LAJMI I FUNDIT:

“Takimet Dukagjini” nisën me profesoreshën Hasnije Ilazi mbi filozofinë e ambientalizmit

“Takimet Dukagjini” nisën me profesoreshën Hasnije Ilazi mbi filozofinë e ambientalizmit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka filluar me “Takimet Dukagjini”, event që do të jetë i përmuajshëm në Librarinë Dukagjini, ku figura të ndryshme nga bota akademike, letërsisë, filozofisë, shkencës, artit e kulturës, do të vijnë të flasin rreth librave dhe leximit.

E ftuara e parë në këtë event ka qenë profesoresha universitare nga Departamenti i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Hasnije Ilazi.

Tema e përzgjedhur ishte “Filozofia e ambientalizmit”. Një raport filozofi- natyrë, jo vetëm në kontekstin metafizik, jo vetëm si substancë.

Me profesoreshën u diskutua statusi moral i qenieve johumane, përgjegjësia morale për ato qenie që nuk mund të kujdesen për veten dhe përgjegjësia ndaj natyrës.

U diskutua edhe antropocentrizmi dhe biocentrizmi, kur vjen puna te raporti i njeriut me natyrën.

Libri i parë që profesoresha ka përzgjedhur për të folur ishte “Historia e Bletëve” nga Maja Lunde, që bashkon tre tregime, nga Anglia më 1851, Amerika më 2007 dhe Kina më 2098, shumë të ndryshme, me një histori tërheqëse dhe provokuese që ka të bëjë me marrëdhëniet e fuqishme midis fëmijëve dhe prindërve, po aq sa edhe me marrëdhënien tonë me natyrën dhe njerëzimin.

“Tetë malet” nga Paolo Cognetti është libri tjetër që profesoresha kishte përzgjedhur, duke e theksuar çështjen e raportit të ambientit me veten, nga këndi i këtij libri.

Një interesim i jashtëzakonshëm u pa nga audienca, qoftë nga niveli i madh i pjesëmarrjes dhe pyetjet e shumta, që tejkaluan edhe orarin e parashikuar të eventit.

Artikull i sponzorizuar