Punëtorët e shtetit kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit

Aktuale

Punëtorët e shtetit kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit

Më: 20 maj 2022 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 14:34 më 20.05.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

“Kryeministër, parandalo grevën e përgjithshme”, punëtorët e shtetit kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit

Dhjetëra punëtorë të institucioneve të Kosovës, i janë bashkuar protestës së sotme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave nga qeveria.

“Kryeministër realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, “Çka po ndodh me ligjin e pagave?”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “Urgjentisht të shfuqizohet kriteri prej 15 vjetëve përvojë pune që kërkohet para vitit 1999”, ishin disa nga pankartat që mbanin punëtorët gjatë marshit të tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të ndërtesës së qeverisë.

Tutje, nga protesta janë dëgjuar edhe thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që sipas tyre, të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga, por ta bënë atë ose t’i ngritë pagat.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli ka kërkuar gjatë protestës së punëtorëve të Kosovës të premten që të miratohet sa më shpejtë projektligji për Pagat.

Gjatë fjalimit të tij para qindra protestuesve tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Hykolli ka kërkuar po ashtu që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qeveria t’ua shtojë në paga nga 100 euro.

Ai ka thënë se punëtorët janë shtylla e shtetit.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë., Jemi këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.

Ai po ashtu ka kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

Ju sindikalistë të dashur ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i arrijmë ato”, ka thënë ai.

Kreu i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se Qeveria nuk po dëshiron dialog. Ai paralajmëroi veprime më të rënda sindikale pas kësaj protestë.

Qeveri, këta janë njerëzit tuaj. Është trup që të qëndroni në Amerikë e të mos dilni para këtyre njerëzve që presin në diell. Lutemi të këndelleni, në të kundërtën pas kësaj proteste madhështore do të ketë edhe veprime më të rënda të cilat ne nuk i duam, por si duket i doni. Ne e duam Ligjin e Pagave, por jo Ligj që na punon dikush, por që e punojmë edhe ne”, u shpreh ai.

Punëtorët e shtetit në protestë, nuk mbahet as mësim

Të punësuarit në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në nivel vendi, nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), do të protestojnë në kërkim të realizimit të disa kërkesave të tyre.

Kërkesat e tyre janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Duke qenë se pjesë e BSPK është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) dhe do të jenë pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete nuk do të mbahet.

SBASHK ka thënë se kjo pasi të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar. Çerdhet do të jenë të vetmet institucione edukativo-arsimore të cilave nuk do t’ju ndërpritet puna.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar të gjithë mësimdhënësit se çdo orë e humbur mësimore do të zëvendësohet, por SBASHK-u ka thënë se asnjë orë nuk do të kompensohet dhe për dëmin e shkaktuar nxënësve përgjegjëse është ekzekutivi.

Protestuesit do të grumbullohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 13:00. Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës “Garibaldi” prej Bankës Qendrore në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe prej Katedrales Shën Nënë Tereza nëpër rrugën “Xhorxh Bush” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Në ora 13:30 nis ecja nga vendgrumbullimi prej sheshit “Zahir Pajaziti” nëpër sheshin “Nëna Terezë” për tu ndalur në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për dy orë, nga ora 14:00 deri në ora 16:00 janë paraparë fjalime para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më 12 maj është mbajtur grevë njëorëshe paralajmëruese por Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë lëvizje për të ndryshuar mendjen e sindikalistëve dhe kështu protesta është një tjetër veprim për kërkesat e tyre. Veprime të tjera sindikale janë paralajmëruar nëse Qeveria nuk fton të dialogojë përfaqësuesit e BSPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat