Menaxhimi i mbeturinave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet në Kosovë, ku grumbullimi, transportimi dhe deponimi i tyre bëhet pa ndonjë klasifikim. Ky është konkluzioni kryesor i Raportit të Auditimit të Përformancës “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”, që sot është diskutuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” dhe “Pastërtia”, Komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Të gjitha këto institucione, sipas raportit të auditimit, kanë dështuar të krijojnë kushte për ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave.
Deputeti i LVV-së, Enver Haliti ka paraqitur të gjeturat e raportit të auditimit, ku tha se mungesa e monitorimit dhe inspektimeve të rregullta në të gjitha nivelet është tjetër shkaktar i gjendjes së krijuar me mbeturinat komerciale dhe mos klasifikimin e tyre.
Në bazë të raportit, ai tha se grumbullimi, transportimi dhe deponimi i mbeturinave nuk është duke i plotësuar kushtet e parapara për parandalimin e ndotjes së ambientit.
“Si konkluzion i përgjithshëm i këtij raporti është së në Kosovë operojnë një numër i madh i bizneseve të cilat gjenerojnë mbeturina të ndryshme. Grumbullimi, transportimi dhe deponimi i tyre bëhet pa ndonjë klasifikim adekuat. Mungesa e klasifikimit të mbeturinave ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve, se ato mund ta kontaminojnë tokën dhe ujin e pijshëm. Mos krijimi i të gjitha parakushteve të duhura të infrastrukturës, infrastrukturës jo adekuate dhe mungesa e hartimit të të gjitha politikave dhe udhëzuesve për menaxhimin e mbeturinave ka rezultuar me mos klasifikimin e duhur të mbeturinave komerciale, që për pasojë ka mos trajtimin e duhur të mbeturinave brenda deponive”, tha Haliti.
Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Linda Çavdarbasha u është përgjigjur të gjitha kritikave të anëtarëve të këtij komisioni lidhur me këtë raport.
Ajo tha se të gjitha të gjeturat e Raportit të Auditmit të Performancës do të trajtohen në kuadër të strategjisë për menaxhimin e integruar të mbeturinave që është miratuar së voni në ministri.
“Është strategjia për menaxhimin e integruar të mbeturinave viti 2021-2030 dhe gjithashtu plani i veprimit 2021-2023. Gjithçka që i përket mbeturinave është e paraparë në këtë strategji dhe është punuar për një kohë të gjatë në këtë strategji. Pjesa tjetër është ligji për mbeturina, është ndryshuar edhe ai, ka pasur plotësim-ndryshim tash vonë”, tha Çavdarbasha.