Supermodelja e njohur britanike, Kate Moss, do të shërbejë si dëshmitare në rastin e vazhdueshëm gjyqësor ndërmjet aktorëve, Johnny Depp dhe Amber Heard.
Modelja 48-vjeçare ka qenë në lidhje dashurie me yllin hollywoodian nga viti 1994 deri më 1997, dhe tani ajo është gati të dëshmojë në seancën e së mërkurës, përmes një videolidhjeje.
Amber Heard para disa ditësh në dëshminë e saj e përmendi Mossin, teksa tregonte për një zënkë ndërmjet Deppit dhe motrës së saj, Whitney Henriquez, raportoi të martën portali “Female”.
Aktorja e kishte përmendur rastin e supozuar ku Depp kishte ushtruar dhunë ndaj modeles britanike, edhe gjatë dëshmisë së saj në gjykatën e Britanisë së Madhe në vitin 2020.
“Mu kujtuan informatat që i kisha dëgjuar se ai e kishte shtyrë poshtë e kam dëgjuar këtë thashetheme nga dy njerëz të ndryshëm, dhe më ka mbetur në mendje”, kishte deklaruar atëkohë Heard.
Por, avokatët e Johnny Deppit duket se e kanë shfrytëzuar mirë faktin që aktorja e kishte përmendur Mossin në gjykatë. Referenca u dha mundësinë që ta thërrisnin modelen si dëshmitare për t’i hedhur poshtë këto akuza.
Dhe tani, një burim i afërt me aktorin e ka konfirmuar lajmin për revistën “People”, se Moss do të shërbejë si dëshmitare në gjykatë.
Në të kaluarën, Moss kishte deklaruar se i janë dashur vjet të tëra për ta marrë veten nga zemërthyerja e shkaktuar nga ndarja prej Deppit.
Ajo e kishte përshkruar aktorin si personin që ishte kujdesur vazhdimisht për të dhe të cilit i besonte shumë.
-
24 maj 2022 12:56
-
Shpërndaje në: