Elbert Krasniqi

Krasniqi: Me marrëveshjen e 'Sunny Hill' dhe Komunës, Rita Ora nuk mund të organizojë festival aty

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka folur për procedurat për vendimin për dhënien e pronës për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë.

Sipas Krasniqit, më 30 maj i kanë dërguar shkresë kryesuesit të Kuvendit pasi dosja që kishte dërguar Komuna e Prishtinës kishte mangu dy dokumente.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se pas dy ose tri ditësh i kanë marrë ato dokumente shtesë, por thotë se pastaj kanë qenë në vlerësim të lëndës.

“Ne kemi vlerësu që në dosjen e dërguar nga Komuna e Prishtinës mungojnë dy dosje, dhe më 30 maj i kemi dërguar shkresë kryesuesit të Kuvendit. Ato dosje janë; projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i investimit dhe dokumenti i dytë është qarkullimi bankar për vitin parparak ashtu siç është paraparë me nenin 23 të rregullorës 09/2020 për përcaktimin e dhënies në shfrytëzim dhe në këmbim të pronës së paluajshme. Këto dokumente fillimisht kanë mungu, dhe kemi shfrytëzu të drejtën tonë që me i kërku ato”, ka thënë Krasniqi.

Ministri Krasniqi deklaroi se kanë qenë kundër që festivali mos të ketë konkurrencë gjatë shfrytëzimit të pronës. Sepse, siç tha ai, në rast se dëshiron të vijë një artist tjetër të organizojë festival, duhet dhënë pronë tjetër.

“Komuna i ka dërgu dy ose tre ditë pastaj. Ne kemi qenë në vlerësim të lëndës. Më 10 qershor unë e kam dërgu një letër që për burim kishte një takim paraprak që kishim. Kemi kërku që Komuna e Prishtinës që te ketë më shumë përgjegjësi në kalanderin e saj. Nëse Rita Ora do me ardhë me organizu një festival të saj ose shfaqje në bazë të kontratës së negociuar mes Prishtinës dhe “Sunny Hill” mundet me marrë pjesë, veç nëse këta e organizojnë prezencën e saj. Paramendon situatën kur edhe Rita Ora ose dikush tjetër kërkon pronë në shfrytëzim”, ka thënë ai.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Më 14 qershor, festivali “Sunny Hill” tha se nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur në Tiranë.

Ndërkaq, më 20 qershor u tha përmes një deklarate të përbashkët të Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival se festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.