Tite apel FIFA-s para ndeshjes me Zvicrën dhe akuzon serbët: Luajnë për të vrarë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2022 | 14:37

Tite apel FIFA-s para ndeshjes me Zvicrën dhe akuzon serbët: Luajnë për të vrarë!

Brazili e ka kaluar me sukses debutimin kundër Serbisë, ndonëse kostot kanë qenë shumë të larta, si dëmtimi i Nejmarit, ashtu sikurse ai i Danilos.

TITE

Dhe lidhur me këtë fakt, për trajnerin e “Seleçaos”, konferenca për shtyp përpara Zvicrës, ishte momenti jo vetëm për t’i bërë një apel të qartë FIFA-s, për të tutëluar futbollistët e mëdhenj, por në të njëjtën kohë për të bërë edhe “mea culpa” lidhur me menaxhimin e këtyre situatave, kur një ndeshje bëhet e rrezikshme për futbollistët e tij në vazhdim.

“Ndaj Nejmarit, Serbia ofroi një festival me shqelma dhe faulle. Unë mendoj se duhet të tutëlojmë futbollistët e mëdhenj, nëse duam që të shohim spektakël në fushat e lojës, aq më tepër në një kampionat Botëror.

Ndërhyrja për të cilën u fol (ajo e Milinkoviçit, ku kapi keq kaviljen) nuk ishte e ashpër, pasi lojtari serb në atë episod nuk ndërhyri për t’i bërë keq.

Por ishte një përpara saj (ajo e Gudelj), e cila ishte vërtet e frikshme, – shprehet Tite, përpara se të bëjë autokritikë. – Në atë takim ishte edhe një gabim i imi në menaxhim…

Nuk e kuptova se sa ishte lënduar Nejmari, por kur e mësova e zëvendësova dhe gabova. Nejmar po çalonte pas shumë shqelmave që mori dhe pikërisht në atë moment duhet ta kisha ulur në stol.

Madje, duhet të kisha zëvendësuar edhe Danilon (gjithashtu me ndrydhje në kavilje), por nuk do të gaboj më në vazhdim. Kur do të kthehen ata?

Nuk jam një mjek, por ajo që di të them janë dy gjëra: Në këtë Botëror ka skuadra që luajnë për të vrarë dhe së dyti, të jeni të sigurt se ky Botëror për Nejmarin dhe Danilon nuk ka mbaruar.

Ata do të kthehen shpejt në fushë për të ndihmuar Brazilin”.

Lidhur se kush do t’i zëvendësojë Nejmarin dhe Danilon në pritje të ndeshjes me Zvicrën, Tite bën publik vetëm emrin e sulmuesit, ndërsa për prapavijën është në mëdyshje mes Dani Alveshit dhe Eder Militaos.

“Kundër Zvicrës do të jetë ora e Rodrigos për të luajtur titullar, një lojtar që duket se ka magnet në vend të atleteve, pasi di gjithmonë sesi të ngjisë topin në këmbët e tij.

Ndërsa në vend të Danilos, apo edhe të ndonjë ndryshimi tjetër më duhet të mendohem.

“Alvesh titullar? Dani është një lider i lindur që sërish luan si një djalë i ri. Por edhe Militao është gati dhe në formë, ndonëse për gjithçka lidhur me formacionin do të vendos pak përpara ndeshjes”, përfundoi trajneri i Brazilit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"