Perparim Rama

Përparim Rama për kontratën me 'Sunny Hill': Nuk e kemi dhënë tokën për 99 vite

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin “Kallxo Përnime” ka sqaruar se me sa vite të drejtë shfrytëzimi kishte negociuar me “The Sunny Hill” SH.P.K për tokën në Bërnicë të Poshtme.

Rama ka deklaruar se sipas draft-kontratës, festivali do ta shfrytëzonte pronën prej 17 hektarësh deri në 99 vite, dhe jo gjithsesi për kaq vite.

Sepse, sipas tij, pas 25 vitesh vendoset nëse do t’i zgjatet festivalit edhe 25 vite të tjera, për të cilën thotë se janë disa kushte.

“Draft-kontrata thotë aty që “Sunny Hill”  raporton çdo 6 muaj në kuvend, çdo vit duhet me ndodhë festivali i nivelit të Dua Lipës, nëse  tri vite me radhë nëse nuk ndodh atëherë toka i kthehet Komunës. Pika tjetër thotë se në vitin 25, nëse çdo gjë është mirë, i konvenon dy palëve prapë Komuna mundet me vendos me ia kthy tokën vetes nëse po menon që nuk po përdoret për të mirën e kryeqytetit apo ka një plan program për investime tjera, duke i dhënë pesë vite festivalit që të gjejë një vend tjetër. Pra teknikisht 30 vite. Në 25 vite vendos, që jemi në rregull – vazhdon, atëherë shkon +25, +25 deri në maksimum 99 vite. 99-vitëshi është një element, nëse krejt Kosova e ka harru atë tokë, i kthehet automatikisht. Nuk është vetëm në 99 vite edhe u kry puna”, deklaroi kryetari Rama.

Rama deklaroi se e ka ulur nga 22 hektarë në 17 hektarë që t’i jepen “The Sunny Hill ” SH.P.K.

“Atë 99 nuk e kam pru por e kam gjetë. Unë e kam negociu kontratën. E kam bërë më të mirë më të mirën për kryeqytetin”, tha ai. “Unë nuk e shoh si problematike çështjen e 60-ditëshit të kalendarit, është e mjaftueshme”, tha ai.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Më 14 qershor, festivali “Sunny Hill” tha se nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur në Tiranë.

Ndërkaq, më 20 qershor u tha përmes një deklarate të përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill” se festivali do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.