Ilustrim Pensionistët duke luajtur shah. REL

Sot mbyllet afati për paraqitjen fizike të pensionistëve për verifikim

Ministri i Financave Hekuran Murati, ka njoftuar se sot është afati i fundit për paraqitjen fizike të pensionistëve për verifikim.

Murati shtoi se e kanë parë të nevojshme ta rikthejnë këtë çështje për t`u siguruar që numri i pension-marrësve të jetë i saktë.

Me qenë se sipas tij nuk dihet ende numri përfundimtar, ai tha se shumica dërrmuese e pensionistëve janë paraqitur.

“Jemi të përkushtuar të kemi mbështetje të dinjitetshme për të gjitha kategoritë shoqërore në vend. Megjithatë duam të sigurohemi që paratë po shkojmë në vendin e duhur ku ka nevojë. Sa i përket numrit, numri i paraqitjeve po ndryshon dita e ditës. Çdo ditë ka paraqitje të reja besoj që sot me përmbylljen paraqitjeve do ta kemi edhe numrin përfundimtar sa janë paraqit”- tha Murati.

Ministri Murati shtoi se edhe nëse ka rast që dikush nuk ka mundur të paraqitet për arsye shëndetësore, i kanë angazhuar ekipet mobile.

“Mjafton që dikush prej familjes të paraqitet në zyrat e pensioneve dhe ekipi mobil shkon nëse ka raste që ka gjendje të rënduar shëndetësore”- shtoi ai.

Murati ka bërë me dije që pensionistët të cilët nuk janë lajmëruar në këtë afat, iu pezullohet pensioni dhe kanë kohë edhe tre muajt e ardhshëm që të lajmërohen.

“Por edhe çështja e këtij afati ka të bëjë me pezullimin e përkohshëm. Kurdo që paraqiten më vonë gjatë tre muajve të ardhshëm mund t`i rikthehet retroaktivisht pensioni, vetëm se i pezullohet për momentin për të pas mundësi që institucionet e vendit ta bëjnë verifikimin e duhur”- u shpreh Murati.

Murati e ka përmendur edhe rishikimin e buxhetit.

Ai tha se janë duke monitoruar dhe duke shikuar organizatat buxhetore dhe ekzekutimin e projekteve dhe nevojave të tyre.

“Tani Kuvendi është në pushim dhe edhe po të bëhej diçka nga ana e Qeverisë nuk mund të dorëzojmë projektligjin në Kuvend”- tha ai.

Sot, më 12 gusht është afati i fundit i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për paraqitjen fizike të pensionistëve për verifikim.

Nesër është afati i fundit për paraqitjen fizike të pensionistëve për verifikim