Pushteti hedh poshtë amendamentet e opozitës

Maqedonia

Pushteti hedh poshtë amendamentet e opozitës

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 20:01
Foto

Një miliard denarë do të ndahen për subvencione për panelet fotovoltaike për amvisëritë për prodhimin e energjisë elektrike dhe për rritjen e subvencioneve për vendosjen e pajisjes me gaz nëpër makinat. Këto janë pjesë e amendamenteve të propozuara nga opozita për propozim-buxhetin për vitin 2022. Ministri i Financave Fatmir Besimi i hodhi poshtë amendamentet duke sqaruar se në programin e qeverisë për zhvillim të gjelbër, por edhe në disa ministri parashikohen fonde për subvencione të këtilla.

“Në pjesën e programit për zhvillim të gjelbër thuhet se Sekretariati i Përgjithshëm do të propozojë programe si institucion, në shumë norma të tjera të ngjashme buxhetore që realizohen nga shfrytëzuesit buxhetorë, ato programe miratohen pas miratimit të buxhetit në Kuvend. Para se të kemi buxhet të miratuar nuk mund të fillojë asnjë program sepse nuk kemi dokumente mbi bazën e të cilave do të përgatiten programet”, tha Fatmir Besimi- ministër i Financave.

Deputetët e OBRM-PDUKM-së kërkuan qasje në programin për zhvillim të gjelbër, sepse nga buxheti i propozuar nuk zbardhet se sa mjete janë planifikuar për subvencione të këtilla.

“Është pak mosmirënjohëse që ne të presim kështu se çfarë do të ketë në atë program të zhvillimit të gjelbër pas miratimit të buxhetit dhe ndërkohë të gjitha justifikimet tuaja pse nuk pranohen këto amendamente në aspektin e mjedisit bëhen me shpjegimin se kjo është paraparë në programin e zhvillimit të gjelbër. Na tregoni emrin e saktë të programit, shumat e sakta dhe pse, sepse këto amendamente janë dhënë në bazë të mungesës së qasjes në buxhet se çfarë do të thotë zhvillim i gjelbër”, theksoi Velika Stojkova Serafimovska- deputete e OBRM-PDUKM-së.

Deputetët në komision deri më tani kanë diskutuar dhjetë amendamente nga gjithsej 200 të dorëzuara. Debati do të zgjasë edhe dy ditë, pas së cilës teksti do t’i dorëzohet Qeverisë, e cila duhet të përfshijë amendamentet e pranuara. Pritjet janë që buxheti të miratohet deri më 10 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat