Parashikimi i Mark Zuckerberg: Metaverse do të ketë 1 miliard persona

by admin
Spread the love
“Ne shpresojmë që të arrijmë te një shifër rreth 1 miliard persona në metaverse, të cilët bëjnë tregti me vlerë prej qindra dollarësh, duke blerë mallra dixhitale, përmbajtje dixhitale dhe gjëra të ndryshme për të shprehur veten”

 

CEO i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, tha për CNBC javën e kaluar se metaverse mund të jetë një pjesë e konsiderueshme e biznesit të operatorit të rrjetit social në gjysmën e dytë të kësaj dekade.

“Ne shpresojmë që të arrijmë te një shifër rreth 1 miliard persona në metaverse, të cilët bëjnë tregti me vlerë prej qindra dollarësh, duke blerë mallra dixhitale, përmbajtje dixhitale dhe gjëra të ndryshme për të shprehur veten.

Çdo gjë, që nga veshjet për avatarin e tyre e deri te produktet dixhitale për shtëpinë virtuale, ose për të dekoruar sallën virtuale të konferencave, shërbimet për të qenë më produktivë në realitetin virtual, realitetin e shtuar dhe në të gjithë metaverset në përgjithësi”, tha ai.

Investitorët kanë përgjysmuar kapitalizimin e tregut për kompaninë këtë vit, pasi rritja është ngadalësuar dhe numri i përdoruesve aktivë ditorë ka rënë, për herë të parë për dy tremujorë radhazi.

Zuckerberg e ka drejtuar gjithnjë e më shumë kompaninë drejt asaj që ai e konsideron si gjeneratën e ardhshme të përmbajtjes, një botë virtuale ku njerëzit mund të blejnë dhe të shesin mallra dixhitale për avatarët që mund të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Simboli i kompanisë ndryshoi nga FB, një relike e historisë së saj si ofrues i pastër i mediave sociale, në Meta, në fillim të këtij muaji. Investimi i kompanisë në realitetin e shtuar dhe realitetin virtual daton në vitin 2014, kur ajo pagoi 2 miliardë dollarë për prodhuesin e kufjeve Oculus VR.

Dërgesat e kufjeve nuk kanë arritur të tejkalojnë dërgesat e PC-ve ose të smartphone-ve. Zuckerberg u shpreh optimist për shitjet e gjeneratës aktuale, Meta Quest 2, e cila fillon nga 299 dollarë.

“Quest 2 ka qenë një produkt i suksesshëm”, – tha Zuckerberg. “Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si ka ecur gjithçka. I ka tejkaluar pritshmëritë e mia.

Por, mendoj se do të duhet ende pak kohë që ajo të arrijë në shkallën e disa qindra miliona, apo edhe miliarda njerëzve në metaverse, thjesht sepse gjërat kërkojnë pak kohë për të arritur deri aty. Ky është ‘ylli i Veriut’.

Mendoj se do të arrijmë atje. Por, e dini, shërbimet e tjera që ne ofrojmë përdoren më shumë sot që flasim”. Përvojat në metaverse mund të jenë më gjithëpërfshirëse sesa tekstet, fotot ose videot, të cilat janë të përhapura në Facebook dhe në Instagram, dhe kështu ky do të jetë fokusi i madh për Meta në dekadën e ardhshme, tha Zuckerberg, i cili e dha intervistën për CNBC në metaverse.

Bashkëthemeluesi i Facebook tha se përvoja të tilla mund të nxisin perceptimin e të qenët së bashku, edhe nëse njerëzit janë fizikisht në anën tjetër të vendit. Ai tha se është e mundur të kesh kontakt me sy, gjë që nuk është e garantuar në konferencat me video, si dhe mund të përdorësh audio hapësinore, e cila mundëson biseda më të qeta.

Teknologjia “në thelb i mundëson asaj që të japë këtë efekt realist të pranisë fizike”, – tha ai.

Në mënyrë që kjo të mund t’u ofrohet klientëve në vitet e ardhshme, do të duhet që Meta të përgatisë disa harduerë dhe softuerë që ta mundësojnë atë.

“Ne e kemi arritur këtë pikë, jemi një kompani që mund të përballojë të bëjë disa investime të mëdha kërkimore afatgjata, dhe ky është fokusi ynë madhor”, – tha ai. Zuckerberg pret që ekonomia e metaverse të jetë masive. Meta

Platforms kishte 3.64 miliardë përdorues aktivë mujorë në familjen e saj të aplikacioneve në tremujorin e parë, me 6% rritje krahasuar me vitin e kaluar. WhatsApp arriti 2 miliardë përdorues në vitin 2020 dhe është gjithashtu një nga platformat ku Zuckerberg sheh potencial për rritje.

“Motoja jonë për shumë kohë ka qenë ndërtimi i shërbimeve, përpjekja për t’u shërbyer sa më shumë njerëzve, të mundësonim që 1 miliard, 2 miliardë, 3 miliardë persona t’i përdornin ato, dhe më pas të përshkallëzojmë fitimin e parave”, – tha Zuckerberg.

“Dhe e kemi arritur këtë me Facebook dhe Instagram. WhatsApp do të jetë me të vërtetë kapitulli i radhës, ku mesazhet e biznesit dhe tregtia po fillojnë të përhapen shumë”. / CNBC

You may also like