Showbiz

Publikohet traileri i parë i filmit “Mission: Impossible 7”

Janë publikuar pamjet e para të filmit të ri “Mission: Impossible 7”.

Ylli hollywoodian, Tom Cruise, edhe një herë i shfaq marifetet që sfidojnë vdekjen në vazhdimin e shtatë të filmit ikonik aksion.

Në trailerin e filmit, agjenti Ethan Hunt vjen i përfshirë në situata të shumta të rrezikshme që kryesisht e karakterizojnë jetën e tij, derisa publiku ka mundësi t’i shohë edhe personazhet tjera që janë pjesë e këtij projekti, përfshirë këtu rikthimin e personazhit Kittridge, i portretizuar në film nga aktori Henry Czerny, të cilin fansat nuk e kanë parë nga lansimi i filmit të parë në vitin 1996.

Në muajin janar u bë i ditur lajmi se data e lansimit të vazhdimit të shtatë të filmave “Mission: Impossible”, po shtyhej sërish për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia, raportou portali “NME” të martën.

Studiot filmike “Paramount Pictures” dhe “Skydance”, tashmë kanë vendosur që projekti i shumëpritur nga publiku do të lansohet nëpër kinema më 14 korrik të vitit të ardhshëm.

Filmi i tetë “Mission: Impossible”, i xhiruar njëkohësisht me vazhdimin e shtatë, pritet të publikohet për publikun e gjerë më 28 korrik 2024.