Arbëri

Të hënën nis Seminari i Gjuhës Shqipe, mbi 100 seminaristë pjesëmarrës

Descriptive Text

Në dy javët e fundit të gushtit, mbi 100 seminaristë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Këtë vit shënohet edicioni i 40-të, i Seminarit, ku do të mbahen ligjërata nga albanologë të huaj e vendorë.

Edicioni i sivjetmë do të nisë të hënën dhe do të përfundojë me 26 gusht.

Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi në intervistën për KosovaPress, thotë se nga viti 1974, kur ka nisur të organizohet Seminari, është arritur që Prishtina dhe Kosova të shndërrohet në qendër të albanologjisë.

“Edicioni i sivjetmë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është edicion jubilar i 40-të. Pra, janë dyzet edicione të Seminarit që janë mbajtur dhe që do të mbahet sivjet. Është një edicion jubilar dhe në këtë kuptim është një tregues i një tradite tashmë të vendosur të seminarit. Si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e studimeve të albanologjisë, por edhe të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Meqë është edicion jubilar, sivjet kemi bërë përpjekje që të ftojmë personalitete të ndryshme, albanologë nga vende të ndryshme të botës të cilët do të jenë pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë”, thotë ai për KosovaPress.

Akomodimi i seminaristëve do të bëhet në konviktet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës. Përveç ligjëratave të albanologëve të shquar, do të mbahen dy herë në ditë edhe kurset e gjuhës.

Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi shton se këtë vit do të shënohet numër rekord i pjesëmarrësve në 40 vjetorin e edicionit.

“Sivjet kemi një interesim jashtëzakonisht të madh, do të kemi një numër shumë të madh të seminaristëve, i cili këtë vit do ta kalojë numrin 100. Kemi më tepër se 100 seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme. Përveç tyre do të kemi edhe albanologë të huajë dhe vendas që po ashtu do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore të seminarit. Pjesëmarrja në këtë edicion të seminarit është shumë e madhe. Do të kemi seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës, nga qendrat albanologjike që janë në Poloni, Bullgari. Pastaj do të vijnë mysafirë nga Turqia, Holanda, nga Gjermania sivjet do të kemi një numër të konsiderueshëm, Italia, Serbia, Maqedonia”, shprehet ai./KSP