EKSKLUZIVE/ Vllaznia do sulmues krahu, shkodranët nisin bisedimet për ish-lojtarin e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 14:34

EKSKLUZIVE/ Vllaznia do sulmues krahu, shkodranët nisin bisedimet për ish-lojtarin e Dinamos

Redon Mihana, në shënjestrën e Vllaznisë. Sulmuesi i krahut, që mbylli sezonin me Dinamon në Kategorinë Superiore, mund të jetë përforcimi i radhës për shkodranët.

REDON MIHANA

“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se drejtuesit e Vllaznisë kanë kontaktuar homologët e tyre tek Apolonia për t’i shfaqur interesin për Mihanën.

22-vjeçari është edhe një sezon nën kontratë me klubin fierak, prandaj dhe në këtë situatë janë drejtuesit e Apolonisë që do të thonë fjalën e fundit, përtej dëshirës së lojtarit.

Gazeta mëson se Mihana e ka pëlqyer shumë këtë ide dhe është gati të vijë në Shkodër, por i ka drejtuar krerët e Vllaznisë tek Apolonia.

Pa miratimin e drejtuesve fierakë nuk mund bëhet asgjë, prandaj dhe shkodranët po mundohen të gjejnë një konsensus, në mënyrë që në sezonin e ri të kenë shërbimet e Mihanës.

Në ditët në vijim pritet të ketë diçka përfundimtare për këtë pistë, e cila nuk është lehtësisht e realizueshme, paçka se vetë lojtari e pëlqen shumë si mundësi dhe mendon se me stilin e lojës që bën Vllaznia, mund të përshtatet shumë mirë, duke lënë pas sezonin jopozitiv te Dinamo.

SITUATA – Te kuqeblutë janë afruar deri më tani lojtarë si Lorik Boshnjaku, Kaina Nunjesh, Dajan Shehi, Kristjan Vulaj dhe Marko Juriç. Ndërkohë, prej disa ditësh po stërvitet edhe mesfushori senegalez, Ndiaje Mbaba.

I riu që vjen pas eksperiencave në ligat e ulëta të futbollit italian ka dhënë sinjale të mira në stërvitje, por nuk shikohet për momentin nga stafi si një futbollist që mund të bëjë diferencën.

Në klub janë të dyzuar për ta mbajtur, por nuk përjashtohet mundësia që të firmosin një kontratë afatgjatë me të dhe më pas ta huazojnë.

MIHANA

VLL

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"