Kastrati: Hartimi i përbashkët i buxhetit i orienton investimet sipas nevojave që ka qytetari

Sot janë mbajtur dy konsultime publike, në kuadër të dëgjimeve për hartimin e projekt buxhetit të Komunës së Malishevës, për vitet 2023-2025, me theks të veçantë, buxheti për vitin 2023. Konsultimet e ditës së sotme janë mbajtur me fermerët e Komunës së Malishevës dhe drejtorët e shkollave, ndërsa në këto dëgjime, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtori për ekonomi, financa dhe buxhet, Blerim Thaçi, drejtori i bujqësisë, Sylë Dukolli dhe grupi punues për hartimin e projekt buxhetit. “Takimet dhe konsultimet e tilla, me grupet e interesit në të gjitha fushat e jetës, përmes së cilave ne i marrim mendimet, propozimet dhe kërkesat e juaja, shërben për orientimin e hartimit të një buxheti i cili është në shërbim të qytetarit dhe për hartimin e politikave zhvillimore, sipas kërkesave dhe nevojave që kemi në tërësi si komunë”, ka thënë kryetari Kastrati. “Propozimet e përbashkëta për orientimin e investimeve, si në fushën e arsimit, po ashtu në fushën e bujqësisë, si sektori kryesor i zhvillimit ekonomik, krijon mundësi më shumë për të gjithë, sepse investimet orientohen aty ku kemi nevojë më së shumti”, tha mes tjerash kryetari Kastrati, gjatë këtyre dy takimeve. Projekt buxhetin, para pjesëmarrësve në këto takime, e ka prezantuar, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Blerim Thaçi, ndërsa për sektorin e bujqësisë, e ka prezantuar drejtori i DBPZHR, Sylë Dukolli. Gjatë këtyre konsultimeve të mbajtura sot, drejtorët e shkollave të Komunës së Malishevës, i kanë prezantuar kërkesat e tyre dhe kanë dhënë mendimet e tyre, për orientimin e buxhetit në sektorin e arsimit, me qëllim të krijimit të kushteve për rritje të cilësisë në arsim, ndërsa në konsultimin me fermer, ata kanë kërkuar rritjen e subvencioneve, gjë që do të ndihmonte në shtimin e prodhimit, në të gjitha fushat e bujqësisë. Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, i ka paraqitur edhe synimet e drejtorisë për vitin e ardhshëm, synime të cilat bazohen në kërkesat dhe nevojat e fermerëve, që sipas tij, synohet rritja e subvencionimit të qumështit, pastaj në farë për mbjellje, vazhdimi i përkrahjes për bletarët, subvencionimi i blegtorëve që mbajnë kafshë të imëta, zgjerimin e stallave ekzistuese dhe serrave, pastaj përkrahje në mekanizëm bujqësor. Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Blerim Thaçi, gjatë të gjitha dëgjimeve për hartimin e buxhetit, ka sqaruar se buxheti i Komunës së Malishevës për vitin 2023 është mbi 18 milion, ndërsa për investime kapitale është rreth 5.4 milion.

Mund të jetë një imazh i 10 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …