PDK kërkon shkarkimin e bordit të ZRrE-së

Partia më e madhe opozitare përmes një konference për media ka kërkuar shkarkimin e bordit të Zyrës së rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE-së).

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri në një konferencë për media tha që pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që i ka dhënë të drejtë vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për pezullimin e shtrenjtimit të rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor, bordi i ZRrE-së duhet të shkarkohet.

“Më e pakta që duhet të ndodhë është shkarkimi i bordit të ZRrE-së. Këta njerëz tashmë me një vendim të gjykatës është vërtetu që janë në një proces e sipër për të shkaktu një dëm financiar. Më e vogla që mund të bëjmë si Kuvend është që përmes një rezolute të shkarkojmë bordin e ZRrE”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas Tahirit me vendimin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave është vepër penale e cila siç tha ai ka dëmtuar mbi 450 familje në Kosovë.

“Mendoj që kjo është një vepër penale e konsumuar e cila ka dëmtuar rëndë interesin publik, e cila i ka dëmtuar mbi 450 mijë familje në Kosovë, dhe një vepër e tillë duhet të ndëshkohet penalisht dhe të ndiqet penalisht nga Prokuroria Speciale”, u shpreh Tahiri.

Tutje, Tahiri tha se tashmë në fuqi do të hyjnë tarifat e vjetra të energjisë elektrike.

“Është lajm i mirë për secilin qytetar në Kosovë që energjia elektrike në këtë vend nuk do të paguhet me harraqin të cilin ua kishte dhënë ZRrE qytetarëve në mënyrë të pa ligjshme. Ky vendim tashmë nuk do të implementohet dhe do të kemi në fuqi tarifat e vjetra të energjisë elektrike”, tha ai.

Të mërkurën, Gjykata e Apelit nxjerri një vendim duke e konsideruar si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës