Foto: Policia e Kosovës

Konfiskohen rreth 17 kg drogë në Prishtinë

16.780 kilogram mariuhanë janë konfiskuar në orët e mbrëmjes së djeshme në Prishtinë.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin e dyshuar, A. K. shtetas i Republikës së Shqipërisë i cili gjithashtu posedonte dokumentacion të Republikës së Kosovës.

Një njoftimin e Policisë është thënë se personi i arrestuar dyshohet se është i kërkuar edhe nga autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë.

“Në orët e mbrëmjes së datës 19 maj 2022 në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet për hetimin e trafikimit me narkotik, pas hetimeve intensive ka realizuar operacionin policor “Rrufeja” i cili ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar A. K. shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjithashtu posedonte dokumentacion të Republikës së Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për posedim të 16.780 kilogram substancë narkotike të llojit mariuhanë”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Tutje është njoftuar se operacioni policor ka vazhduar me kontrollimin e lokacionit ku i dyshuari banonte.

Policia në këtë lokacion ka thënë se konfiskuar një valigje me 31 paketime të substancës narkotike, një qese e najlonit me substancë narkotike të dyshuar të llojit mariuhanë.

Po ashtu janë konfiskuar para kesh, 100 euro, dy telefona celularë, dy pasaporta të Shqipërisë, një letërnjoftim i Kosovës, dy patentë shoferë, njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Italisë.

Policia ka treguar se me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e  paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.