Bordi i ri i OSHP-së lejon nënshkrimin e kontratave të kundërligjshme, hodhi poshtë ankesat e kompanive për 800 tendere

Bordi i ri i OSHP-së lejon nënshkrimin e kontratave të kundërligjshme, hodhi poshtë ankesat e kompanive për 800 tendere

Pas shumë e shumë zvarritjeve, Kuvendi i Kosovës kishte arritur të emëronte më 23 qershor kryetarin dhe katër anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve. Anëtarët kanë gjetur në zyre mbi 800 ankesa që kanë deponuar kompanitë për zyrat e prokurimit të institucioneve, lidhur më tender të ndryshëm.

Bordi i OSHP-së nuk do t’i trajtojë asnjë nga këto ankesa. Të gjitha këto i ka hedhur poshtë. Kësisoj u ka lejuar institucioneve që të vazhdojnë tutje më procedurat e prokurimit ashtu siç kanë menduar vetë para se të bëhej një ankesë për një procedurë të prokurimit.

Këtë vendim, siç ka mësuar Periskopi, Bordi i OSHP-së e ka marrë në fund të muajit të kaluar.

Më këtë, OSHP ua ka mohuar palëve një të drejtë elementare për ankimim. Pra, mos marrja e vendimeve lidhur më të gjitha ankesat e kompanive ndikon në cenimin e të drejtës së palës për ankesë, dhe lejimin e lidhjeve të kontratave në kundërshtim me ligjin.

OSHP është i vetmi institucion ku palët e pakënaqura me vendimet e zyrave të prokurimit të institucioneve publike, lidhur më zhvillimet e ndonjë aktiviteti të prokurimi mund të ankohen. Është i vetmi institucion ku merr vendim më të shpejtë lidhur më atë ankesë. Andaj, flakja e ankesave, u ka lënë mundësi kompanive që të ankohen vetëm në gjykatë. Në realitet shumë pak kompani do t’i drejtohen gjykatës në këto raste sepse dihet se gjykatat më sa vite mund të merrte vendim për raste të tilla. Pra, duke hedhur tutje ankesat, OSHP-ja zgjodhi që të mos e mbikëqyrë paran publike në mënyrë transparente.

Bordi këtë vendim e ka kumtuar në të gjitha ankesat që kanë qenë të deponuara në OSHP.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se nga data 01. 04. 2021 ka funksionuar pa Bord për shkak se atij paraprak i ka kaluar mandati ligjor për shqyrtim sipas kompetencave të parapara me ligj, dhe rrjedhimisht nuk ka qenë e mundur që të krijohen panele shqyrtuese për marrjen e një vendimi përfundimtar, ashtu siç është paraparë me nenin 112 të LPP-së lidhur me nenin 5 të po këtij ligji, si dhe nenin 104 të Ligjit të Procedurës Administrativë. Anëtarët e Bordit të OSHP-së pas analizë të të gjithë situatës në tersi dhe diskutimeve të shumta, përparësive për shqyrtim dhe mos shqyrtim të ankesave që janë pranuar gjatë kohës sa Bordi ka qenë jo funksional, në mbledhjen e mbajtur, më shumicë votash konstatuan se ankesat e parashtruara nuk mund të shqyrtohen për faktin se kanë kaluar afatet ligjore për shqyrtim dhe të njëjtat janë jashtë afatit për shqyrtim”, thuhet në sqarimet e OSHP-së në refuzimet e ankesave.

Bile OSHP-ja është munduar që të gjejë edhe arsyetime ligjore lidhur më këtë.

“Bordi i OSHP-së, duke u bazuar në nenin 104 të Ligjit për Procedurë Admistrative ku thuhet: “Procedura administrative gjithashtu përfundon kur organi publik kompetent vlerëson se objekti për të cilin ishte nisur procedura ose qëllimi i saj është bërë i pamundur apo i kotë. Në bazë të këtyre dispozitave ligjore afati i përgjithshëm deri të nxjerrja e një vendimi përfundimtar është 34 ditë si dhe OSHP mund të përcaktojë çështjen si çështje shumë të ndërlikuar dhe të shtyje afatin për më shumë se 20 ditë për nxjerrjen e vendimit të tij, deklaratës mbi arsyet dhe urdhrit të tij. Andaj Bordi i OSHP-së, duke u bazuar në të gjitha këto dispozita ligjore, kalimin e afateve ligjore dhe pamundësisë për të nxjerr një vendim përfundimtar nga paneli shqyrtues i OSHP-së, gjithmonë duke pasur parasysh interesin publik, vlerëson se shqyrtimi i këtyre ankesave, do të ishte në kundërshtim me ligjin”, thuhet tutje në arsyetimin e OSHP-së.

Meqë ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, rrjedhimisht ka edhe kontrata të nënshkruara nga autoritete kontraktuese, pastaj disa autoritet kontraktuese këto aktivitete të prokurimit të cilat janë objekt i ankesës, nuk i kanë në planin buxhetor të këtij viti. Bordi konsideron se është e pamundur të bëhet edhe zotimi i mjeteve që është kusht për nënshkrimi të kontratave publike.

Bordi si rrethanë tjetër në marrjen e këtij vendimi ka marr parasysh edhe ngritjen e konsiderueshme të çmimeve.

Vendimi i OSHP-së për tu thirrur në atë ligj është shumë i diskutueshëm, pasi OSHP ka sjell vendim për flakje të ankesave, duke thënë se kanë kaluar 30 ditë …, ndërkohë afati fillon të numërohet kur ka bord dhe jo kur nuk ka.

Sado që OSHP është thirrur në Ligjin e Procedurës Administrative, në asnjë dispozitë të Ligjit të Prokurimit Publik, mbi të cilin duhet të veprojë ky organ, nuk parashihet që OSHP mos i trajtoj ankesat.

Në vitin 2021, në OSHP-janë deponuar fiks 881 ankesa nga kompanitë, kundër vendimeve të Autoriteteve kontraktuese. Meqenëse Bordit i kishte kaluar mandati më 31 Mars, nga data 1 janar e deri në skadimin e mandatit, pra për tre muajve, Paneli (Bordi) i OSHP-së ka marr vendim vetëm për 225 ankesa. Të dhënat zyrtare tregojnë se Paneli ka aprovuar vendimet e Autoriteteve kontraktuese si të bazuara në 79 raste, duke konstatuar se pretendimet e palëve ankimore nuk kanë qenë të mbështetura në argumente ligjore që të aprovohen ankesat e tyre. Paneli shqyrtues ka marr vendim për rivlerësimin e ofertave në 110 raste, duke konstatuar se është bërë vlerësim i gabuar i ofertave për tender nga komisionet vlerësuese të prokurimeve publike, duke hasur kështu në shkelje të caktuara të Ligjit të Prokurimit Publik dhe rregullave të prokurimit. Po ashtu, paneli ka marrë vendim për anulimin e aktiviteteve të prokurimit (ritender) në pesë raste, nisur nga shkeljet e konstatuara të dispozitave të Ligjit të Prokurimit, për parregullsitë në dosjet e tenderit, vlerësim jo të drejtë të ofertave, apo zhvillime me mangësi të procedurave të prokurimit.

Vetëm po të bëhej një krahasim në mes të flakjes së mbi 800 ankesave dhe gjetjes së shkeljeve në 115 raste të 255 ankesave, atëherë mund të paramendohet se sa shkeljet mund të jenë në nënshkrimin e kontratave, në tenderët që nuk u morën për bazë ankesat.

OSHP-ë në bazë të një ankesë të parashtruar me shkrim  nga një kompani kundër njoftimit për kontratë, apo njoftimit për dhënie të kontratës,  të  publikuar nga Autoriteti kontraktues , është autorizuar që ta shqyrtoj  kryerjen e aktiviteti përkatës të prokurimit si dhe pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë, si  dhe konform afateve ligjore të nxjerrë një vendim me shkrim për mënyrën e vendosjes së asnjë lëndë, objekt i të cilët është shqyrtimi ankesa dhe aktiviteti i prokurimit për të cilin është parashtrua ankesa.

Por, para se të nxjerrët një vendim, paneli duhet të ketë mbi tavolinë fillimisht një raport të ekspertit të vetë

Eksperti shqyrtues i cili caktohet sipas LPP-së, bënë shqyrtimin e kryerjes së aktivitet të prokurimit përkatës si dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë. Eksperti shqyrtues është i obliguar që ta pajisë Panelin Shqyrtues me një vlerësim me shkrim mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë.

Për të gjitha ankesat që janë hedhur poshtë ka pasur një vlerësim paraprak të ekspertit. Pra ka pasur një raport. Siç ka parë Periskopi, ekspertët shqyrtues në disa raste kanë gjetur shkelje të mëdha të Ligjit të prokurimit publikë në ankesat që u flakën. Në shumë raste ekspertët kanë gjetur se janë shpërblyer më kontratë kompanitë që janë dukshëm më të shtrenjta se sa kompani më të lira që kanë qenë të përgjegjshme për kontratë. Po ashtu, ekspertet kanë gjetur edhe kritere të vendosura në tender që janë përpiluar në kundërshtime më ligjin, të cilat janë favorizuese për një kompani, ose diskriminuese për një tjetër.

Bordi i OSHP-së është ka nisur të trajtojë ankesat që janë bërë prej kohës kur e kanë marrë mandatin dhe të njëjtit mblidhen për vendime çdo ditë pune.

Mos emërimi i bordit të OSHP-së  më kohë ka ndikuar  lidhur më ngecjen e procedurave të prokurimit për kontratat e rëndësishme për shëndetin e qytetarëve si dhe për kontratat e ndryshme për interesin e autoriteteve kontraktuese me c’rast është cenuar direkt edhe interesi publik sepse autoritete kontraktuese kanë ngecur në furnizimin e ilaçeve dhe medikamenteve të rëndësishme për të sëmurit nëpër institucione shëndetësore.

Me gjithë këtë, siç ka parë Periskopi, disa institucione kanë lidhur kontrata të negociuara për të njëjtin aktivitet të prokurimit. P.sh, SHSKUK, ka lidhur kontratë me negocim për aktivitetin “Furnizim me oksigjen medicional”, apo MSH-ja ka lidhur kontratë me negocim për “Furnizim me insulina analoge”. Të dy këto tendere të vlerës së madhe kanë ngecur në OSHP për shkak se ka pasur ankesë nga kompanitë. Pra, në njërën anë tender të kësaj natyre janë në pezullim për shkak të procesit të dyshimtë tenderues, në anën tjetër janë lidhur kontrata të reja për shkak të domosdoshmërisë së ilaqeve, dhe nëse, Paneli i ri OSHP-së do të merrte vendim në favor të kompanive dhe kundër këtyre dy institucioneve, do të paraqitej një situatë e re që do të kishte pasoja financiare.

Nga data 31 Mars  e deri sot më së shumti ankesa janë deponuar ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës -KEK, rreth  100.

Institucioni i dytë më më së shumti ankesa në drejtim të tij është Ministria e Infrastrukturës, me rreth 90. Pas saj, Policia e Kosovës , Ministria e Shëndetësisë, etj. /Periskopi/

Shpërndaje në: