Sport

Çiklistët e Kosovës të fundit në Evropian

Descriptive Text

Çiklistët e Kosovës kanë përfunduar paraqitjen në Kampionatin Evropian në Munih të Gjermanisë.

Pasi më herët nuk e përfunduan garën rrugore, Blerton Nuha e Alban Delija kanë mbetur të fundit në disiplinën “kronometër individual”. Gara është mbajtur të mërkurën, ndërsa çiklistët kanë kaluar distancën prej 24 kilometra.

Blerton Nuha ishte i 34-ti, përkatësisht i parafundit me kohë prej 34:56.74 minuta. Ndërkohë Alban Delija ishte i 35-ti, përkatësisht i fundit me kohë prej 34:59.32 minuta. Fitues i garës ishte zvicerani Stefan Bissegger me kohë prej 27:05:96 minuta. Pra dallimi i garuesve kosovarë me fituesin ishte gati tetë minuta. Derisa shpejtësia mesatare e zviceranit ishte 53.169 kilometra në orë, shpejtësia e Nuhës ishte 41.221 kilometra në orë, ndërsa e Delijës ishte 41.162 kilometra në orë.