Ndryshon sërish buxheti, 3.5 miliardë lekë për pensionistët/ Qeveria bën gati fondin për bonusin e fundvitit për të moshuarit

Dec 8, 2021 | 13:06
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Merr udhë vendimi për dhënien e një bonusi prej pesë mijë lekësh si shpërblim në fund të vitit për të gjithë pensionistët.

pensionet

Qeveria ka futur sërish duart në buxhetin e vitit 2021, duke ndarë veç 3.5 miliardë lekë për qindra-mijëra pensionistë. Në aktin normativ publikuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka dhënë “OK” në mbledhjen e 3 dhjetorit për të rishpërndarë paratë në arkën e shtetit, duke përfshirë midis të tjerash edhe shumën që do të japë si bonus për të moshuarit.

Nga ky fond do të përfitojnë jo pak, por 683 mijë pensionistë, që këtë muaj, krahas vlerës së përmuajshme të pensionit, do të përfitojnë edhe pesë mijë lekë më shumë. Vendimi pritet të vuloset shumë shpejt në mbledhjen e qeverisë me detajet për ndarjen e bonusit, për t’ia nisur Institutit të Sigurimeve Shoqërore për zbatim, në bashkëpunim me Postën Shqiptare.

Ashtu si vitet e kaluara, pensionistët mund të marrin bonusin e fundvitit sipas një kalendari datash të caktuara. Ndërkohë që ata të cilët nuk arrijnë ta tërheqin në kohë për arsye nga më të ndryshmet, nuk penalizohen nga shuma të cilën mund ta tërheqin edhe në fillim të vitit të ardhshëm.

Lajmi i mirë është se kjo shumë do të jetë permanente edhe për së paku tri vitet e tjera të mandatit të kësaj qeverie. Dhe premtimi i qeverisë është që dhënia e bonusit të kthehet në politikë permanente deri në 2024-ën, ndërsa flitet edhe për një rritje të vazhdueshme vjetore mbi 5% për çdo pensionist.

Krahas bonusit, në vendimin e zbardhur një ditë më parë, për këtë kategori janë ndarë veç edhe 180 milionë për indeksimin e pensioneve. Ndërkohë që citohet se teprica midis të ardhurave dhe shpenzimeve sipas degëve dhe programeve të sigurimit shoqëror të detyrueshëm suplementar do të përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

pensionet1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura