“Ndeshje decizive, përballen më të mirat e kampionatit”, Beqiri: Thyejmë Erzenin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 9:44

“Ndeshje decizive, përballen më të mirat e kampionatit”, Beqiri: Thyejmë Erzenin!

Bylisi përforcohet para Erzenit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë emër të ri në fakt, por Abubakar Kamara. Kishte ditë që stërvitej me ekipin, por as nuk po firmoste e as po prezantohej. E megjithatë, dilemat kanë marrë fund dje. Sulmuesi vjen si lojtar i lirë nga Partizani, ndonëse u tha fillimisht se mund të huazohej. Pasi ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare, ai bëhet afrimi numër 4 në këtë merkato. Jeton Beqiri ka një skuadër edhe më të kompletuar tashmë dhe kjo e gëzon. Kur na ndajnë pak orë nga përballja me shijakasit, ai i ka idetë të qarta: do fitoren dhe arratinë. Nuk preferon që të komplikojë rrugëtimin e ballshiotëve, ndaj i kërkon një sforco edhe ekipit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon edhe kundërshtarin, të cilin e konsideron të fortë.

JETON BEQIRI

Luani me Erzenin, a është kjo një finale e parakohshme?

Mund të quhet “derbi”, derisa përballen dy ekipet më të mira të kampionatit. Për vetë rëndësinë që ka kjo sfidë, ne si ekip i kemi marrë masat. Direkt pasi mbyllëm Besëlidhjen, zhvendosem vëmendjen tek Erzeni. Luajmë në shtëpi dhe kjo shihet si “bonus”. E megjithatë, në futboll duhet gjithnjë vigjilencë.

A e njihni më mirë tani kundërshtarin?

Patjetër që po. Edhe në fazën e parë, kisha informacionin e duhur për të orientuar skuadrën në fushën e lojës. Por, tashmë i njoh më mirë.

Në fazën e parë ishit ju që dolët fitimtarë. Sa ju favorizon ky fakt?

Erzenin e respektojmë. Fakti që i mundëm në fushën e tyre, më shumë shton obligimin ndaj nesh. Nesër (sot) na mbetet për detyrë që të fitojmë. Në shtëpi nuk mund të falim dhe sidomos para tifozëve.

Tifozët po mundohen që të “ndezin” atmosferën. A do t’jua bëjë më të lehtë prania e publikut?

Mbaj mend kur kam qenë në Shqipëri, Bylisi ka pasur tifozëri shumë të zjarrtë. Prania e tyre është aleati më i mirë për ekipin. Tashmë edhe ata e kanë kuptuar se ne kemi skuadrën më të mirë, por që meriton më shumë mbështetje. Prandaj, ne nesër (sot) e kemi një obligim dyfish për ta fituar ndeshjen edhe për faktin se presim që të kemi më shumë tifozë në stadium.

Si është gjendja në skuadër para ndeshjes?

Në përgjithësi ka qenë e mirë. Kemi punuar me grup të plotë dhe vlerësuar sfidën për aq sa e meriton. Besoj se këta komponentë do të ndikojnë shumë për ta kaluar me sukses këtë pengesë.

Një fitore ju shkëput me 8 pikë. Sa përcaktuese është kjo ndeshje për kreun e Kategorisë së Parë?

Decizive është, por ama që vlen po aq pikë sa të tjerat. Duhet që të fitojmë këtë dhe çdo ndeshje që ne kemi përpara, në mënyrë që të ecim të qetë drejt objektivit final, ky është qëllimi im dhe i skuadrës apo klubit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"