është vënë re në vendet e varfra përreth botës ku vaksina kundër COVID-19 nuk është e pranishme. Ndikimi i tij mund të jetë edhe për dekadat e ardhshme. Në këtë situatë, shumë njerëz të pavaksinuar, thonë se duhet të ishim vaksinuar. Mjekët e UNIT mjekësor në Kaliforni, thonë se një numër pacientësh të rinj, kura ata vijnë në spital në gjendje kritike thonë se ata duhet të ishin vaksinuar dhe duhet ta kishim bërë vaksinën anti COVID-19. Pacientët u thonë mjekëve: Përse unë nuk e mora vaksinën, apo përse unë nuk dëgjova kur më thoshin.
A duhet të mbahet maska edhe nga të vaksinuarit?
Disa ekspertë rekomandojnë të mbajnë maskën edhe nëse ata janë plotësisht të vaksinuar. Shumë ekspertë të shëndetit, në Amerikë, mbajnë maskë për veten e tyre edhe pse ata janë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19. Ata rekomandojnë njerëzit e vaksinuar që t’ju largohen grumbullimeve dhe të vendosin maskat në ambientet e mbyllura, ku statusi i vaksinimit të personave të tjerë është i panjohur.
Ka Delta një periudhë të shkurtër inkubacioni?
Është parë që koha midis ekspozimit kundrejt virusit dhe momentin kur anëtarët e familjes bëhen simptomatik është katër ditë, e cila nuk është diferencë sinjifikative nga varianti alfa. Ne nuk e dimë nëse ky virus është më vdekjeprurës. Ka të dhëna, që Delta është e lidhur me risk të lartë të hospitalizimit, krahasuar me variantin alfa. Megjithatë, nuk mund të themi më siguri absolute për arsye se jemi në fillim të tij. Ka një presion të virusit për tu bërë më transmetues, për arsye se virusi dëshiron të replikohet sa më shumë që të jetë e mundur, porse nuk kemi të njëjtën presion selektiv në viruset që të bëhen më letal dhe nuk është në interes të virusit që të vrasë bujtësin. Virusi i suksesshëm dëshiron që të jetojë në bujtësin e tij në pafundësi. Disa variante të SARS-CoV-2 janë potencialisht vdekjeprurës edhe pse faktorët që e bëjnë atë më infektiv, por mundet që ta bëjnë atë më letal. Nga ana tjetër, ka virusë që bëhen më letalë, por me koston e reduktimit të infeksiozitetit. Një shembull është gripi i shpendëve. Ka të ngjarë që edhe shumë variante të COVID-19 mund të lindin. Delta varianti është shtami më promiment i COVID-19, por varianti Lambda, apo dhe të tjerë mund të lindin. Prandaj ekspertët e shëndetit bëjnë thirrje për tu vaksinuar një masë sinjifikative e popullacionit, për të krijuar imunitetin vatror. Sa më gjatë të rinë njerëzit të pavaksinuar, aq me shume variante të reja të virusit do të zhvillohen dhe do të shkaktojnë probleme:
A presim një skenar me shifra te frikshme shtrimesh dhe vdekjesh si një vit me parë?
Jo. Kjo është një pyetje që bëhet vazhdimisht. Duhet të kemi parasysh një gjë që çdo pandemi, epidemi apo froma të tjera sëmundje me përhapje të gjerë jo të tipit të pandemisë, kanë një zhvillim me luhatje herë ngritje e herë ulje. Kjo është e lidhur me një sërë faktor që ndikojnë pozitivisht apo negativisht. Tashmë vendi ynë nuk është në situatën e viteve të mëparshme. Kaluam një verë disi të qetë, pa shumë probleme. Me një nivel të ulët të rasteve, gjë që i dedikohet si vaksinimit, por edhe ndikimit të periudhës së verës. Tashmë, kur ne jemi përballë një vjeshte dhe një dimri që mund ta favorizojnë atë dhe mund të kemi raste të rritjeve të infektimeve dhe shtrimeve, ne kemi një numër vaksinash në përdorim ku të gjitha kanë cilësi mjaft të mira për tu mbrojtur nga virusi. Të gjitha vaksinat kanë përqindje të ndryshme, të mbrojtjes lidhur me neutralizimin e virusit, por me një veti me nivel jashtëzakonisht të lartë e cila është që: të gjitha vaksinat mbrojnë njerëzit nga format e mesme e të rënda të sëmundjes, nga hospitalizimi dhe nga vdekja. Ky është një momenti mjaft i rëndësishëm. Në fund të fundit, qëllimi është që të mos vdesësh nga një infeksion dhe vaksinat aktuale, si ato që përdoren në vendin tonë dhe ato që ende nuk janë futur tek ne, e kanë këtë mision. Në vendin tonë tashmë janë vaksinuar mbi 700.000 veta dy herë. Këta, ashtu si dhe në vendet e tjera të botës, janë shumë më të sigurt për jetën e tyre, në raport me ata të pa vaksinuarit. Atyre që flasin për vaksinat dhe vlerat e tyre, unë po ju përgjigjem me fjalët e Prof. Fauci, i cili, duke ju përgjigjur Guvernatorit të Floridës për atë që ai ka shprehur se: “ marrja e vaksinës kundër covidit, nëse nuk ka impakt tek unë ose tek ndonjë tjetër, është jo korrekte që ta marrim” thotë Guvernatori. Kurse Prof. Fauci thotë: “Nëse ai ndjen se vaksinat nuk janë të rëndësishme për disa njerëz, porse ato janë të rëndësishme për disa njerëz të tjerë, ahere kjo nuk është korrekte”. Bazuar në këtë rezultat si dhe në atë që tashmë njerëzit, një pjesë e mirë e tyre kanë një eksperiencë pozitive, në luftën me COVIDIN si dhe më parandalimin e tij, unë do thosha se nuk mendoj se do të kemi një situatë më të rëndë se ajo që kemi kaluar vitin e kaluar.
Po nëse kemi mutacione të reja?
Krahas kësaj, duke ndjekur ndryshimet e mutantit delta një valë e re , do të jetë me pak intense, nëse virusi Delta si mbizotërues në botë, nuk do të ndryshojë. Por nëse ky shtam do të fillojë të ndryshojë në periudhën tani dhe në Nëndor – Dhjetor, magnituda e kësaj vale është e vështirë të parashikohet që tani. Prandaj, për ti paraprirë këtij fakti që përmenda sipas shkencëtarëve duhet të fuqizohet në maksimum vaksinimi. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se aktualisht jemi përpara periudhës ku virusët e kanë më të këndshme këtë situatë dhe me mundësi mutacioni të mëdha, vaksinimi dhe përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, do të bëjnë që virusi të bllokohet. Duke u nisur nga studimet shumë vjeçare të coronavirusëve, është parë se periudha midis dy mutacioneve është mjaft e gjatë. Ky virus duket se ka një periudhë më të shkurtër kohore midis dy mutacioneve, ka një ndryshueshmëri në potencialin e transmetimit dhe të replikimit. Këto janë tregues për një ndikim pikërisht në receptorët e tij duke i bërë ato më labile. Kjo është njëra anë e problemit e cila është reale, praktike dhe e prekshme. Nga ana tjetër kemi një mutant të ri që me nivelin e tij të rritur të transmetueshmërisë dhe të shpejtësisë të replikimit, krijon shansin që të rriten infektimet. Megjithëse kemi një numër relativisht të ulët infektimesh, ende jemi shumë larg atij imuniteti vatror, koha që kemi përpara nuk premton qëndrueshmëri me temperaturë të lartë. Nëse gjatë verës, niveli i vaksinimit nuk ka qenë maksimal i mundshëm, Ajo duhet bërë tani. Vendit tani i duhen 40-50.000 vaksinime në ditë gjë që është e vështirë të arrihet. Në këto kushte, shtrëngimi i masave si përdorimi i maskave, distancimi, ndalimi i grumbullimeve, do të ndikojë pozitivisht në përhapjen e infeksionit. Pra, niveli i ulët i vaksinimit, ndryshimi i klimës dhe nëse nuk shtrëngohen masat për maskat etj., këto do jenë faktorë negativë që do favorizojnë përhapjen e virusit. Unë nuk e di se ç’masa ka parashikuar Komiteti i ekspertëve, pasi nuk kemi asnjë program të shkruar të prezantuar, por ajo që unë dua të theksoj është që: Favorin e nivelit maksimal te mundshëm të vaksinimit, duhet ta kthejmë në favorin tonë dhe negativ për virusin. Sipas meje, nuk duhet të vazhdojmë të merremi dhe vajtojmë për imunitetin vatror nga infektimet natyrale. Prof. Drosten thotë se një imunitet afat gjatë, për coronavirusët arrihet vetëm nëpërmjet kontaktit të vazhdueshëm me coronavirusët, gjë e cila nuk është e përshtatshme. Imunitetin vatror ne duhet ta arrijmë vetëm me vaksinim. Kështu Danimarka, p.sh. ka një nivel mbi 73% të popullatës së vaksinuar plotësisht dhe tashmë ajo ka mbërritur në nivelin shkencor të imunitetit vatror dhe garanton një siguri në popullatë. Tashmë në Danimarkë, nuk ka më kufizime lidhur me COVID-19. Vini Re: Danimarka krijon imunitet vatror me vaksine jo me infeksion natyral. unë mendoj se përrallat e imunitetit vatror me infeksion natyral po na vënë në gjumë në vendin tonë. Për këtë Shqipëria duhet të arrijë sa më shpejt këtë synim. Nëse sasia e vaksinave që ka raportuar qeveria mbi 1.9 milionë dozë është reale, ekziston mundësia e dyfishimit të personave të vaksinuar dy herë, duke u futur në periudhën e dimrit më një nivel të kënaqshëm vaksinimi.