Auto

Problemet e zinxhirit të furnizimit ngadalësojnë prodhimin në Porsche

Prodhuesi gjerman i automjeteve, Porsche, është duke u përballur me një sërë problemesh prodhimi, gjë që ka bërë të ngadalësohet montimi dhe të shtyhen afatet e dorëzimit, shkroi të enjten “Go Auto”.

Problemet e zinxhirit të furnizimit kanë bërë që kompania aktualisht të mos jetë në gjendje të ofrojë modele të caktuara, si Panamera dhe Macan.

“Aktualisht situata është e tensionuar dhe vazhdimisht duhet të jemi vigjilentë. Është e vështirë të parashikohet se kur do të ketë përmirësime”, ka thënë menaxheri i prodhimit dhe logjistikës në Porsche, Albrecht Reimold.

Sipas Reimoldit, kur prodhohen modelet Panamera dhe Macan, disa qindra automjete nuk mund të kompletohen për shkak të bllokimit të furnizimit me fenerë.

“Në parim, situata e zinxhirit të furnizimit është shumë sfiduese, por ende e menaxhueshme", shtoi Reimold.