Shtojca për Kulturë

“U artësofshi!” nëpër trashëgiminë e botës së artit të Bekim Lumit

Bota e madhe e Bekim Lumit, në katërvjetorin e vdekjes së tij është shpalosur me ekspozitën “U artësofshi!”, një fjalë e krijuar prej tij, por që sot zbërthen gjurmët dhe misionin e tij në art: lartësim, emancipim, iluminim dhe fisnikërim nëpërmjet artit. Familjarë, miq e kolegë, e kanë kujtuar Lumin si unik në teatër e në jetë. Mbi të gjitha, Lumi vazhdon të mbetet maestroja i artësimit të artit shqiptar

Në gjashtë muajt e fundit të jetës, Bekim Lumi do të luftonte me vdekjen, por do t’i përkushtohej teatrit edhe më fort. Provat ishin betejë me sëmundjen, shërim për dhimbjet e tij. Përgatitej për prova dhe merrte rrugë për në vendin ku gjente terapinë më të mirë, deri në momentin më kritik.

Ishte shtruar në spital pikërisht në ditën e premierës së shfaqjes “Arturo Ui”, më 14 qershor 2018. Për shfaqjen, si trashëgiminë e fundit që e la, kishte punuar deri në frymën e fundit. Nuk ishte dorëzuar as në provë gjenerale, atëherë kur kishte konsideruar se tash shfaqja është vetëm e aktorëve.

Bekim Lumi u shua vetëm fizikisht më 30 korrik të vitit 2018 në moshën 52-vjeçare.

Perdet e teatrit ranë të hënën të 30 korrikut të para katër vjetëve kur u dha kumti për humbjen e regjisorit, skenaristit e krijuesit, Bekim Lumi. Edhe pse fuqitë po i shuheshin pak e nga pak, ai gjente energji për të marrë rrugën për në Teatrin Kombëtar të Kosovës për provat e shfaqjes së fundit “Arturo Ui”. Produktit final nuk arriti t’ia shihte kurrë premierën. Ajo më pas do ta merrte çmimin “Regjia më e mirë e vitit” nga Ministria e Kulturës.

Lumi ka qenë ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Mbi të gjitha, shkak që shumë shfaqje teatrale kanë mbërthyer skenën vendore e ato ndërkombëtare teatrale. Sa qe gjallë, ai krijoi neologjizmin “artësim”, që tek ai shkoqitej kuptimisht si lartësim, emancipim, iluminim dhe fisnikërim nëpërmjet artit.

“U artësofshi!” është titulli i ekspozitës organizuar në katërvjetorin e vdekjes. Fotografitë dhe jo vetëm, janë dëshmi e procesit të gjatë të artit që e ka lënë si trashëgimi. Ekspozita e hapur të shtunën mbrëma në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës sjell si rrallëherë portretin e tij prej artisti, pedagogu e njeriu. Familjarë, miq e bashkëpunëtorë janë mbledhur në kujtim të Lumit e të veprës së tij.

Numër i madh i të pranishmëve ka zënë vend në shkallët e Lapidariumit. Një lule me mbishkrim si përkujtim për Lumin ka qenë vendosur përballë me ta. Ka qenë kuratori i ekspozitës, Mentor Berisha, ai i cili e ka shpallur të hapur ekspozitën. Fotografi nga dhjetë shfaqjet teatrale si procese të provave e skena, imazhe kostumesh, grafika e rekuizita janë nxjerrë nga arkivi i regjisorit, që me fanatizëm i kishte ruajtur ndër vite. Posterë, fotografi e artikuj gazetash janë renditur me pedanteri, lidhur me penj që krijojnë një lloj instalacioni për krejt botën kreative të Lumit. Rekuizitat si kafka, kafaz, kukulla, libra, shpata e valixhe janë vendosur poshtë fotografive e në dy tavolina, ku ndërmjet tyre, janë dhënë pamje prej veprave që ai i ka vënë në skenë. Anash tyre, dy portrete të maestros ndriçuar prej dritave vendosur në tokë.

Image
Ekspozita në Lapidarimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës depërton në artin shumëdimensional të Lumit

“Sikur ta kishte një shfaqje tjetër...”

Ka qenë motra e Bekim Lumit ajo që kishte gjetur thesarin me fotografi të regjisorit të shquar që i kishte realizuar dhe kishte konsideruar se duhet të publikohen patjetër. E kishte menduar si dokumentim të punës së tij dhe kishte iniciuar ekspozimin e tyre. Kishte qenë me të deri në çastet e fundit të jetës së tij. Në emocione ka treguar për gjendjen e tij derisa jepej shfaqja premierë e “Arturo Ui”.

“Derisa jepej shfaqja më 14 qershor 2018, aktorët po performonin, në anën tjetër, e ktheu Beki kokën dhe tha: ‘Shi po bjen’. Thashë: ‘Po, shi po bjen, por shfaqja po jepet’. Është ndier jashtëzakonisht i lumtur. Në takim me mjekët, kanë thënë që ai tërë kohën ka thënë që ‘sikur ta kishte një shfaqje tjetër’ do të ishte zgjuar patjetër”, ka thënë Drita Lumi, e cila ka treguar për dashurinë e vëllait të saj për teatrin. Ka treguar se edhe në stadin e katërt të kancerit ka punuar për ta finalizuar shfaqjen e fundit.

Ndër shfaqjet që Bekim Lumi ka sjellë në skenë janë: “Këmisha e gjakut”, “Çifti Martin”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Arushani”, “Fejesa”, “Galani”, “Mësimi”, “Kësulëkuqja në botën e minave” e shumë të tjera. Ai është vlerësuar me mirënjohje e me çmime në festivalet ndërkombëtare. Me shfaqjen “Këmisha e Gjakut” është vlerësuar me mirënjohje në Sarajevë. Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kamertal në Bullgari, si dhe shfaqja “Mësimi” ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Zvicër.

Kuratori i ekspozitës “U artësofshi!”, Mentor Berisha ka thënë se kanë përzgjedhur me shumë vështirësi fotografi nga vetëm dhjetë shfaqje teatrale.

“Kur ke parasysh dhe pranë vetes një art shumëdimensional si të Bekim Lumit dhe materiale të shumta prej dhjetë shfaqjesh, vërtet shumë vështirë të përzgjidhen, sepse secila shfaqje meriton të ketë një ekspozim në vete”, ka thënë Berisha, i cili ka punuar disa skenografi në shfaqet e Lumit.

Krijuesi që vazhdon të mbetet unik

Arti i Lumit sipas bashkëpunëtorëve të tij, vazhdon të mbetet unik e ekspozita i ka thyer në momentet, siç janë shprehur, të papërsëritshme në jetën e tyre.

“Bekimi mbetet unik, kujtimet për të janë unike. Janë eksperienca të papërsëritshme. Shumë procese janë të ngjashme, provat, teksti, tavolina, shfaqja, premiera, skena, repriza. Me Bekimin procesi ka qenë më ndryshe, ka pasur brenda tij diçka më të madhe, shpirtërore në proces’, ka thënë aktori Fatmir Spahiu, duke u shprehur se trashëgimia e Lumit është gjigande, aq sa është edhe mungesa për të.

Lumi kishte bashkëjetuar me rekuizitat dhe kostumet. Aktorët që kanë punuar me të e kujtojnë si të kujdesshëm edhe në detajin që mund të dukej krejt minor.

“Bekimin e kujtojmë çdo ditë, të paktën unë. Hapin e parë artistik pas diplomimit e kam bërë me të. I jam shumë falënderues. Na mungon neve dhe skenës artistike në Kosovë, sidomos Fakultetit të Arteve”, ka thënë aktori Astrit Kabashi.

Për kolegë të tij, ekspozita është rikujtim i momenteve më të mira në karrierën e tyre që në hapat e parë drejt teatrit.

“Shpresoj që edhe shfaqjet e xhiruara të shfaqen shpejtë krahas ekspozitës. Kam mësuar shumë prej Bekës, gati gjithçka që kam mësuar për teatrin, duhet ta falënderoj atë, sepse thjesht ka qenë i palodhshëm. Na ka dhënë krejt çfarë ka ditur dhe ka pasur”, është shprehur aktori Eshref Durmishi.

Si bashkëpunëtor e përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, në ngjarjen që shënon katërvjetorin e vdekjes së Bekim Lumit, i pranishëm ka qenë Liburn Jupolli, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka treguar përvojën e tij gjatë bashkëpunimit me regjisorin, derisa ekspozitën e ka vlerësuar si pasqyrim se si kryhet procesi i punës.

“Në njërën nga shfaqjet, për më shumë se gjashtë muaj më ka rastisur të jem për një kohë të shkurtër si bashkëpunëtor në kompozim dhe kam parë se sa shumë i ndjeri e ka dashur procesin. Jo vetëm në realizimin e shfaqjes e si akt përfundimtar, por edhe si një përjetim i tij bashkë me ekipin dhe energjinë që kanë marrë gjatë ditës dhe i kanë sjellë në prova”, ka thënë ai.

Image
Bashkë me fotografitë, edhe disa prej rekuizitave të shfaqjeve rikthejnë magjinë e teatrit të maestros

Rrezatimi i artit lumian

Dramaturgu dhe kritiku i artit, Arian Krasniqi, ka thënë se fotografitë e përzgjedhura, sjellin kujtesën e artit lumian.

“Sot edhe katër vjet pas vdekjes së tij, fotografitë, dhe elementet e tjera të ekspozitës, na rrezatojnë dhe fisnikërojnë me të bukurën si kategori artistike dhe të madhërishmen si përvjetim vleror. Të dyja këto i gjejmë brenda veprës dhe jetës së Lumit”, ka thënë Krasniqi, i cili ekspozitën e ka vlerësuar edhe si rikthim i ndjenjës së përjetimit të veçantë në artin teatror.

Nga Suhareka, ku u lind më 17 dhjetor 1966, Bekim Lumi do të zhvendosej në Prishtinë. Nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar për regji teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Sot, Lumi vazhdon të mbetet maestroja i artësimit të artit shqiptar.