Komisioni i Integrimit/ Mimi Kodheli kërkesë Ministrisë së Financave: Sa borxhe janë marrë për pandeminë! Deputetja e PD: Qeveria po i merr pasi buxheti shkoi për PPP

Dec 8, 2021 | 15:55
SHPËRNDAJE

Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, i ka kërkuar informacione Ministrisë së Financave mbi kreditë e marra nga qeveria gjatë këtyre dy viteve për pandeminë. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit, që u rikthye “online”, Kodheli kërkoi nga zëvendësministrja Dela Xhemali një listë të detajuar të të gjithë huave të marra për përballimin e pandemisë.

mimi kodheli r4

“Do ju kërkoj të sillni pranë Komisionit një informacion ku të jenë të listuara të gjitha huatë dhe grantet e marra për pandeminë”, ishte kërkesa e deputetes Kodheli, e cila erdhi pas pyetjes së kreut të PDIUsë, Shpëtim Idrizi, bëri për numrin e saktë të borxheve të marra vetëm për pandeminë.

Idrizi pyeti zëvendësministren Xhemali se: “Sa grante dhe kredi ka marrë qeveria shqiptare në mbështetje të Pandemisë?”. Në përgjigjen e saj zëvendësministrja e Financave renditi disa prej këtyre borxheve apo granteve, por nuk kishte një listë të plotë të tyre. “Duke qenë që pandemia ka qenë një nga prioritet e buxheteve të 2021 dhe 2022 është siguruar që të gjitha shpenzimet të financohen.

Ndërkohë në paralel kanë qenë edhe grante dhe kredi të buta dhe mbështetje buxhetore për financat publike në mënyrë që të sigurohet financimi i këtyre shpenzimeve. Shqipëria ka marrë 15 milionë euro, Komisioni Europian ka dhënë 4 milionë euro për pajisje të ndryshme menjëherë, 11 milionë euro për vaksinat. KE-ja ka dhënë 10 milionë euro kredi. Për mbështetje buxhetore për të mbështetur financat publike që po financojnë shpenzime ekstra për pandeminë dhe ne kemi marrë 60 milionë euro. Për të përballuar krizën dhe rënin e të ardhurave që ka shkaktuar pandemia”, tha Xhemali.

Sipas qeverisë, kjo kredi do të shkojë për pajisje, barna dhe marrja e stafit shtesë apo pagesat jashtë orarit dhe afatit për shlyerjen e saj është 15 vite. Kredia për mbështetjen e pandemisë ishte temë debati edhe në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Për deputeten e PD-së, Ilda Dhori, kërkesa për marrjen e 60 milionë eurove kredi, vjen pasi qeveria i ka shpenzuar paratë për PPP-të dhe jo përballimin e pandemisë. “Jemi duke marrë borxh për shërbimet bazike të shëndetësisë që duhet të ishte prioriteti kryesor i buxhetit të shtetit. Po buxheti që sapo miratuam ruan prioritetin e koncesioneve dhe PPP-ve në raport me rimbursimin e barnave anti-COVID dhe mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve.

370 milionë euro janë parashikuar të paguhen për 4 koncesionet në shëndetësie. ‘Chek up’, hemodializë, sterilizim dhe laboratorë, një shifër e rritur me 91 milionë euro krahasuar me parashikimet në 2018, e justifikuar me gabime në përllogaritjen e kostos fillestare. Ne jemi skeptik për mënyrën se si do menaxhohet ky borxh nisur nga këto praktika”, tha Dhori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura