Mësimdhënësit e shkollës shqipe në Bavari dhe Austri vizituan muzeun e Vjenës

Diaspora

Mësimdhënësit e shkollës shqipe në Bavari dhe Austri vizituan muzeun e Vjenës

Nga: Mustafë Krasniqi Më: 26 tetor 2021 Në ora: 00:39
Foto nga vizita

Në takimin dyditor, më 23-24 tetor 2021, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Bavari dhe Shoqata e Mësuesve Shqiptarë „Naim Frasheri“ (SHMSH) në Austri, organizuan një takim të përbashkët pune me mësimdhënësit në Vjenë, me temën: "Njohja, shkëmbimi i përvojave, ideve dhe bashkëpunimi në mes të mësuesve të gjuhës shqipe në Bavari dhe Austri, si dhe për masivizimin e rritjes së interesimit të numrit të nxënësve, për vijimin e mësimit të gjuhës shqipe në këto dy vende".

Të pranishëm, në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Lulzim Pllana, të cilit pas fjalës përshëndetëse, ata folën për kontributin e mësimdhënësve dhe i përgëzuan për punën dhe angazhimin e tyre, që bëjnë për ndërgjegjësimin e bashkëkombësit, për rëndësinë e shkollës shqipe.

Moderimin e këtij projekti e bëri Osman Ademi, kurse takimin e hapi kryetarja e SHMSH- së “Naim Frashëri” në Austri, Miradije Berisha dhe kryetari i LAPSH-it në Bavari, Milazim Ukaj. Berisha dhe Ukaj pasi i përshëndeten ambasadorët, Bimo, Pllana. Mësimdhënësit folën edhe për sfidat që po përballen mësimdhënësit, në përpjekje për ta ngritë vetëdijen e bashkëkombësve për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe.

Zonja Berisha e falënderoi LAPSH-in për iniciativën e këtij projekti të nisur, ndërsa Ukaj foli për punën, suksesin dhe sfidat e LAPSh-it në Bavari, ku ndër të tjera tha: “ LAPSh-i në bashkëpunim me institucionet, konsullatat shqiptare në Munih, bashkëkombës, Këshillat e Prindërve, prindërit, shoqata dhe biznese, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Landin e Bavarisë, janë të angazhuar që Mësimi Plotësues i Gjuhën Shqipe të jetë i pranishëm te çdo fëmijë mërgimtarë!

Ndërsa, koordinatori i LAPSh-it, z. Mustafë Krasniqi, foli për vështirësitë që po përballen mësimdhënësit, ku ndër të tjera theksoi se ky takim i mësimdhënësve jo vetëm që ka një vlerë të shkëmbimit të përvojave dhe bisedave didaktike, në mes të kolegëve mësimdhënës, por mbi të gjitha është një porosi për prindërit:

Mos i ndalni fëmijët nga shkollën shqipe, por t’ua hapim dritaren, përmes të cilës njohja e gjuhës amtare ua ngroh zemrat fëmijëve mërgimtarë shqiptarë! Kemi edhe përgjegjësi për t’ ndërgjegjësuar prindërit shqiptarë, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, njëkohësisht dhe për të mos e lënë vetëm në këtë rrugë të përpjekjes, që është fakt shqetësues, që nuk shkojnë fëmijët e tyre, në mësimin e gjuhës amtare!

Ne, mësimdhënësi, me përvojat profesionale duhet ta luajmë një rol të rëndësishëm, duke i nxitur prindërit, për ta kuptuar se gjuha amtare është vlerë shpirtërore, përmes të cilës fëmija e ruan gjuhën, kulturën, identitetin dhe ka njohuri mbi historinë! Por, megjithatë duhet ta pranojmë një realitet të hidhur se shkolla shqipe në diasporë është në krizë, me apo padashje, pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë nuk po i sjellin fëmijët në shkollë. Prandaj, na duhet një bashkëpunim më i thellë me ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës, ambasadat e përfaqësitë diplomatike, që të bashkëpunojnë ngushtë, për ta gjetur një rrugëdalje, sa nuk është bërë shumë vonë. Po ashtu me keqardhje duhet ta pranojmë një fakt shqetësues, se diaspora shqiptare në përgjithësi nuk e ka një strategji të përbashkët të veprimit, siç e kanë komunitetet tjera joshqiptare, që pa këtë strategji nuk mund të arrijmë deri te vizioni, misioni dhe qëllimi i realizimit të aspiratave tona për shkollën shqipe, tha Krasniqi. Krasniqi, para të pranishmëve, paraqiti ditarin e punës, të punuar me profesionalizëm nga Selim Hoti.

Nga ky takim i Vjenës, doli si kërkesë e përbashkët, që së bashku me të gjitha institucionet që janë me ndikim, të bashkëpunojmë për unifikimin e diasporës, për shkollën shqipe, njëkohësisht edhe kërkesë prindërve, që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe!

Mësimdhënësit, vizituan edhe Muzeun e Vjenës, ku patën rastin të përkulen para përkrenares dhe shpatës së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Ndërsa, Osman Ademi foli për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij dhe për rrugëtimin e armëve të Skënderbeut deri në Muzeun e Vjenës! Pas vizitës në Muzeum, mësimdhënësit vizituan qendrën e Vjenës, Bibliotekën, Katedralen, Operën dhe bënë një shëtitje te parku i pallatit mbretëror në Schönbrunn. Kurse në orët e vona, shfrytëzuan kohën e lirë me këngë, humor, kuiz diturie dhe biseda kolegjiale.

Në përmbyllje të takimit, Osman Ademi, dhuroi për të gjithë mësimdhënësit, librin “Ja ku jam!”, botuar nga Ministria e Arsimit në Austri, për fëmijët që të mësojnë dhe përforcojnë njohuritë e tyre në gjuhës amtare, të përkthyer edhe në gjuhën shqipe! Përkthyes është edhe Ademi. Kurse një komplet të librave, autori i këtij kompleti, Mustafë Krasniqi, i dhuroi SHMSH “Naim Frashri” në Austri, kryetares Miradije Berisha.

Në fund, Ukaj falënderoi anëtarët e kryesisë dhe mësimdhënësit e LAPSh-it, Entin social të Mynihut, që mbështeti këtë projekt financiarisht, sekretarin Z. Avdi Kulukaj, Osman Ademin për moderimin, përfaqësuesin e Fondacionit „Besa“ Rexhep Nikçin dhe në fund z. Halil Jashari që u përkujdes për muzikën dhe fotografinë.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat