Gucati, Speciales: Një punëtor i ZPS-së ka pirë raki në zyrën time

Aktuale

Gucati, Speciales: Një punëtor i ZPS-së ka pirë raki në zyrën time

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 11:39
Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj

(E plotësuar 17:34) - ​Hysni Gucati përfundon dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Deklarata e tij me shkrim është pranuar nga trupi gjykues si provë materiale e mbrojtjes. Gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarit tjetër të mbrojtjes.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Gucati ka thënë se pasi ka parë paketën e parë me dokumente, që nga një person i panjohur kishte arritur në zyrat e organizatës, nuk ka qenë në dijeni se mund të ketë informacione konfidenciale.

Sipas tij, paketa e parë nuk ka pasur shënim për konfidencialitet.

Gucati: Pjesa dërmuese e dokumenteve në paketën e parë s’kanë qenë konfidenciale

“Çka kam parë unë, pjesa dërmuese mund të them nuk kanë qenë konfidenciale. Kjo është shumë reale, pjesa dërmuese e paketës nuk kanë qenë dhe kjo ka qenë arsyeja që unë nuk e kam vërejtur që shkruan konfidenciale. Kjo është shumë reale çka po them. Paketa e parë nuk ka pasur. Shumica mund të them kanë qenë jo konfidenciale, se në paketën e parë kanë qenë materiale të gjykimeve të kaluara”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë që krerët e OVL-UÇK-së kanë marrë vendim për thirrje të konferencave për shtyp dhe bërjes publike të ngjarjes meqë nuk i kanë besuar personit që po i linte dokumentet në organizatë dhe sipas tij i njëjti do të mund të fajësonte OVL-UÇK.

Gucati: Kemi vendosur të thërrasim konferencë sepse kemi menduar që dikush do të na vë në lajthitje

“Ne nuk i kemi besuar atij personi, ai ka mundur edhe të fotografojë edhe të shkruajë në një Facebook të rrejshëm dhe të thotë se unë kam dërguar dokumentacione në organizatë dhe ne të na lë fajin. Kjo ka qenë arsyeja gjithmonë pse ne e kemi bërë atë informim përmes mediave. Kjo ka qenë arsyeja jonë. Besoj ka qenë një arsye shumë e fortë, për arsye se te ne është krijuar një pabesi dhe ne kemi menduar që është dikush t’u na qit në lajthitje neve dhe mund të na merr edhe në qafë. Kjo ka qenë arsye pse e kemi bërë këtë, duke menduar që zotëria do të fotografojë vendin dhe do të thotë se unë kam çuar dokumente këtu, dhe kjo ka qenë arsyeja pse jemi ngut dhe kemi bërë këtë shumë shpejtë që të jetë i informuar opinioni”, ka thënë ish-kreu i OVL-UÇK.

Vendimin për të thirrur konferencën ka thënë ta ketë marrë me Nasim Haradinajn, Faton Klinkun e anëtarë të tjerë të kryesisë së ngushtë të OVL-UÇK.

Gucati ka përsëritur qëndrimin e tij kundër Gjykatës Speciale duke thënë se e njëjta do të duhej të punonte për zbulimin e të gjitha krimeve në Kosovë dhe jo të vepronte kundër shqiptarëve.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, trupi gjykues në krye me Charles Smith III ka urdhëruar mbrojtjen që brenda datës 17 dhjetor 2021 të nxjerrë versionin publik të redaktuar të deklaratës së Gucatit.

Smith: Trupi gjykues e pranon deklaratën me shkrim në prova materiale

“Trupi gjykues e pranon deklaratën me shkrim në prova, të zotëri Gucatit, në dhënien e dëshmisë sipas rregullës 154 të rregullores. Mbrojtja e zotëri Gucatit urdhërohet që të nxjerrë brenda datës 17 dhjetor 2021 një version publik të redaktuar të deklaratës duke hequr emrat e paragrafit 36”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Gjyqi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarit 1241 pas së cilit pritet të dëgjohen edhe pesë dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nuk ka pse të kërkojë falje për veprimet e tij lidhur me dokumentet që, nga një person i panjohur, kishin arritur në organizatë vitin e kaluar.

Kjo sipas tij meqë ai nuk i ka vjedhur dokumentet dhe nuk ka lexuar e as publikuar emrin dhe deklaratën e ndonjë dëshmitari që ishte pjesë e paketës me dokumente.

Derisa prokurorja Valeria Bolici e ka pyetur Gucatin nëse është penduar për veprimet si pasojë e së cilave është akuzuar dhe po gjykohet, Gucati ka thënë se nuk ka ndonjë arsye për të kërkuar falje.

“Deri në ditën e sotme, 54 vjet e mija që kam, dhe mbi 30 vite që punoj nuk e di që jam penduar për ndonjë punë. Pendohem aty ku gaboj me qëllim, kërkoj falje, aty ku unë e di që nuk kam bërë gabim, nuk kam nevojë të kërkoj falje sepse këto dokumentacione nuk i kam vjedhur dhe nuk i kam pru në Organizatën e Veteranëve të Luftës. Po t’i kisha vjedhur këto dokumentacione publikisht do të kërkoja falje për hajninë që kam bërë, hajni nuk kam bërë dhe unë nuk kam fyer asnjë njëri, asnjë dëshmitar, asnjë deklaratë nuk e kam lexuar kështu që nuk kam arsye të kërkoj falje përderisa unë nuk kam vjedhur dhe nuk kam thyer askënd shpirtërisht”, ka thënë Gucati para trupit gjykues.

Gucati i ka thënë Prokurorisë që mos t’i provokojnë me dokumente të tilla kur prokurorja Bolici e ka pyetur nëse do të vepronte njëjtë përsëri.

“Unë nuk jam gardian i askujt, i asnjë institucioni në vendin tim së pari, por as në Hagë këtu në Holandë. Unë i ruaj zyrat e mija ku punoj, jam garidan i asaj pune ku jam i thirrur. Kështu që ju kisha bërë lutje mos na provokoni me dokumentacione”, ka thënë Gucati.

Me këtë kanë përfunduar pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar ndërsa i akuzuari Hysni Gucati nga banka e dëshmitarit po vazhdon t’u përgjigjet pyetjeve të turpit gjykues.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës

***

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se një hetues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar u ka thënë zyrtarëve të organizatës së mund t’i mbajnë dokumentet edhe për një muaj, në ditën kur hetuesit kishin shkuar në zyrat e OVL-UÇK për t’i konfiskuar ato. Në ditën e tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Gucati ka thënë se mbi dosjet të cilat kishin arritur në OVL-UÇK ishte e vendosur një letër në të cilën bëhej e ditur se do të vinin edhe shtatë mijë dokumente të tjera.

I akuzuari Hysni Gucati ka thënë se një hetues i ZPS-së i cili e fliste gjuhën shqipe kishte shkuar në zyrat e organizatës dhe u kishte thënë se duhet t’i marrin dokumentet, por fillimisht Gucati ka thënë se hetuesi i ka fotografuar ato dhe ka konfirmuar se janë të Speciales.

Gucati, derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, ka deklaruar t’i ketë thënë hetuesit se dorëzimin e tyre duan ta bëjnë në praninë e Policisë së Kosovës por sipas tij ai i ka thënë se edhe një muaj mund të qëndrojnë dokumentet në organizatë dhe policia nuk shkon të bëhet dëshmitar në pranim-dorëzim.

Gucati: Një hetues i ZPS-së ka pirë raki në zyrën time

“Nëse ke qenë ti aty ashtu është siç thua ti, por unë po them që ti nuk ke qenë aty fare çka kemi biseduar ne. Zotëria më ka thënë ‘edhe një muaj ditë mund t’i mbani dokumentacionet, Policia e Kosovës nuk vjen’, dhe ne kemi rënë dakord bashkë me Tomë Gashin dhe inspektorin që fliste shqip dhe ja kemi dhënë shumë me mirësi, ka pirë edhe kafe në zyrën time, do ta tregoj edhe një sekret atëherë, ka pirë edhe raki njëri prej tyre në vendin e punës, ka pirë edhe raki në zyrën time një punëtor i juaji. Kjo është reale çka po them, nuk gënjej asnjë fjalë, nuk kam arsye të gënjej se nuk kam lind me gënjeshtra, nuk jetoj me gënjeshtra, nuk kam ardhur në burg me gënjeshtra”, ka thënë Gucati.

Ish-kryetari i OVL-UÇK ka thënë se në momentin e hapjes së paketës që në organizatë kishte arritur nga një person i panjohur, kanë qenë të pranishëm ai, Nasim Haradinaj e zyrtarë të tjerë të organizatës.

Letrën me numrin “7000” Gucati ka thënë se e ka hedhur pa qenë i vetëdijshëm për ndonjë rëndësi që mund të ketë në të ardhmen si dëshmi.

Gucati: Sipër dokumenteve kishte një letër të cilën e kam hedhur

“Atë letër e konsiderova të pavlerë fare, një shkrim një shtatë dhe tre zero, asgjë më shumë, kjo është krejt çka ka shkruar në atë shkrim, nuk kam nevojë të gënjej e kam gjuajtur në koshin e plehrave, nëse doni të zgjasni këtë pyetje sa të doni rrimë këtu para trupit gjykues… Do të vdes me zhig me u zbulu se kush i ka pru ato dokumentacione, do të vdes me atë që nuk mund të zbulohet kush i ka pru ato dokumente. Të kisha ditë që letra çon peshë, qysh mendoni, një numër 7 dhe tre zero, nuk e kisha humb përjetë, do ta kisha pru këtu, kjo është e gjitha që po ju them”, ka thënë Gucati.

Prokurorja Bolici e ka pyetur Gucatin rreth deklarimeve të Nasim Haradinajt në konferenca për shtyp dhe emisione televizive, nëse ai pajtohet me ato çka janë thënë nga Haradinaj.

Lidhur me këtë, Gucati ka thënë se Nasim Haradinaj nuk ka përmendur emra apo deklarata të dëshmitarëve duke shtuar se i njëjti nuk ka gabuar në deklarimet e tij.

Gucati: Nasim Haradinaj nuk ka përmendur emra apo deklarata të dëshmitarëve

“Kjo është e saktë sa kemi të drejtë me lexu, keni të drejtë apo mundeni, unë nuk jam gjuhëtar por gjuhën shqipe e kuptoj dhe e di. Nuk dua ta mbroj Nasimin të jeni të bindur, se secili e mban barrën për vete, edhe Hysniu edhe Nasimi se nuk jemi të vogël por nuk dua ta mbroj Nasim Haradinajn por besoj që Nasim Haradinaj përderisa nuk ka përmend emër dhe deklaratë dhe ju tërhiqet vërejtja mediave që mos të bëni publike ashtu unë mendoj, por tek e fundit jemi të dytë në një bankë të të akuzuarit, kështu që unë mendoj që Nasimi nuk ka bërë vepër, unë mendoj ashtu”, ka thënë Gucati.

Gucati ka thënë se dokumentet e arritura në organizatë i kanë vendosur në tavolinë gjatë konferencave për shtyp por nuk i kanë shpërndarë ato dhe sipas tij kanë bërë thirrje që mos të publikohen emrat e dëshmitarëve.

Gucati: Dokumentet janë dërguar në OVL-UÇK për qëllime të caktuara

“Ne i kemi lënë në tavolinë, ne vetëm kemi treguar kanë dalë disa dokumente nga Gjykata Speciale që për ne ka qenë një befasi, të dalin ato dokumente nga zyrat e juaja më përpara, tek ne thotë një fjalë e urtë popullore ‘e kisha mendu vdekjen sesa të dalin dokumentacionet nga ju’, kjo është fjalë popullore që përdoret tek ne, edhe unë po ju them më përpara kisha mendu të vdes pesë herë sesa të dalin këto dokumente të juaja dhe të na vijnë në zyrat tona. Këtë kush e ka bërë me qëllime të caktuara, apo pa qëllime, për me na qit neve në lajthitje ju e dini më mirë se ne”, ka thënë Gucati.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë, Hysni Gucati ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer vrasje ndaj qytetarëve serbë apo komuniteteve të tjera në Kosovë.

Gucati ka thënë se asnjëherë nuk ka kërcënuar ndonjë dëshmitarë përmes paraqitjeve publike apo ndonjë forme tjetër.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati vazhdon dëshminë e tij për ditën e tretë me radhë, përgjigjet në pyetjet e ZPS-së

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, me dëshminë e Hysni Gucatit. Ai po përgjigjet në pyetjet e prokurores Valeria Bolici e cila po vazhdon të ngrejë çështjet që lidhen me gjykimet e kaluara të ish-pjesëtarëve të UÇK dhe sipas saj frikësimin e dëshmitarëve në të kaluarën në Kosovë. Lidhur me këto, i akuzuari Hysni Gucati ka thënë se nuk ka njohuri.

Prokurorja i ka prezantuar Gucatit dokumente që lidhen me gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së por të njëjtat nuk janë bërë publike dhe nuk është lejuar që të përmenden emra.

Gucati: E di që ka pasur gjykime ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së por nuk e di çfarë vendime janë marrë

“Këtë dokument që ma ke qit përpara po më vjen shumë keq unë dje të tregova po mi përkujton vitet e mija pas luftës vitet më të vështira të jetës sime që kam pasur, ky vit 2006, korrik 2005, nëntor 2008, vitet më të vështira kanë qenë në jetën time, problemin që e kam pasur me vajzën që më ka vdek periudha e 2006-ës, shëndeti im, që ka qenë në pyetje jeta ime, kështu që me këto vendime e di që ka pasur gjykime ndaj pjesëtarëve të UÇK-së por çfarë vendime janë marrë nuk e di se kam qenë me probleme të mija që thash. Kështu që më vjen shumë keq që mi përkujton këto vite ti mua por nuk është problem, të jetë në ndërgjegjen tuaj”, ka thënë ai.

Prokurorja Bolici ka paraqitur disa shkrime të Gucatit në faqen e tij të ‘facebook dhe intervista të cilat i ka dhënë më herët në mediat në Kosovë që sipas saj lidhen me dëshmitarët.

Gucati: Ata që kanë protestuar kundër NATO-s janë armiq të kombit tim

“Ata të cilët protestonin në Kosovë në vitin ‘99 kur NATO bombardonte caqet serbe për t’i shpëtuar shqiptarët, ata janë armiq të vendit tim dhe kombit tim”, ka thënë ai.

Ndërsa prokurorja e ka pyetur nëse deklarimet e tij të mëparshme nënkuptojnë që të gjithë dëshmitarët kundër ish-pjesëtarëve të UÇK janë bashkëpunëtorë të serbëve, Gucati ka mohuar të ketë thënë diçka të tillë.

Bolici-Gucatit: A keni thënë se dëshmitarët kundër pjesëtarëve të UÇK-së janë të gjithë bashkautorë të serbëve?

“Po thoni që të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar kundër anëtarëve të UÇK-së janë bashkëpunëtorë të serbëve”, ka thënë prokurorja Bolici.

Kur prokurorja e ka pyetur nëse ka dëshmitarë të vrarë pasi të njëjtit kanë dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së ai ka kërkuar që fjalët e tij mos të nxjerrën nga konteksti por shkrimet e mëhershëm të lexohen të plota.

Gucati: Prokuroria mos t’i nxjerrë nga konteksti fjalët që i kam thënë më herët

“Ku kam përmend që të gjithë shqiptarët janë kundër, ma gjeni një fakt apo një argument që unë pasna thënë të gjithë, ku dy milionë shqiptarë jetojmë ne në Kosovë apo serb, rom, turq, e të gjithë, nuk është e vërtetë, nuk është në jetën time kjo...Mos nxjerrni fjalë në konteksti çfarë juve ju duhen, lexoni komplet, nëse doni atëherë ju kisha lutë gjyqtarë të nderuar të lexohet teksti deri në fund. Nuk është e vërtetë që kam thënë unë që dëshmitarët që kanë qenë kundër UÇK-së janë vra. Unë i bëj thirrje personit në fjalë nëse di një rast të jetë burrë mos të ketë frikë të dëshmojë, ”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se çdo vrasje që ka ndodhur duhet të zbulohet por sipas tij diçka e tillë nuk duhet të bëhet me padrejtësi dhe shantazhe.

Kjo është dita e tretë me radhë që Gucati flet nga banka e dëshmitarit, pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë.

Ai dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale në Hagë.

Zyrtari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ëshë acaruar ndaj panelit të pranishëm në këtë seancë, lidhur me rrjedhjen e dokumentacioneve, njofton Klankosova.tv.

”Më përpara kisha mendu të vdes pesë herë, sesa të dalin këto dokumentacione tuaja, e të vinë në zyre tona. Këto kush i ka bo për me na qit neve në lajthitje, e dini më mirë se ne. Unë kam qenë aty, dhe kam thirr konferencën por nuk kam shpërnda. Nëse kanë ardhë në Prishtinë nga Holanda, atëherë shpërndarja ka ndodhë nga ju, jo nga ne”

”Nuk iu kemi thënë merrni, por ua kemi lënë në tavolinë ‘’ja ku i keni’’, askënd s’e kam detyru asnjë gazetari s’i kam thënë merrni. Pas konferencës së parë e kemi marrë Tomë Gashin avokat”.

Mes tjerash Gucati ka mohuar se në intervistat e dhëna të Nasim Haradinajt, është thënë diçka kundër tyre.

”Nasimi nuk është në moshën 15 vjeçare, ai nuk është fëmijë. Nasimi ka dhënë intervista të shumta, edhe unë gjithashtu. Është mirë të na jepni datat në cilin vend, në cilin television apo portal. Është mirë të na përkujtoni, të na tregoni. Unë po kuptoj por s’mund të flas përmendësh, se mund të gaboj. Por, me sa e di, nuk kam dëgju, aty sa kam mund me përcjellë. Unë nuk kam kohë të ndjek para ekranit televiziv të gjitha debatet”.

Live: Fillon gjykimi i Gucatit dhe Haradinajt

Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka filluar.

Kjo seancë filloi pasi gjatë ditës së djeshme e njejta u ndërpre për shkaqe teknike.

Gjatë ditës së djeshme Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, ndërsa Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus.

Kujtojmë që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat