“Do të jetë shumë e vështirë, por ky grup më jep shpresë”, Dede: I afrohemi kreut, marrim pikë në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 9:49

“Do të jetë shumë e vështirë, por ky grup më jep shpresë”, Dede: I afrohemi kreut, marrim pikë në Ballsh

Erzeni lakmon kreun. Edhe pse barazimi me Apoloninë i largoi me 5 pikë nga vendi i parë, në Shijak nuk janë dorëzuar. Që të mbeten ende në lojë, duhet fillimisht të ndalin Bylisin. Shansin e kanë që sot në “Adush Muça”, atje ku do të luajnë një finale të parakohshme.

NEVIL DEDE

Humbja është kategorikisht e ndaluar për shijakasit, pasi do t’u jepnin mundësi ballshiotëve që të merrnin arratinë. Këtë e ka të qartë edhe vetë Nevil Dede, i cili e parashikon “malore” këtë transfertë.

Me gjithë vështirësinë që i pret, trajneri beson se do t’ia dalin. Tiranasi i ka marrë që të gjitha masat për këtë 90-minutësh dhe prerazi e thotë që nuk do të largohet duarbosh nga Ballshi. Këtë e pohon edhe gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”:

“Është një ndeshje delikate. Derisa përballet vendi i parë me të dytin, vështirësia dihet. Për ne disi më shumë, pasi e luajmë në transfertë. E megjithatë, jemi gati.

E dimë se çfarë duam dhe kjo na e bën më të lehtë gjithçka. Prej ditësh jemi përgatitur dhe jemi munduar që të marrim masat e duhura për ta përballuar me sukses këtë 90-minutësh.

Pavarësisht motit të ftohtë që na ka penguar, seancat tona në Pezë-Helmës kanë shkuar mirë. Grupi është më i karikuar se kurrë dhe mbi të gjitha të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj sfide.

Jam i sigurt që do të zbresin në fushë dhe do të japin maksimumin. Nëse kjo ndodh, atëherë do ia dalim. Serioziteti dhe angazhimi që kanë shfaqur gjatë kësaj jave në stërvitje, më jep shpresë. Secila skuadër nesër (sot) ka synimet e veta. Nëse Bylisi kërkon të thellojë avantazhin e pikëve karshi nesh, ne do të tentojmë që t’i afrohemi më shumë.

Luhet për vendin e parë dhe ne me këtë qëllim udhëtojmë në Ballsh, që të shkurtojmë diferencat dhe afrohemi. Parashikoj një ndeshje të fortë, të luftuar dhe të bukur.

Skuadra ime do të dijë ta mbyllë me dinjitet këtë transfertë dhe, pse jo, të dalë pa pikë. I kemi që të gjitha kapacitetet për ta realizuar këtë.

Dihet që ne lakmojmë ngjitjen në Kategorinë Superiore, ndaj do bëjmë çmos që të tregojmë veten edhe nesër (sot)”, përfundoi tekniku i shijakasve.

Sakaq, ekipi dje u dha fund përgatitjeve me një seancë paradite dhe më pas mori rrugën drejt Ballshit, ku edhe u grumbullua.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"