Pranë “divorcit” me klubin turk, Partizanit i hapet rruga për Çinarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 11:33

Pranë “divorcit” me klubin turk, Partizanit i hapet rruga për Çinarin

Partizani ende nuk ka e ka mbyllur merkaton dhe vazhdon të jetë në kërkim të një lojtari, që të mund të bëhet pikë referimi në majë të sulmit.

Cinari Erald

Ditët e fundit të kuqtë kanë qenë në tratativa të avancuara me serbin Milan Mirosavljev, por në listën e tyre hyn menjëherë edhe Erald Çinari.

Nga Turqia, portali “Samsun Haber” bën me dije se klubi i Samsunspor ka gjetur marrëveshjen me ish-sulmuesin e Vllaznisë dhe “demave” për mbylljen e kontratës në mënyrë konsensuale.

Sulmuesi nga Shkodra u transferua në Turqi në verë, pasi mbylli kontratën me Partizanin dhe doli lojtar i lirë.

Ai firmosi për tri vite me Samsunspor, por nuk mundi të lërë gjurmë, edhe për shkak të problemeve familjare, që e shkëputën për disa kohë nga futbolli dhe e lanë larg skuadrës.

Ai ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhuruar një asist në 12 ndeshje me Samsunspor në këtë sezon, shumë pak për ta bindur klubin ta mbajë.

Në fakt, ky largim nuk vjen vetëm prej formës së dobët të Çinarit, por edhe për shkak të numrit madh të të huajve në skuadrën e Ligës së Parë turke, ku çdo ekipi i lejohen 5 lojtarë me kombësi tjetër.

Me largimin e Çinarit, ata kanë mundësi të përforcohen me një tjetër lojtar të huaj, të cilin e shohin më të vlefshëm se shkodrani.

Këto zhvillime e rikthejnë sulmuesin në orbitën e Partizanit, që dëshpërimisht po kërkon të firmosë me një goleador.

Vetë Çinari në të shkuarën është shprehur për gazetën se kthehet në Shqipëri vetëm në rast se ndodh diçka e papritur.

Për momentin ai me siguri do të shohë për shanse të tjerë jashtë vendit, por merkatoja mbyllet për dy ditë dhe nuk ka kohë.

Nga ana tjetër, Partizani ka ndërruar mendje për të dhe ndryshe nga sa thuhej në nisje të merkatos, klubi është i gatshëm ta mirëpresë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"