Malo: Priten mijëra njerëz të bëjnë foto me kupën

Trofeu që do të dorëzohet mbrëmjen e 25 Majit në Tiranë do të shfaqet për publikun një ditë para finales së Conference League. Sheshi “Skënderbej” do të jetë një nga hapësirat që do të presë tifozë dhe kureshtarë për të parë kupën e parë të turneut më të ri për klube në Europë.

“Një ditë para ndeshjes, në orën 10:45, trofeu do të vijë zyrtarisht në shesh i shoqëruar nga ambasadori i aktivitetit Lorik Cana, Presidenti i FSHF-së dhe Kryetari i Bashkisë. Njerëzit mund të shkojnë atje të bëjnë një fotografi me trofeun dhe besoj se kjo nuk ndodh çdo ditë”, tha Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në FSHF.

Gazmend Malo tregon edhe sa parashikohet të jetë numri i njerëzve që do të jenë në të njëjtën kohë në shesh.

“Mendojmë që do të kemi nga 5 mijë deri 10 mijë njerëz njëkohësisht, pastaj fluksi do të ndryshojë deri në orët e mbrëmjes ku do të ketë edhe koncerte”, tha ai.

Të apasionuarit e futbollit do të kenë mundësinë që të luajnë edhe një ndeshje në fushën që do të vendoset aty.

“Kushdo që do të luajë një ndeshje futbolli në këto kushte të veçanta në këtë atmosferë mund ta bëjë këtë gjë”, u shpreh Malo.

Pritet që kulmi të jetë më 25 Maj ku e gjithë Tirana do të përfshihet në atmosferën e finales Roma – Feyenoord.

Tv Klan