Sulmi i dhunshëm ndaj Berishës, agresori do të riekspertohet për gjendjen e shëndetit mendor. Sekuestrohen disa pamje, do dëshmojnë edhe…

Dec 8, 2022 | 12:04
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI

Me të njëjtën veshje që i mbeti në trup nga ajo dhunë e ashpër e truprojave të Sali Berishës, me shenja të dukshme në kokë e fytyrë, Gerti Shehu u fotografua në shtratin e Spitalit të Traumës me pranga në duar.

Fotoja e tij më pas u shpërnda në media bashkë me dy veprat penale që Policia e Tiranës thotë se ka kryer i arrestuari i tyre, i cili pret që akuzat dhe masën e sigurisë t’ia komunikojnë Prokuroria dhe Gjykata. Sipas të dhënave paraprake bëhet me dije se Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën e arrestit me burg për të, ndonëse këtë do ta vendosë Gjykata.

Gerti Shehu, 31-vjeçari që u dhunua dhe më pas u ndalua nga truprojat e ish-Kryeministrit, u dorëzua në duart e Policisë dhe ai tashmë gjendet në duart e mjekëve të spitalit, të cilët ende nuk kanë dalë në një konkluzion mbi gjendjen e tij fizike po as psikike. Për këtë të fundit është kërkuar një ekspertim i ri mental.

Por përgjatë së djeshmes, Policia e Tiranës me një sërë komponentësh dhe prokuroria kanë vijuar punën për të hedhur dritë mbi ngjarjen, por pa përmendur ende shkaqet që e çuan të riun në atë akt. Sipas policisë së Tiranës, Gerti Shehu me sulmin dhunues kundër deputetit dhe shefit të opozitës ka konsumuar elementët e goditjes për shkak të detyrës, si dhe atë të plagosjes me dashje. Por, do të jetë Prokuroria në momentin e marrjes së masës së sigurisë që do të vendosë se çfarë veprash penale ka konsumuar 31-vjeçari.

HETIMET

Përgjatë së djeshmes, grupi hetimor i përbërë nga disa seksione policie dhe nga Prokuroria, janë zhvendosur në zonën e Urës së Tabakëve.

Aty ku është edhe vendbanimi i tij, e po ashtu thuajse i gjithë aktiviteti i përditshmërisë së tij. Sipas të dhënave mësohet se janë sekuestruar një mori kamerash për të parë dhe verifikuar të gjithë itinerarin e të riut nga Tepelena, i cili u bë protagonist i një akti të pandodhur më parë në vendin tonë.

Në njërën nga pamjet filmike që ka sekuestruar Policia dhe që ka nisur edhe verifikimin e detajeve të hollësishme të saj, del që Gerti Shehu, para se sa me marrë rrugën në drejtim të selisë së Partisë Demokratike, ka dalë nga xhamia që gjendet në atë lagje. I qetë dhe me hap të sigurt, ai ka vijuar rrugën duke kaluar në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit një grumbull të madh punonjësi policie që kishin zaptuar aksin e unazës që të çonte në bulevard dhe është drejtuar për te selia e Partisë Demokratike.

Nga mënyra se si duket nga këto pamje, Shehu duket se është i mirinformuar për orën e saktë jo vetëm kur do të fillonte protesta e opozitës, por madje edhe për orën e saktë se kur do të dilte Sali Berisha nga kjo seli. Kamera të tjera e kanë kapur këtë person teksa sillej nëpër oborr dhe trotuarin përpara selisë.

Sipas burimeve policore mësohet se do të sigurohen edhe pamje të tjera që lidhen kryesisht me frekuentimin e tij të xhamisë, në të cilën kishte kohë që shkonte, ndërkohë pritet të merren në pyetje një numër i madh personash, kryesisht njerëz të afërt dhe të njohur.

Policia e përjashton mundësinë që i arrestuari i tyre të jetë një person i shëndoshë mendërisht dhe aq më tepër të ketë qenë pjesë e strukturave të tyre, por mësohet se Prokuroria do ta hetojë në tërësi të gjithë aktivitetin e tij, jo vetëm kriminal.

DËSHMITË

Policia e Tiranës nuk ka mundur t’i rrëmbejë asnjë fjalë Gerti Shehut përgjatë ditës së djeshme. Ai u ka thënë se do të fliste në një moment të dytë, duke mos dashur të dëshmojë para oficerëve, të cilët i kanë vënë prangat në spital. Por Policia dhe Prokuroria kanë marrë dëshmi të tjera, të personave që e njohin dhe më herët edhe të nënës së tij.

Ndonëse e ëma ka bërë me dije se i biri i saj vuan nga problemet e shëndetit mendor dhe madje kurohej që në vitin 2018, duke iu referuar edhe një vërtetimi mjekësor marrë nga një klinikë private, banorët e lagjes e kanë mohuar faktin që Gerti të ketë qenë ndonjëherë problematik në lagje, as agresiv. Po ashtu, duke qenë se ai ishte një person që frekuentonte xhaminë, personat që e njohin dhe kanë dëshmuar për të nuk kanë dhënë detaje të shumta duke besuar se ai duhet të jetë shkëputur nga aktiviteti i mëparshëm.

Në lidhje më sëmundjen e tij, mësohet se do të jenë ekspertë të caktuar nga prokuroria që do të hedhin dritë nëse ai është vërtet i tillë apo jo, ndërkohë që pritet dëshmia e tij për të mësuar se cili ishte shkaku që e shtyu në atë sulm verbal dhe të dhunshëm kundër shefit të opozitës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura