LAJMI I FUNDIT:

ID. Aero është limuzina luksoze elektrike e Volkswagen

ID. Aero është limuzina luksoze elektrike e Volkswagen

Volkswagen ka bërë një prezantim digjital të modelit ID. Aero, limuzinës së parë plotësisht elektrike dhe shumë luksoze, që është dizajnuar që të jetë rival i Tesla Model 3 dhe BMW i4.

Pas SUV-ve siç është ID.4 dhe ID.5, hatchbackun ID.3 dhe furgonin ID. Buzz, Aero është limuzina katërdyershe që do të prodhohet në Kinë për tregun kinez dhe prodhimi do të fillojë vitin e ardhshëm, po të njëjtin vit kur Volkswagen do ta prezantojë edhe versionin për tregun amerikan dhe evropian, që do të prodhohet në Emden të Gjermanisë, transmeton Telegrafi.


Nga Volkswagen thonë se Aero në fakt është një limuzinë premium, e përmasave të mesme për kategorinë e lartë të familjeve kineze.

Në kompaninë gjermane nuk kanë publikuar fotografi nga brendësia e veturës, por vetura është e bazuar në platformën e njëjtë MEB për veturat elektrike, sikurse të gjitha veturat tjera nga familja ID.

Ka bateri me kapacitet prej 77 kWh. E edhe pse nuk janë zbuluar shumë specifikat e motorik elektrik, besohet se me vetëm një mbushje të baterisë mund të përshkojë  620 kilometra. /Telegrafi/