Lajme

Mazreku: Me 15 qershor një delegacion i Kartonit të Gjelbër do ta vizitojë Kosovën

05/19/2022 08:39
nga:G B

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) Sami Mazreku, ka bërë të ditur se me 15 qershor një delegacion apo përfaqësuesit më të lartë të Kartonit të Gjelbër e kanë konfirmuar vizitën në BKS dhe me 16 qershor do të vazhdojnë pjesëmarrjen në konferencën për shënimin e 11-të vjetorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, ai foli edhe për shumën e pagesës për periudhën tre mujore që BKS-ja ka bërë ndaj palëve të dëmtuara, numrin e automjeteve të paregjistruara dhe të pasiguruara, si marrëveshjet me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Nëse flasim në numër, janë 1675 dëme apo kërkesa që janë paguar, e kthyer në vlerë afërsisht janë  2.7 milionë euro, e që shuma është shumë më e madhe krahasuar me çdo vit tjetër. Ju e dini që e kam thënë në intervista tjera që prioritet i yni, përveç tjerave është edhe trajtimi dhe pagesa në kohë e dëmeve, këtë trend do ta vazhdojmë edhe gjatë vitit.

E keni parë edhe një publikim më herët që është bërë muaji i pesëmbëdhjetë si drejtor ekzekutiv, mirëpo janë mbyllur më shumë se 9115 dosje, që të gjitha këto vetëm me i lexu është problem, e lëre më me i trajtu, konfirmu dhe pagu. Mirëpo, angazhimi i stafit në koordinim me planin dinamik të menaxhimit që është aprovuar në asamble, është përshtatur në një kohë shumë të shkurtër, për çka kjo punë kaq e madhe është e përbashkët edhe me menaxherët e dëmeve dhe të drejtorët e departamenteve tjera, që e kanë kuptuar misionin dhe qëllimin tonë që prioritet është edhe pagesa e dëmeve në kohë”, tha Mazreku.

Ai bëri të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, gjatë këtij viti janë shënuar 200 aksidente më pak.

“Këtu e kisha bërë një krahasim interesant, duke dashur ta lidhi edhe më një temë tjetër që ka qenë aktuale. Ju e dini që është bërë shumë zhurmë sa i përket punës së stikerave, po fillon në vitin 2016-2017-të, mirëpo deri në vitin 2021 nuk ka filluar si projekt. Duke e parë që në njërën anë dështoi për arsye të tjera, ne si Byro, normal me aprovimin e aksionarëve të Kompanive të Sigurimit që janë kompani private, me përkrahjen e madhe edhe të Bankës Qendrore, e kemi marrë përsipër që të vendosim stikerat”.

“E keni parë që më herët është publiku, por çfarë është interesante pavarësisht që ka kaluar një kohë shumë e shkurtër, më pak se dy muaj e gjysmë që ka filluar të aplikohet. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar që më pyetët, kemi 200 kërkesa apo 200 aksidente më pak që kanë ndodhur, ku shkaktari ka qenë pa sigurim dhe pa regjistrim. Duke e parë këtë trend pozitiv, na besojmë që përveç që e plotësojmë një kriter për temën e cila është shumë aktuale, po ashtu në Kosovë, në anën tjetër normalisht që kjo ndikon edhe në uljen e dëmit që i shkaktohet kompanive të sigurimit, për shkak se ju e dini që Fondi i Kompensimit në BKS, financohet direkt nga Kompanitë e Sigurimeve. 200 dëme më pak për tre muaj, mirëpo të shohim se sot një vit, pasi të kalojë viti 12 mujor, cikli 12 mujor, të shohim sa është impakti total për arsye se ju e dini që Policia deri më 15 mars nuk ka pasur ndonjë formë se qysh me i dallu veturat në trafik pa regjistrim dhe sigurim, pa u vendosur stikerat, sepse s’ka pas elemente tjera. Tash do t’i ndihmojë policisë shumë, sepse unë besoj që kjo ka me ndiku tej mase me u ulë ky numër, normal që kjo e rritë edhe sigurinë në qarkullim”.

Mazreku është shprehur optimist se vendosja e këtyre stikerëve do të ndikojë në uljen e aksidenteve.

“Edhe pse është shumë herët janë frutat e para që unë mendoj që deri në fund ose deri me 15 mars të vitit të ardhshëm impakti ka më qenë shumë më i madh, sepse normal edhe Policia e ka shumë më të lehtë dhe është lehtësim për ta, por në anën tjetër kthehet edhe në pozitivitet, kur ne pretendojmë se kemi më pagu dëme më pak, por në anën tjetër rritët siguria për çka lidhet edhe me proceset tjera që Byroja aspiron me qenë pjesë, anëtare atje ku e ka vendin”, tha Mazreku.

“Për një kohë shumë të shpejtë e keni parë që edhe në kohë shumë të shkurtër e kemi përfunduar një marrëveshje me Malin e Zi, është përmend 20 vite, po bëhet në këtë muaj, po bëhet në atë muaj. Me 1 korrik 2022 bëhet një vit që nga implementimi i këtij vendimi, ai vendim është se ka pasur interesim mos ka qenë marrëveshja që vlen vetëm verës, jo,  ajo marrëveshje është e përhershme deri në atë moment që ne si dy Byro nuk i trajtojmë dhe paguajmë dëmet në kohë reale.

Mirëpo, edhe te kjo pjesë ne kemi vendosur një fond garantues në mes të dy vendeve që ato kompani që nuk i paguajnë dëmet në kohë, është një fond garantues që e siguron marrëveshjen. Çka po dua të them me këtë është që edhe me Shqipërinë e kemi një marrëveshje që është e vitit 2006-të dhe e kemi afruar shumë, presim që në javët në vazhdim ta nënshkruajmë një marrëveshje të re e cila për neve si Byro do të thotë shumë, për shkak se në një kohë shumë të shkurtër e kemi mbyll marrëveshjen me Malin e Zi, i kemi paguar dëmet në kohë, e kemi ristrukturuar Byronë, po nënshkruajmë marrëveshje me Shqipërinë, kemi vendos stikerat që i bie se si Byro nuk kemi më çka bëjmë më shumë, përveç se të ulemi dhe të shikojmë një plan strategjik afatshkurtër se me cilin shtet mundem ta bëjmë një marrëveshje, për shkak se nëse themi se kemi me apliku direkt në Kartonin e Gjelbër ju e dini që është një problem politik që nuk varet prej neve”, tha ai.

Ai po ashtu ka thënë se pret nga Ministria e Punëve të Brendshme që ta pastrojë data bazën e automjeteve të paregjistruara, për çka tha se numri do të bien në 75 mijë nga 200 mijë sa është tani.

“Këto barriera sigurisht që mund të kalohen, mirëpo ka qenë e palogjikshme për ne si menaxhment edhe në diskutimet që i kemi pas edhe me Bankën Qendrore se nuk është mirë ne me shku me Slloveninë me bë një marrëveshje për shembull, përderisa ne me Shqipërinë kemi marrëveshje të pazgjidhura, mirëpo jemi fokusuar edhe jemi angazhuar që brenda shtatë muajve mbi një milion euro dëme, kemi nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë ku janë duke i paguar ndaj Byrosë dhe kjo i ka mbyllur problemet e vjetra, që i bie se jemi në një situatë shumë të favorshme dhe çka po presim ne është që edhe Ministria e Punëve të Brendshme ta bëjë një pastrim të data bazës sepse 210 mijë vetura edhe ne pajtohemi që nuk janë në trafik, mirëpo përderisa janë shifra zyrtare edhe neve na privojnë. Presim që edhe në këtë drejtim, muajin e ardhshme të ndryshojnë numrat, mos me qenë 210 mijë, por me qenë rreth 75 minë vetura të pa regjistruara”.

Mazreku në këtë intervistë për Ekonomia Online bëri të ditur se me 15 qershor përfaqësuesit më të lartë të Kartonit të Gjelbër do ta vizitojnë BKS-në.

“Edhe si lajm tjetër që lidhet më të njëjtën temë është se pas 9 viteve bllokadë ta quaj më në fund, edhe delegacioni ose përfaqësuesit më të lartë të Kartonit të Gjelbër e kanë konfirmuar vizitën në BKS me 15 qershor, po e them për herë të parë sot e që do të vazhdojë edhe me 16 qershor, konferencë për 11 vjetorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ku nga vet Byroja e Këshillit të Byrove do të thuhet se ku jemi, ku kemi qenë, çka kemi bërë për këto vite dhe çka duhet të bëjmë ne tutje, që të bëhet zgjidhje sa  i përket Kartonit të Gjelbër. Kjo është shumë për ne sepse e thashë që për 15 muaj janë bërë të gjitha këto punë, sot kemi komplet një pozicion tjetër në raport edhe me institucionet publike dhe private, kemi tërhequr vëmendjen institucionale, e dini që në disa raste jemi bërë edhe partner i Qeverisë, qoftë me vendosjen e targave të përkohshme në kufi atje, qoftë me forma tjera. Mirëpo, është komplet një situatë që besoj se edhe nga Këshilli i Byrove në qershor do të vlerësohet maksimalisht, ku pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësues të institucioneve publike shtetërore, duke filluar nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti, të cilët janë ftuar dhe presim që ditët në vazhdim ta konfirmojnë pjesëmarrjen për këtë konferencë”, tha ai.